TIRANE- Faktet nuk janë zhdukur. Vendime pushkatimesh, tortura, përdhunime, persekutime, hetues që kanë fëmijë me viktimat e persekutuara, korrupsioni me lekët e dhëna nën dorë për t’u çuar ushqime në qeli të afërmve, gjithçka ka kaluar në skanerin e diktaturës dhe në syrin e Sigurimit të Shtetit. Ka mbetur e skeduar pavarësisht censurës dhe autocensurës. Kështu pohon Nevila Nika, ish-drejtore e Arkivit Qendror të Shtetit pas një debati të madh që u hap këto ditë për dekorimin nga Ministria e Mbrojtjes të persekutuesit të klerikut At Zef Pllumbi të dënuar nga diktatura. Nevila Nika, e cila ka një jetë të lidhur me arkivat, si specialiste e tyre që nga vitet ’80 rrëfen dëshmitë e historive që fshihen brenda arkivave si: Çfarë ndodhte në hetuesitë e diktaturës pasi Enver Hoxha shkatërroi Ministrinë e Drejtësisë dhe trupën fizike të Jurisprudencës. Si u shkelën ligjet e luftës për veteranët, etj.    
 
Zonja Nika, duke punuar edhe vetë ju në arkiva, keni pasur një përvojë të atillë që historia jonë është histori mbulimesh e  zbulimesh; herë zbulohen krime pa precendentë, e herë mbulohen gjëra që s’duhen mbuluar. Pse ndodh kështu?
Përvoja e gjatë e punës në arkivë, natyrisht të jep një dorë për të gjykuar më në qetësi të gjitha problemet që ndoshta njerëzit e thjeshtë i quajnë të çuditshme, të habitshme, të panjohura, të pabesueshme apo si një zbulim i madh. Problemi është që nuk bëhet fjalë për mbulim.