“Carlo Levi”, çmimi letrar
i jepet Dritëro Agollit

“Carlo Levi”, çmimi letrar<br />i jepet Dritëro Agollit
TIRANË - Çmimi prestigjioz letrar “Carlo Levi”, i është akorduar këtë vit shkrimtarit dhe poetit të njohur shqiptar Dritëro Agolli, midis përfaqësuesve nga i gjithë Mesdheu. Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të jetë me 5 tetor në Aliani (Matera) në Itali, ku shkrimtari ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm.

Lajmin e bëri të ditur dje deputeti dhe botuesi i “Toena-s” Fatmir Toçi, i cili e quajti një lajm të mirë që vjen në prag të ditëlindjes, në këtë 82-vjetor të babait të poezisë bashkëkohore shqiptare. Më tej Toçi ka lajmëruar edhe botimin e një libri të ri kushtuar Agollit, i cili del së shpejti nga shtypi. Bëhet fjalë për një libër studimor voluminoz 700–faqesh për veprën e poetit me titull “Fjalor rimor i Dritëro Agollit”, me autor gjuhëtarin Mina Gero dhe botuar nga Toena. “Prania e Dritëroit në Pulia dhe Bazilikat të Italisë nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së emigrantëve të shumtë shqiptarë në këto zona. Me kërkesën e tyre është menduar edhe një takim i madh me poetin shpirtëror të shqiptarëve në Altamura të Barit, ditën e premte, datë 4 tetor 2013, pasdite vonë”, thotë deputeti dhe botuesi Fatmir Toçi.  Sipas tij kjo vizitë e shkrimtarit në këtë komunitet ka një rëndësi të veçantë. Sipas autoriteteve lokale vetëm në këtë komunë jetojnë e punojnë prej vitesh mbi 5000 emigrantë shqiptarë, të integruar në shoqërinë italiane dhe në marrëdhënie të shkëlqyera me vendasit.

“Jam i lumtur dhe i privilegjuar që do ta shoqëroj Dritëroin në këtë ngjarje, ku vlerësohet jo vetëm poeti dhe vepra e tij, por edhe letërsia dhe kultura jonë kombëtare si një zë në hapësirën kulturore të vendeve mesdhetare”, thotë Fatmir Toçi duke shtuar se për këtë organizim ndihmon shoqata kulturore “Luigj Gurakuqi”, me qendër në Bari, “një rini e gjallë dhe shumë aktive, me rol të çmuar me mbajtjen gjallë të vlerave kulturore shqiptare ndër shqiptarët e Italisë dhe zgjerimin e intensifikimin e marrëdhënieve kulturore me vendin fqinj të përtej detit, gjithmonë me një frymë të re dhe vizion të qartë për zhvillimet e pritshme në Shqipëri”.

Mësohet se  gjatë mbrëmjes gala të dhënies së Çmimit do të jetë edhe një grup polifonik i njohur nga Shqipëria, i cili do të këndojë për pjesëmarrësit e shumtë këngë karakteristike kushtuar Dritëroit, Evropës së Bashkuar dhe Shqipërisë si pjesë e saj kulturalisht dhe, së shpejti edhe si pjesë integrale e saj.

Shkrimi u botuar sot në gazetë shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024