“Identitet” Shqipëria nuk e prek
dot finalen e Eurosong-ut

“Identitet” Shqipëria nuk e prek <br />dot finalen e Eurosong-ut
TIRANE - Bledar Sejko dhe Adrian Lulgjuraj nuk ia dolën mbanë ta çojnë Shqipërinë në finalet e madhe të Eurovizionit 2013, por megjithëkëtë performanca e tyre ishte mbreslënëse.

Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha sidomos nga ekipi i RTSH-së, kënga shqiptare nuk i mori votat që i nevojiteshin për tu klasifikuar ndër dhjetë vendet që kaluan në finale nga nata e mbrëmshme e Eurosongut.

Fjala e fundit dhe analiza e këtij vlerësimi i takon kritikës, ndërkohë në rrjetet sociale është vlerësuar së tepërmi performanca në skenë.

SPEKTAKËL NË MALMOS

Shqipëria u prezantua e 14-ta në natën e dytë gjysmëfinale të Eurovizionit me këngën “Identitet” në skenën e Malmos në Suedi.

Mes dritave të forta portokalli dhe shpërthimeve të fishekzjarreve Lulgjuraj dhe Sejko u shfaqën triumfalisht në skenë, ndërsa ritmet e forta etnorrok e kanë elektrizuar sallën e madhe ku mijëra spektatorë ndoqën live natën e dytë gjysëmfinale.

Moment kulmor ishte interpretimi virtuoz në kitarë i Bledar Sejkos, një shpërthim i vërtetë në skenë, që për shumkënd ka sjellë në kujtesë Sejkon e fillimviteve ’90 dhe performancat e tij të pazakonta në kitarë.

Ndërsa Adrian Lulgjuraj interpretoi denjësisht dhe shfaqi vlerat më të mira të vokalit të tij. Po ashtu vëmendje tërhoqën edhe elementët e tjerë të persormancës së përgatitur për skenën e Eurosongut.

Këngëtarët u shoqëruan në skenë nga një baterist, një perkusionist, një tastierë dhe një kitarë bas, elementë që ia shtuan forcën interpretimit. Po ashtu mjaft organike në këtë performancë ishte edhe veshja e artistëve e stiluar nga Joni Peçi.

Ndërsa mesazhet e këngës, sjellë në gjuhën shqipe në skenën e Malmos në Suedi kanë emocionuar më së shumti shqiptarët në çdo kënd të botës,duke ju kujtuar historinë, dramat, përpjekjet, traditat dhe vlerat, humbjet e mëdha, vonësat dhe ambicjet...gjithçka që plotëson mozaikun e identitetit shqiptar dhe rrugëtimin e tij.

“Kënga jonë është për identitetin shqiptar. Një mesazh të cilin ne po përpiqemi ta ndajmë përmes tekstit, i cili flet për shpresën që një ditë edhe vendi ynë t’i bashkohet identitetit europian”, u shpreh Adrian Lulgjuraj para kësaj performance.

Shqipëria konkuroi në natën e dytë gjysmëfinale mes vendeve si San Marino, Maqedonia, Azerbajxhani, Finlanda, Malta, Bullgaria, Islanda, Greqia, Izraeli, Armenia, Hungaria, Norvegjia, Gjeorgjia Zvicra dhe Rumania. Performancë e veçantë ishte ajo e Azerbajxhanit, Maqedonisë, Izraelit, Finlandës dhe Rumanisë.

EDA SEJKO: JA Ç’DO TË THOTË IDENTITET

Eda Sejko, tekstshkruesja e këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurovizion, ka shpjeguar me një shënim mjaft domethënës mesazhet e këngës “Identitet”, një histori sa personale (mes saj dhe Bledar Sejkos) aq edhe gjithëpërfshirëse.

Ndër të tjera në këtë shënim postuar në profilin e saj në facebook, pak ditë para prezantimit në Eurosong, Eda Sejko shkruan: “Identitet i imi, ai i një vajze me origjinë korçare, lindur e rritur në Tiranë e cila flet më lehtësisht kur shkruan…

Identitet i yti, ai i një djali çam lindur e rritur në Tiranë i cili flet aq mrekullisht, fantastikisht bukur nëpërmjet muzikës … Identitet i yni, ai i nje historie dashurie të veçantë… Identiteti i një çifti të ri të cilët ashtu si shumë të tjerë në Maj të 1999 u larguan drejt Italisë për një jetë më të mirë…

Identitet Pellazg, Identitet Ilir, Identitet Arbëresh… Identitet i historisë mijëra vjeçare të shqiptarëve, histori copëtimesh, dëbimesh masive, histori ç`njerëzore… Historia e prindërve të tu dhe e shumë camëve të tjerë të larguar me dhunë nga shtëpitë e tyre…

2008 histori trimash, histori fitoresh, më në fund liria endrra e realizuar e shqiptarëve të Kosovës…Identitet shqiptar i ndrydhur për një kohë të gjatë, flas për kohën kur sistemi socialist burgosi, vrau , betonizoi lagjet, kufijtë, shpirtin, fjalën gjithçka…

Sistem i cili mori jetë njerëzish…Identitet shqiptar në demokraci… Transformim i dhimbshëm, për të cilin duhet kohë pasi qëndruam për shumë gjatë të izoluar nga vendet e tjera…

Identitet shqiptar i 2013 kohë kur nëpër Botë po shkrihen kufijtë, kohë kur vendi ynë i vogël dëshiron dhe i takon të jetë pjesë e Europës duke marre një Identitet të ri por duke mos harruar historinë e duke ruajtur gjuhën tone, duke ua mësuar atë fëmijëve tanë ...”.


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi