Haraçi, në kuptimin e përditshëm, është një fjalë, jo vetëm shumë e njohur, por edhe shumë e përdorur, sidomos në kohën tonë. Pavarësisht prejardhjes dhe origjinës së largët, ajo me pak fjalë ka kuptimin e një detyrimi që i jepet apo i paguhet një shteti nga një shtet tjetër, kur nënshtrohet apo zaptohet prej tij.

Sot, kjo fjalë ka pësuar një metamorfozë të re dhe një kuptim që përngjan me fjalën taksë. Edhe kjo një fjalë jo shumë e dashur dhe mund të themi edhe pak e frikshme. Po t’i hedhim një sy kësaj teme nga ana historike, do të shikojmë mjaft çudira, të cilat në fund të fundit, thelbin e kanë te fitimi.

Në Romën e lashtë ekzistonte një taksë për skllevërit kur liroheshin nga ky detyrim; në Rusi, car Pjetri i Madh kishte vënë taksë për ata që kishin mjekër; në Amerikë dikur taksoheshin paratë e trafikut të drogës; në Angli paguhej taksë për mosmarrëveshjet me mbretin dhe deri në shekullin XIV, anglezët kanë paguar edhe taksën e të qenit gjallë dhe të të jetuarit në Angli.

Në gamën e këtyre shembujve nuk mund të lëmë pa përmendur edhe taksën për emigrantin. Kjo nuk ka qenë e pazakontë edhe në shekullin XX. Kanadaja ka pasur taksa për emigrantët kinezë qysh në vitin 1885 dhe i hoqi ato në vitin 1923.

Por le të shkëputemi nga këto fakte interesante dhe të çuditshme të së shkuarës dhe ta shikojmë problemin e emigracionit nga këndvështrimi ynë kombëtar dhe ai evropian të ditëve tona. A ka vend sot për një “haraç” ndaj emigrantit? Si mund të bëhet kjo dhe kush do ta paguaj atë? Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme le të ndalemi pak në këta 25 vjetët e fundit në vendin dhe në politikat tona, por edhe të BE-së, për këtë problem.

Jemi të paktën në Evropë, i vetmi vend që ka mbi 60% të fuqisë së aftë për punë jashtë vendit, pra në emigracion. Dhe pothuajse 85% e asaj fuqie jashtë vendit ndodhet në vendet e BE-së. Një nga “pasuritë” e çmuara të një vendi është padyshim edhe kapitali njerëzor.

Nuk po ndalem këtu në ekonomiksin e tregut të punës, në makroekonomi dhe mikroekonomi, në investimet në kapitalin njerëzor, në funksionimin e tregut të punës, në politikat e caktuara ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto i dinë mirë specialistët, ekonomistët, institucionet shkencore dhe aq më tepër administrata shtetërore.

Po ta shikojmë thjesht nga ana praktike, ky kapital njerëzor, ky emigracion i madh, përveç të mirave që i solli në përgjithësi gjithsecilit që e zgjodhi këtë rrugë, vendit i solli të kundërtën. Nuk dua të bëj bilancin e tyre apo të tregoj se sa shteti ka shpenzuar bie fjala për shkollimin e tyre apo për shumë aspekte të tjera.

Mirë bëri dhe ashtu duhet të bënte se në fund të fundit e kishte për detyrë. Por në një moment të caktuar, kur ky fenomen krijon vështirësi dhe kur më shumë se 1.400.000 e kapacitetit të tij njerëzor punon dhe jeton jashtë vendit, organet kompetente shtetërore dhe institucionet shkencore ekonomike duhet të shikojnë mundësinë (në bashkëpunim edhe me shtetet pritëse të emigrantëve) e krijimit të një legjislacioni që do t’i hapte rrugë një pakete përfitimi fiskal për vendin e origjinës. Emigrantët janë dëshmitarë dhe pjesëmarrës aktivë në shtetet ku ata jetojnë me taksat që paguajnë çdo vit. Madje, në disa vende, paguajnë edhe “haraçin” ose taksën e qëndrimit, ose më mirë të lejes së qëndrimit.

Dhe kjo në disa raste kap shifrën e 150 eurove! Mendoni për një moment nëse ky “haraç” ose pothuajse gjysmën e tij, nga të gjitha vendet pritëse t’i kthehej vendit të origjinës së emigrantit. Sa do të ishte fitimi? Do të ishte pothuajse 100 milionë euro, pra diçka më shumë se ndihma e BE-së që i akordohet vendit tonë për çdo vit. Mendoj se ka ardhur koha që emigranti, jo vetëm nuk duhet të paguajë, por shteti pritës duhet t’i paguajë diçka vendit të origjinës së emigrantit.

Nuk po ndalem përsëri nga ana teorike dhe ekonomike për të treguar përfitimin që kanë vendet pritëse nga emigrimi, por mendoj se ka ardhur koha për ta kërkuar në arenën dhe në organizatat ndërkombëtare me baza ligjore këtë fenomen mjaft të rëndësishëm, sidomos për ne. Kohët e fundit po bëhen përpjekje për njohjen dhe përfitimin e sigurimeve shoqërore me disa vende evropiane për emigrantët shqiptarë. Ky është një hap i drejtë. Problemet e emigrantit dhe të sigurimeve shoqërore të tyre janë të shumta dhe të shumëllojshme.

Madje, në disa raste dhe shumë të vështira për t’u realizuar. Shumë prej tyre kanë punuar në të “zezë”, apo nuk plotësojnë kushtet minimale për pension. Zgjidhjen e fenomeneve të tilla nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit. Mendoj se duhet filluar puna, jo vetëm me 3 apo 4 shtete, por me çdo vend ku punojnë emigrantët. Le ta shikojmë atë si një investim që i bëhet vendit dhe ekonomisë së tij.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka pasur dhe ka politika të paqarta për emigracionin. Jankeri, Presidenti i KE-së, ka paralajmëruar për një kthesë të interesave të ekonomisë evropiane lidhur me politikat e emigracionit, por nuk i ka bërë të qarta pikësynimet se si mund të ndihmojnë vendet e origjinës. Evropianët me të drejtë e shikojnë këtë fenomen si një përfitim në zhvillimin e tyre ekomomik, por ka ardhur koha për të parë edhe “dëmet” që u bëhen vendeve të origjinës së emigrantit.

Dhe këtë më shumë se në çdo vend tjetër duhet ta kërkojmë në Evropë. Taksën e emigrantit, nga vendet pritëse për vendet e origjinës, mendoj se Evropa duhet dhe ka mundësi që ta bëjë.

Një taksë simbolike dhe po ta trajtojmë teorikisht prej 150 euro, ku në të të investojë apo të kontribuojë shteti pritës, Bashkimi Evropian dhe me pak vështirësi pse jo edhe emigranti, do të ishte një përfitim i madh për vendin e origjinës: të paktën 200 milionë euro në vit në buxhetin e shtetit. Dhe kjo mund të aplikohet deri sa ne të bëhemi anëtarë të BE-së. Shifra që mund të përfitojë buxheti i shtetit, mbi 1,5 miliardë euro, është një katalizatore që mund të ndryshojë gjendjen e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve të çdo shtetasi që jeton brenda dhe jashtë vendit.

Në fund të viti 2014 përfundoi programi i Stokholmit për emigracionin, i cili zgjati 15 vjet, i ndarë në tri faza (1999 -2 004 Temper, 2004-2009 Xagë, 2009- 2014 Stokholm). Pak kohë më parë samiti i Këshillit Evropian përcaktoi strategjinë e politikave të emigracionit 2014-2020. E rëndësishme është, që Evropa të lërë mbrapa praktikat dhe mendësitë e deritanishme, se emigracioni është një “kërcënim”. Ajo duhet të caktojë prioritete, sidomos në drejtim të legjislacionit, për ta kthyer atë në një sfidë të madhe ekonomike për të gjithë. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për organet tona, sidomos për Ministrinë e Punës dhe atë të Punëve të Jashtme.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)