Sot, pas tre vjetësh nga përtej receptorit të telefonit dëgjova një zë të mekur. Mezi e hapi telefonin, e sapo dëgjoi emrin tim, nisi kujën. E ndonjëherë, ne gazetarëve na duhet të lëmë mënjanë dhimbjen për njerëzit e të vazhdojmë deri në fund, për të përcjellë atë çka shohim mes nesh, njerëzve.
Zamirë, çfarë prisje sot nga gjyqi?
Nuk prisja shumë. Nuk kam pse gënjej. Në 4 vjet i kam kuptuar gjërat si janë. Por, më oshëtijnë akoma në vesh ato vendime, që për mua ishin qesharake. Ndjeva turp dhe neveri, por s’kam ç’bëj, unë jam vetëm një nënë që ka humbur djalin. Për drejtësinë, kjo qenka gjë e vogël.
Kjo do të thotë, që marrëdhënia jote me drejtësinë u mbyll këtu?
Këtu në Shqipëri, unë dhe familjarët e tjerë nuk kemi ç’të bëjmë më shumë. Vetëm prokuroria po të dojë, mund ta ankimojë, sepse ne na i mbyllën dyert përfundimisht.
Nuk ka më asnjë shpresë për dosjen që keni çuar në Strasburg?
Aty jo. Aty kam shpresën e vetme dhe s’kam ndërmend të tërhiqem. Me të marrë vendimet e sotme, të shkruara të zezë mbi të bardhë, do t’ia bashkangjisim dosjes tonë në Strasburg. Sado të përpiqen, ata që na vranë nuk do arrijnë dot të blejnë gjyqtarët e huaj.
Cila ishte gjëja e parë që mendove sot?
Ç’ të të them? Mendova t’i jepja një fjalë të mirë djalit, aty ku është prej 4 vjetësh. Por, edhe këtë herë nuk ia dola dot. Edisonin, sot ma vranë për herë të dytë. Por, unë do vazhdoj të jetoj dhe luftoj për të.
A ka një vendim, mes 29 të tillëve, që sot të zhgënjeu më shumë?
Sot, u dha një vendim: Në Gërdec nuk u vra njeri. Dhe kaq për mua mjafton. 4 vjet nëmë gjithcka për ta zvarritur e për të lehtësuar lëkurën e tyre. Zoti, mendoftë për ta tani
MEDIAT E HUAJA
Gazeta amerikane “Washington Post” citon “Associated Press” që shkruan sot se “Gjykata në Shqipëri vendosi të hënën dënimin e 19 personave me burg për një seri shpërthimesh në depo municionesh që çuan në vdekjen e 26 shtetasve por familjarët e viktimave insistuan se ndëshkimi ishte shumë i lehtë dhe se zyrtarët e lartë të qeverisë shmangën drejtësinë”.
Gazeta amerikane i referohet Zamira Durdës, nënës së gjashtë vjeçarit i cili vdiq, ndërsa lunate me bicikletë me kushërinjtë e tij në afërsi të zonës ku ndodhi shpërthimi. Durda thotë “Washington Post” tentoi të bllokojë derën e gjykatës në shenjë proteste. “Ata më vranë djalin për herë të dytë”, thotë Durda.
Lajmi është pasqyruar edhe nga rrjeti informativ BBC. Ky rrjet i referohet gjithashtu familjarëve të viktimave të cilët konstatojnë se tanimë edhe pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor nuk kuptohet ende se kush ishin vrasësit e 26 viktimave të Gërdecit.
(aq/shqiptarja.com)
