“Dimri” i Kadaresë,ngatërresa e një
aparatçiku që parapriu ndalimin e tij

“Dimri” i Kadaresë,ngatërresa e një<br />aparatçiku që parapriu ndalimin e tij
Një orar studimi në mëngjes herët për nxënësit nga ora 7:15 deri në orën 8:00 mund ta rrisë kalueshmërinë e nxënësve deri në 90,2%. Eksperimenti është kryer në një prej shkollave të Tiranës në vitin 1973. Të dhënat i gjejmë në një raport informativ ku analizohej gjithë jeta e vendit  për muajt e parë të këtij viti.

Raporti ishte përgatitur në zyrat e Komitetit të Partisë Tiranë në maj 1973 dhe bën një skaner të jetës së shqiptarëve në komunizëm në kulmin e luftës kundër shfaqjeve të huaja dhe modernitetit.

Raporti informativ dërguar në zyrat e Komitetit Qendror  përmbledh fushat kryesore të jetës në vend bujqësinë, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, kulturën dhe artet, etj.
Pas festivalit të 11 në dhjetor të 1972, arti, letërsia dhe të gjithë fushat e tjera, ku shfaqeshin forma të liberalizmit e të modernitetit vëzhgoheshin në imtësi.
Nuk kishte si t’u shpëtonte syve vëzhgues romani i Ismail Kadaresë i botuar atë vit, “Dimri i vetmisë së madhe”, madje kishte ndodhur edhe një ngatërresë  që sot të bën për të qeshur.

“Janë bërë vërejtje për përmbajtje jo të shëndoshë ideologjike të romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”. Të tilla vërejtje janë bërë nga shokët Muntaz Shehut në Aparatin e Këshillit të Ministrave, Ferdi Karagjozi në Ministrinë e Jashtme, Keti Qamo në Institutin e Urbanistikës e Projektimit etj” shkruhet në raport.
Ndërsa pak më poshtë shkruhet se një aparatçik i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës kishte ngatërruar një libër të Ismail Hoxhës me “Dimrin e vetmisë së madhe” të Kadaresë. Ai kishte dhënë madje urdhër që të hiqej nga qarkullimi “Dimri...”. Por siç shkruhet në raport ngatërresa ishte zgjidhur ca më vonë dhe ishte anulluar ky vendim.
Në të vërtetë ky veprim duhet të ketë shërbyer si nj sinjal për të hapur sytë se pikërisht në maj të këtij viti do të shpërthenin gjithkund kritikat ndaj këtij romani dhe madje do ta pengonin edhe botimin e tij në Francë.

Po ashtu në këtë raport shënohen edhe komentet e mbledhura në ambientet e Radio Televizionit shqiptar  mbi tendenca të dënueshme nga regjimi dhe shfaqje moderniteti, sidomos në festivalin e këngës.

Po ashtu nxënësit dhe studentët që mbanin flokë të gjata apo qarkullonin literaturë të ndaluar janë përfshirë në këtë dokument. “Para 1 Majit kishte studentë me paraqitje jo të rregullt, të paqethur, si në Fakultetin e Inxhinierisë e të Mjekësisë etj. Ata nuk u lejuan të marrin pjesë në manifestim. Në Fakultetin Histori-Filologji një student rumun, në mënyrë demonstrative i mban flokët shumë të gjatë. Megjithëse i është tërhequr vëmendja shoqërisht nga shokët e tij, ai refuzon dhe thotë: “Tani mbaroi viti, në shtator kur të kthehem do t’i pres”.

Më poshtë e sjellim të plotë raportin e hartuar dhe firmosur nga Manush Myftiu për Komitetin Qendror të PPSH-së.
 
 
Dokumenti i plotë
 
Informacion
Për periudhën 1-9 maj 1973

 
Problemet kryesore që informojmë për këtë periudhë janë:
1) Realizimi i detyrave të ditës në bujqësi.
Këto ditë janë intensifikuar punimet për fushatën e mbjelljeve. Deri në datën 9.5.1973 gjendja e punimeve paraqitet: plugimet e para 55,4%, mbjelljet gjithsej 34%, nga kjo: misri 29,5%, patatet 63%, fasulet 65,1%, jonxha 76,2%, foragjeret 25,7%, perimet 39%. Për fushatën janë mobilizuar të gjitha forcat dhe mjetet. Çdo ditë punojnë 170 traktorë dhe 19.000 forca pune.
Mbjellja e misrit me shatë me pleh në fole po bëhet në front të gjerë dhe parashikohen të mbillen kështu 3.000 ha. Në zonat malore po punohet me aksion për pataten.

2) Mbi mungesat pa arsye dhe paaftësinë e përkohshme.
Nga të dhënat përmbledhëse të muajit prill 1973, në ndërmarrjet ekonomike dhe institucionit shëndetësore e arsimore u vërejt një ulje e kënaqshme e mungesave pa arsye, gjithsej kanë humbur nga mungesat pa arsye 3.435 ditë pune, baras me 137,2 punëtorë të munguar çdo ditë. Në krahasim me muajin mars mungesat janë ulur rreth 41%.
Në fshat, me gjithë masat që janë marrë kanë munguar rreth 350 veta çdo ditë.
Paaftësia e përkohshme për tremujorin e parë të këtij viti arrin në 4,9% nga 4,1% që është planifikimi; baras me 57.703 ditë të humbura për paaftësi mbi planin dhe me mbishpenzim mbi 1 milion lekë. Në krahasim me tremujorin IV të vitit 1972, kur paaftësia ishte 6,18%, ka një rënie prej 1,28%, por kjo përsëri nuk është e kënaqshme.
Sipas degëve ekonomike paaftësia më e lartë është në industrinë e lehtë 6,46%, komunale 5,63%, shëndetësi 5,42%, në industri-miniera 5,32% dhe ndërtimi 4,93%. Në ndërmarrje të veçanta paaftësia më e lartë është: në minierën e qymyrgurit 10,16%, në Uzinën Tirana 9,9%, në fabrikën e mermerit e pllakave të Kombinatit “Josif Pashko” 9,4%, ndërmarrjen e shërbimit komunal 9,17%. Në tetë ndërmarrje të tjera paaftësia është 8,77% deri 7,14%. Në të gjitha këto ndërmarrje paaftësia paraqitet me rritje në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 1972.
Për këtë gjendje do të marrim masa që nëpërmjet organizatës së Bashkimeve Profesionale dhe Komitetit Ekzekutiv të analizohet gjendja dhe përcaktohen masat e nevojshme brenda muajit maj.
Pas fjalimit të shokut Enver janë marrë disa masa si nga ndërmarrjet dhe nga ana e shëndetësisë: është forcuar kontrolli në lëshimin e raporteve, po riorganizohen komisionet mjeko-ligjore të poliklinikave, po bëhen ballafaqime midis qendrave të punës, poliklinikave etj. Këto masa do të ndihmojnë për uljen e paaftësisë në tremujorin II.
    
3) Mbi rastet me katar stinor.
     Në qytetin e Tiranës, ditët e fundit janë shtuar rastet me grip, komplikime respiratore, si bronkite e bronkopneumoni në fëmijët e vegjël deri 10 vjeç. Nga 680 vizita të bëra në pediatri në datën 4.5.1973, në datën 7.5.1973 u rritën në 1.094, ndërsa në rastet me grip angina bronkite dhe bronkopneumoni nga 603 u rritën në 917. Gjatë kësaj periudhe ka pasur 2 raste vdekjeje në Lagjen Nr. 10 nga bronkopneumonia.
     Në këtë situatë janë marrë masa duke forcuar shërbimin shëndetësor në repartet e pediatrisë me mjekë e infermierë. Spitali Nr. 3 dhe ai i Kombinatit deri tani kanë përballuar shtrimet. Janë dhënë porosi për të krijuar shtretër rezervë. Ditët e fundit vërehen raste me katar stinor edhe në moshat e rritura.
     4) Sistemimi në punë i qytetarëve:
     Në fund të muajit prill gjendja e krahëve të lirë paraqitet:
     - Gjendja e krahëve të lirë në fillim të prillit           1.037
     - Kërkesa të reja gjatë muajit                     530
     - Vendosur në punë nga lagjet                      694
     - Gjendja e krahëve të lira në fund të prillit          873
     5) Gjendja e furnizimit të Tiranës me perime dhe mish.
     Furnizimi me perime këto ditë është dobësuar. Por në datën 9.5.1973 nga 180 kv që është plani ditor i furnizimit u dorëzuan 215 kv. Po kështu edhe në furnizimin me mish nga rrethet e tjera ka rënie. Në datën 7.5.1973 gjendja e mishit në frigorifer dhe kombinatin e mishit ishte 410 kv. Rrezikohet furnizimi i tregut me mish derri.
     Për këto probleme janë informuar organet përkatëse dhe po merren masa. Me aprovim të qeverisë prodhimi i perimeve të serës së Tiranës destinuar për eksport do të shitet në tregun e brendshëm, ndërsa vlera e eksportit do të plotësohet nga sektorët e tjerë.
6) Rezultatet në fushën e arsimit.
Frekuentimi në shkolla vazhdon të përmirësohet, janë pakësuar mungesat pa arsye. Në shkollat Qemal Stafa, Ismail Qemali, Pedagogjike, Kongresi i Përmetit, Lidhja e Prizrenit, Sabaudin Gabrani, 11 Janari, Alqi Kondi, Luigj Gurakuqi gjatë gjithë javës që kaloi s’pati asnjë mungesë pa arsye. Kurse në Universitet në datat 29-30.1.1973 dhe 3.5.1973 përqindja e mungesave ka qenë respektivisht 3,3%; 5,1%; 4,9%, pra më e madhe në raport me të dhënat e informacioneve të mëparshme. Kjo ka ndodhur për këto arsye: një pjesë e studentëve që s’kanë qenë në rregull në dorëzimin e detyrave, projekteve, në shlyerjen e seminareve, largohen nga ndonjë orë ushtrimesh e leksionesh, që të mund t’i shlyejnë e të futen në provime.
     Një pjesë tjetër që nuk plotësojnë limitin e caktuar për të marrë masa në bazë të rregullores e shfrytëzojnë këtë.
     Në shkolla kudo ndihet një mobilizim i madh për të përfunduar vitin shkollor me rezultate të mira. Janë marrë masa për të zëvendësuar mësuesit që mungojnë me forcat e vetë shkollës, po organizohen konsultime, bëhet verifikimi i mungesave çdo ditë, janë organizuar sisteme patronazhi për nxënësit e dobët etj. Në shkollën Misto Mame për të pasur rezultate të mira është organizuar studimi në mëngjes për të gjithë nxënësit nga ora 715-800. Për këtë u mobilizua i gjithë kolektivi mësues e nxënës, si rrjedhim përqindja e kalimit të kësaj shkolle është 90,2%.
     Me gjithë këto, disa shkolla akoma kanë rezultate të dobëta, p.sh. shkolla Hasan Vogli 60%, Qemal Stafa e Petro Nini Luarasi 65% etj.
     Në Universitet vazhdojnë provimet. Në Fakultetin Ekonomik nga 501 studentë kaluar 301 ose 60%. Rezultatet e viteve të katërta në Ndërtim janë më të mira, kaluan 85% me notë mesatare 7,4.
     Në degën e Drejtësisë hynë në provim 20 veta nga ata që kishin kryer stazhin, kaluan 19 me notë mesatare 6,7. U përjashtua nga provimi i formimit stazhieri i degës së Drejtësisë Maksim Shuli, mbasi gjatë kohës së stazhit, sipas të dhënave të qendrës së punës, ka manifestuar shfaqje të indiferentizmit, liberalizmit dhe indisiplinimit.
     Në Universitet, në luftën kundër shfaqjeve të huaja po punojnë më mirë organizatat e rinisë. Para 1 Majit kishte studentë me paraqitje jo të rregullt, të paqethur, si në Fakultetin e Inxhinierisë e të Mjekësisë etj. Ata nuk u lejuan të marrin pjesë në manifestim. Në Fakultetin Histori-Filologji një student rumun, në mënyrë demonstrative i mban flokët shumë të gjatë. Megjithëse i është tërhequr vëmendja shoqërisht nga shokët e tij, ai refuzon dhe thotë: “Tani mbaroi viti, në shtator kur të kthehem do t’i pres”.
     Një konviktoreje të shkollës së mesme ekonomike iu gjet një fletore e shkruar me dorë, me përmbajtje jo të mirë morale. Sipas shqyrtimit që iu bë, del se fletoren e sjellë në shkollë ish-nxënësja e tyre nga Elbasani, Lefteri Vaso, e cila tani është në punë në Elbasan. Kjo u pyet dhe e pranoi. Fletorja është lexuar nga maturantët. Për këtë në shkollë u bë mbledhje e veçantë me ta, dhe u kritikuan për mungesë vigjilence. Kurse në Shtëpinë e Fëmijëve, një djalë i saj 16 vjeç, ka çnderuar një vajzë 10 vjeçe. Për këtë u njoftuan organet kompetente dhe u vendos të bëhet gjyqi në drejtorinë e Shtëpisë së Fëmijëve.
     Janë bërë vërejtje për përmbajtje jo të shëndoshë ideologjike të romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”. Të tilla vërejtje janë bërë nga shokët Muntaz Shehut në Aparatin e Këshillit të Ministrave, Ferdi Karagjozi në Ministrinë e Jashtme, Keti Qamo në Institutin e Urbanistikës e Projektimit etj.
     Shefi i seksionit të kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës Riza Hajro, duke marrë njoftim për heqjen nga qarkullimi të librit të I. Hoxhës “Nga jeta në teatër, nga teatri në jetë”, e ngatërroi këtë me I. Kadarenë dhe dha urdhër që të hiqej nga qarkullimi “Dimri i vetmisë së madhe”. Kjo u kap shpejt brenda ditës dhe u anulua.
    
Sekretari i Byrosë së Partisë së Radio-Tiranës, shoku Hasan Pinci njofton se në datën 4.5.1973 e ka takuar Agim Shehu dhe i ka thënë:
1) Tekstin e konferencierëve e kam përgatitur prej 13 faqesh, por ky tekst u zhduk nga M. Luarasi e T. Lubonja.
2) Në një nga mbledhjet orientuese T. Lubonja kishte thënë: “Të bëjmë festival për rininë se na grinë këngët për nënat, baballarët e gjyshet”.
3) Për këngën “Në ekranin e televizionit” që ka për sinjal një fyell, Todi Lubonja tha: “Thuajini mo atyre shokëve veteranë, Shefqet Peçit me shokë, se kjo këngë ka dhe cyle, prandaj ta dëgjojnë”.
Grupet që vijnë nga Kosova, kërkojnë të bëjnë sa më shumë takime me njerëzit tanë. Në to ka dhe njerëz që nuk janë arsimtarë, por që vijnë për t’u takuar me të afërmit e tyre këtu; që kërkojnë të bëjnë vizita e të shkojnë për drekë e për darkë tek ata; që u sjellin peshqeshe deri televizorë etj. Peshqeshe iu kanë ofruar dhe shoqëruesve tanë, por këta gjithmonë i kanë kthyer.
7. Disa probleme të jetës së brendshme të organizatave-bazë të partisë dhe masave.

Si gjithmonë edhe në këtë periudhë organizatat-bazë të partisë janë në udhëheqje të gjërave. Kanë bërë mbledhje luftarake dhe kanë mbajtur qëndrim në të gjitha ato raste kur në komunistë e punonjës të veçantë janë manifestuar qëndrime e shfaqje të huaja. P.sh., kur në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” u shpreh mendimi nga disa punonjës se, në punën intelektuale nuk mund të rrish 8 orë pa lëvizur. Ose kur komunistja Kujtime Zalla e Uzinës Elektroteknike në bisedën që zhvilloi me dy punonjës pa parti, midis të tjerave shprehu se “mos fjala e shokut Enver për Tepelenën ka qenë e përkohshme”. Në të dyja këto raste organizatat-bazë u ndalën, i luftuan këto mendime dhe nxorën detyra për të ardhmen.

Qëndrimi deri në përjashtim është mbajtur ndaj shfaqjeve liberale dhe vagabondazhit. Kështu në organizatën e partisë të NTSHAU-t u përjashtua një komuniste shitëse që ka vjedhur, në organizatën e Sigurimit nr. 4 u kritikua komunisti Robo Rapi sepse djali i tij ishte larguar nga puna e shtëpia në drejtim të paditur dhe u kap në tren në Rrogozhinë pa biletë. Për këtë pati dhe propozim për masë partie por nuk u aprovua nga organizata sepse djali nuk kishte kryer ndonjë veprim të rrezikshëm.

Punë e mirë po bëhet dhe për gjallërimin e jetës së brendshme të organizatave të rinisë. Përgatiten mbledhje luftarake për probleme të rëndësishme dhe zhvillohen diskutime të shumta. Por megjithatë akoma në këtë drejtim ka dobësi që manifestohen në punën e përditshme. P.sh. kur Komiteti i Rinisë i Rajonit thirri, në datën 28.4.1973, aktivin e rinisë për të diskutuar problemet e jetës së brendshme, një pjesë e sekretarëve të organizatave munguan, veç kësaj në pushimin e parë, u larguan disa të tjerë. I ndodhur para këtij fakti aktivi i ndërpreu punimet dhe ngarkoi komitetin e rinisë të ndiqte këtë çështje. Çështja u shtrua në organizatat e rinisë, si rrjedhim u shkarkua nga detyra zëvendëssekretari i organizatës së rinisë në Institutin e Fizkulturës, iu dha vërejtje me paralajmërim sekretarit të komitetit të rinisë të Uzinës Enver dhe vërejtje shumë sekretarëve nga qendra pune e shkolla.

Si problem mbetet përsëri liberalizmi në udhëheqjen e organizatave të rinisë për zbatimin e detyrave të ngarkuara nga Komiteti i Rinisë.
 

                                                                                                  SEKRETARI I-rë I K. P. TIRANËS
                                                                                                           (Manush Myftiu)
                                                                                                               (vula, firma)
Tiranë, më 10.5.1973

kadare

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni