“Delja" e piktorit Halidon Haliti
që do të provokojë në GKA

“Delja" e piktorit Halidon Haliti <br />që do të provokojë në GKA
Helidon Haliti nuk i ka çuar kot katër vite që nga momenti që hapi ekspozitën e tij në vitin 2008. Sepse një artist është gjithmonë në lëvizje, në këkim pak a shumë si një lumë që kërkon rrugën e tij drejt detit. Pas njw periudhe tw gjatw vetsakfrikimi, rruga e Halitit finalizohet më 16 gusht në Galerinë Kombëtare të Arteve ku 20 punime të reja do të përcjellin tek publiku një “Personale” për të cilën piktori shprehet se rri mes pasionit, filozofisë, arrogancës, mllefit, sarkazmës dhe pse jo provokimit…

Një ftesë për ekspozitë, përveç emrit dhe vendit nuk zbardh më shumë. Do të zbuloni diçka nga ekpozita juaj e re? 
Të më falni për këtë “terr” ku po ju lë, por për momentin edhe unë kaq kam në dorë t’ju them për ekspon time të shumëpritur në GKA. Ekspozita ime ka tre vjet që përgatitet nga unë dhe me një përkushtim maksimal, sa shpesh them, nëse ia vlen një vetsakrifikim i tillë, në një vend që e do shumë artin, por e do si ai burri fanatik, sadist, që para se të bëjë dashuri me gruan e tij, e rreh, madje shpesh edhe pasi ka bërë dashuri, një mënyrë anakronike për të shprehur dashurinë. Ekspozita ime ka patur një filozofi që në fillim, por disa tituj deri në fund. E njëjta gjë që na ndodh edhe me lindjen e fëmijëve, të bindur që duam fëmijë dhe jemi konfuz për emrin e tyre.Titujt janë: “Gjeniu”, “Përbindëshi”, “Delja e zezë”, “Nëna”,  “Dielli dhe rrëketë”, “Lufta” dhe në fund do të titullohet “Personale”, pra HELIDON HALITI -”PERSONALE”

Cili ishte ngacmimi juaj për këtë cikël të ri pikturash?
Kjo ekspozitë personale është konceptuar mbi frymën e poemës  “Delli dhe rrëkerat” të babait tim. Jam rritur me frymën e kësaj poeme, pasi jeta jonë pësoi ndryshime të frikshme, tepër të frikshme, të lemerisshme, do të thoshja, pas botimit të saj, sidomos pas kritikës së egër e që iu bë në shtypin e kohës. Pas një mbledhje autodafe, ku nuk mbeti injorant pa e kritikuar poemën si një poemë armiqësore që nxinte realitetin e ndritur socialist dhe bënte thirrje me qitje të largët për përmbysjen e Pushtetit popullor dhe, për zëvendësimin e diktaturës së proletariatit me diktaturën borgjeze e revizioniste, babanë e dënoi diktatura me punë të detyruar, 4 vjet në një kooperativë bujqësore dhe 6 vjet në Komunale. Babait iu desh të lerë penën, mësuesinë dhe penelin e të kapte kazmën, belin, draprin që të prashiste, të hapte kanale, të bënte kavalle orizi dhe të korrte, të ngarkonte e të shkarkonte qerret me dega duke iu hequr e drejta e botimit për 10 vjet. Në themel të poemës është familja e kamufluar me luftën kundër burokratizmit, pra mr një ambiguitrt disi të sofistikuar. Pra baza është familja, streha, shtëpia që për çudi të gjithë fëmijët e botës e vizatojnë dhe e pikturojnë njëlloj, më të njëjtën fantazi, duke përdorur të njëjtat elementë edhe pse, të lindur në një kuadrat pothuaj të njëllojtë, brenda katër mureve dhe, nuk shpjegohet dot se si ata e shohin formën e vërtetë të shtëpisë së ëndrrave, megjithëse arkitektura ka evoluar shumë dhe format e shtëpive kanë marrë reformacionin e kohës, në fantazinë e fëmijëve, ajo ngelet e njëjtë:një çati, një oxhak me tym, dy pemë, një gardh dhe disa re në qiell. Vizitorët e shtëpive të tablove të mia janë të ndryshëm që nga insektët e rëndomta, pothuaj të padukshëm, disa prej të cilave që mund t’i mbijetojnë edhe bombës atomike, shtypen kollaj nga këmba e brishtë të çdo fëmije. Këta mysafirë pasionantë, sarkastikë, gazmorë dhe tragjikë, dhe, shpesh herë të shpifur, të neveritshëm, disgustozë, janë të ftuarit e mi në këtë ekspozitë. Unë vij jo më një ndryshim e një qasje rrënjësore në këtë ekspozitë, por edhe më një evoluim erruptif, organik.

Të hapësh një ekspo në verë, nuk është e zakontë në vendin tonë ku aktivitetet kulturore janë të pakta gjatë stinës së nxehtë. Përse zgjodhët pikërisht gushtin për ekspozitën tuaj?
Nuk mund të kem luksin të zgjedh se kur mund të bëj ekspozitë në institucionin më të rëndësishëm në vend si GKA. Atë e vendos bordi i saj dhe unë e respektoj atë plotësisht. Gushti është muaji më i vështirë, por mua më pëlqen t’i pranoj këto sfida, “kapedanët e vërtetë në furtunë duken”dhe në fund të fundit pse jo, ata dashamirës të artit do të vinin në çfarëdo kohe. Gjithsesi unë jam mirënjohës për ata që e bënë të mundshme këtë ekspozitë qoftë edhe në këtë muaj, ku në gjuhën gazetareske thuhet se është muaji ku nuk ka lajme. Unë vë bast se ky muaj do të ketë lajm: do të jetë ai i ekspozitës sime.

Nuk i kemi parë pikturat tuaja ende, ndaj do të donim një vlerësim nga këndvështrimi juaj. Si i shikoni këto punë në lidhje me ciklet e mëparshme?
Pikturat e mia nuk i ka parë pothuajse askush, madje as babai im, apo zoti Kadare në vizitën e tij të fundit në studion time. Po ruaj një lloj misticizmi dhe magjie për to, pasi Shqipëria është një vend i vogël dhe magjia zgjat shumë pak. Në GKA do të zbulohen të gjitha punimet, të cilat do të jenë të pakta në numër, si asnjëherë tjetër në këtë sallë dhe që t’i përgjigjem pyetjes tuaj të parë: do të jenë jo më shumë se 20 punime të cilat vijnë pikërisht atje ku ndalon ekspozita ime e fundit në muzeun Mezuraj në vitin 2008. Në ekspozitë do të ketë shumë surpriza, ku gërshetohet, pasioni, filozofia, arroganca, mllefi, sarkazma dhe pse jo provokimi… një tablo provokon dhe do të diskutohet jo pak mendoj,..

Pas Galerisë Kombëtare në Tiranë çfarë planesh keni?
Planet e mia janë të menjëhershme. Sapo të mbyllet kjo ekspozitë, menjëherë marr avionin dhe shkoj në Madrid, ku do të hap një tjetër ekspozitë personale: “Shije nga Shqipëria”, një kontribut i imi personal për 100 -Vjetorin e Pavarësisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 10 ditë. Në nëntor gjithashtu më
pret një ekspozitë personale në Montekarlo dhe pikërisht më 21 nëntor - 8 dhjetor 2012, një event që e pres që prej 2 vitesh dhe që para 2 vjetësh kur u pranova të ekspozoj atje u caktua data dhe ora e hapjes se saj. Ajo që nuk dihet është se si do ta presin dashamirësit artin tim dhe ekspozitën time”Fabuleux”ose ‘PËRRALLORE”

Çfarë do të thotë të pikturosh sot?
Të pikturosh sot në Shqipëri do të thotë: një detyrim për të vënë një guriçkë në artet pamore shqiptare dhe ato figurative që e kanë kaq rrënoje, në këto kohë të vështira, ku teknologjia ka ftohur çfarëdolloj veze dhe pothuaj është e pamundur të dalin zogj të rinj. Artistët shqiptarë pikturojnë dhe e mbajnë ndezur flakën e cila ka nisur si e tillë që nga shpellat e para mijëvjeçare.

Cila është lidhja mes artit dhe mesazhit? Sipas jush cili do të ishte komunikimi i përsosur mes publikut dhe veprës suaj?
Arti ka nisur si një nevojë për të komunikuar njerëzit në mes tyre dhe ka pësuar shumë reformacione gjatë shekujve. Të gjithë sistemet e përdorin artistin dhe artin për interesin e shpërndarjes se demagogjisë apo të filozofisë se tyre. Unë thjesht të mendshmen time e hedh në pëlhurë dhe ajo bashkë me pëlhurën ngjizet sipas shqetësimeve. Publiku është shumë i mençur dhe i kupton mesazhet e krijuesve.

Loja më ngjyrat duket se mbetët “loja” më e preferuar për ju…
Shumë e saktë, “lojëra më ngjyrat”, por jo më bojërat…pikërisht këtu fillon dallimi, ngjyra nga boja. Unë luaj me ngjyrat e mia dhe do të luaj sa kam në shpirtin tim dritë e cila krijon këtë spektër ngjyrash. Hija nuk ekziston ende në të brendshmen time dhe për pasojë, nuk del asnjëherë në pëlhurat e mia.

Artisti është gjithnjë në lëvizje, gjithnjë në kërkim… por jeta e përditshme e njeriut ka një ritëm tjetër. Kur I keni ndjerë përplasjet më të forta mes këtyre dy pjesëve të jetës tuaj?
Është e pashmangshme rutina e jetës, pasi të gjithë e duam atë. Unë jam një njeri dhe një artist në lëvizje të vazhdueshme falë lirisë që më lejon familja ime, ndërsa atë të lirisë artistike, e kam në dorë vetë dhe brenda shpirtit tim, atë nuk ma dhunon dot kush, përveç nevojave imediate të jetës të cilat zënë vend përditë e më shumë në jetën tonë dhe janë bërë tmerr i artit tim. Por nuk kanë fituar asnjëherë luftën, përveçse disa betejave të vogla, pothuaj të papërfillshme.
Në mënyrën tuaj të berit art, përfshihen versionet e ndryshme të se njëjtës pikturë. Ndonjëherë ngjajnë sikur do të rrinë bashke në një minicikël …
Të rrish gjatë në një ngjarje në Shqipëri është pothuajse e pamundur, pasi duke qenë një vend me treg shumë të vogël arti, duhet përditë të “prodhosh” ngjarje dhe sensacione që të qëndrosh në ajkën e artit dhe tregut. Unë vazhdoj në hapësirën time pa cënuar filozofinë dhe hapësirën e askujt, do të vazhdoj me heronjtë e mi deri sa të plotësohet cikli, por ju theksoj se jam një artist që kam një gamë shumë të gjerë, madje lëvroj edhe shumë gjini të tjera përveç kompozimit, si atë të peizazhit, portretit dhe disa taktika, si akuareli, temper, akrilik, batik etj, pa harruar zhanrin e fotografisë e cila është një pasion 20- vjeçar që një fill i hollë e ndan nga profesioni…

Gjysmagjeli juaj banon ende në pallatin presidencial francez? Ju pëlqen të dini se ku udhëtojnë veprat tuaja apo cili është fati i tyre pas shitjes?
Gjysmagjeli ka dalë për kësmet. Unë kam vepra në të gjithë botën dhe jam shumë kurioz të di për fatin e tyre. Një ditë dua të bëj një udhëtim e t’i vizitoj fole më fole.

Studioja juaj është gjithnjë e hapur për artistë të ndryshëm, mes tyre edhe shkrimtari Ismail Kadare…Për çfarë ju shërben ky komunikim brenda “folesë krijuese”
Po është e vërtet që studio e një piktori është gjithmonë e hapur, por kjo gjë është zbehur shumë kohët e fundit. Të njëjtën bisedë kishim me të madhin Kadare pardje (intervista është realizuar më 24 korrik sh. i g.) dhe me gruan e tij tepër fisnike, Helenën se, poetët dhe shkrimtarët kanë filluar të humbasin nga studio e piktorëve, se këta artistë duhet të ndajnë ëndrrat në mes tyre. Kjo është arsyeja që poezia ka filluar të humbasë nga piktura sot. Falë zotit, babai im e ndan atë, pothuaj, përditë me mua.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë para pak ditwsh i dha babait tuaj Urdhërin “Mjeshtër i Madh”. Si është lidhja juaj me të, si babë e bir dhe si dy krijues?
Është tepër e vështirë të shpjegoj se sa gëzohem unë që babanë ma nderuan me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, por më besoni, ju lutem, se institucionet: shtet, vlerësim, nderim, shpërblim, mirënjohje, kjo është ajo që më gëzon më shumë, sepse e kuptoj se diku, dikush e shikon kontributin tonë dhe kjo është shumë e gëzueshme. Për babanë nuk dua të flas shumë, pasi atij dhe mamasë sime, i dedikoj gjithë ekspozitën dhe kryesisht një vepër jo të zakontë që zë peshën kryesore në ekspon “PERSONALE” dhe kjo vepër titullohet “Dielli dhe Rrëkerat”

Cili ishte ngacmimi juaj për këtë cikël të ri pikturash?
Kjo ekspozitë personale është konceptuar mbi frymën e poemës  “Delli dhe rrëkerat” të babait tim. Jam rritur..
(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete