Gazeta satirike “Charlie Hebdo” do të dalë në datën e caktuar në treg, me kopje të njëzetëfishuara dhe pa ndryshuar aspak linjën e saj editoriale, bënë të ditur dje botuesit. Sipas punonjësve dhe drejtuesve, kjo është shenja më e mirë e asaj se terrori nuk mund të mposhtë fjalën e lirë dhe mendimin e pavarur.

Ndihma financiare dhe në njerëz janë ofruar nga kolegët e gazetës Le Monde, Liberation dhe televizionit Canal+, sipas mediave franceze. Kjo do të thotë se revista do të dalë të mërkurën e ardhshme, si zakonisht, me tetë faqe, në vend të 16-ëve, por me një tirazh prej 1 milion kopjesh, në vend të 60 mijë kopjeve të përhershme.


Ndërkohë, zija kombëtare është shpallur dje në Francë, për herë të pestë që nga viti 1958. Në të gjithë vendin është mbajtur një minute heshtje nga të gjitha institucionet dhe të gjitha shërbimet publike. Flamujt e Francës do të qëndrojnë në gjysmë shtizë për tre ditë. Ndërkohë, edhe Komisioni Evropian, që në orët e para të ditës së djeshme, ka ulur në gjysmështizë flamujt në nderim te gazetarëve të vrarë të revistës “Charlie Hebdo” në Paris.

“Këtë mëngjes flamujt e Komisionit Evropian janë në gjysmështizë. Në orën 00:00 në të gjitha ndërtesat e Komisionit dhe në dhomën për shtyp, Komisioni shënoi një minutë heshtje për viktimat e sulmit kundër revistës ‘Charlie Hebdo’”, bëri të ditur KomisioniEvropian në faqen zyrtare dje në mëngjes. Ndërkohë, viktimave, familjarëve të tyre, krerëve të Francës dhe tërë popullit francez i kanë ardhur telegrame ngushëllimi dhe mbështetjeje nga të gjitha vendet demokratike.

Presidenti i SHBA-së Barack Obama e ka quajtur këtë atentat si një “sulm të tmerrshëm dhe skandaloz”. Ai ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e merituar të atentatorëve. Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, ka nënvizuar se “lufta kundër të gjitha formave të terrorizmit duhet të vazhdojë.” Sipas tij, “ky është një sulm kundër vlerave fondamentale dhe lirisë së shtypit, e cila është shtylla e vlerave tona demokratike”.

Sulmin në Francë e ka dënuar edhe Rusia. Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitri Peskov, tha se “Rusia i dënon ashpër të gjitha format e terrorizmit”. Sipas tij, lufta kundër terrorizmit nuk është e mundur pa “bashkëpunimin multilateral”. Këtë sulm terrorist e kanë dënuar edhe Britania e Madhe, Italia dhe shumë vende e institucione të tjera në mbarë botën.

Në rrjetet sociale njerëzit nga mbarë bota dënojnë ashpër sulmin ndaj gazetës satirike në Paris dhe solidarizohen nën moton “Je suis Charlie”. Kjo ishte motoja edhe e qindar mijëra qytetarëve të Francës të grumbulluar në sheshet e qyteteve kryesore të vendit me qirinj dhe parulla në duar në nderim të të rënëve.