“Independent”: BE, hetim
qeveritarëve për trafikim organesh

“Independent”: BE, hetim <br />qeveritarëve për trafikim organesh
LONDËR - Prokurorët e BE-së do të hetojnë figura kyçe të qeverisë së Kosovës për përfshirjen e mundshme të tyre në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të organeve, që joshi donatorët e varfër, duke iu marrë atyre veshkat dhe duke ua shitur pastaj ato përfituesve të pasur për shuma të majme - citon gazeta britanike “Independent” të cilësi referohet “Bota Sot” në Kosovë - burime të afërta me rastin.

Shaip Muja, një anëtar i parlamentit dhe ish-këshilltar për shëndetësinë i kryeministrit aktual, Hashim Thaçi, pritet të jetë një nga tetë të akuzuarit në raundin e dytë të hetimeve për aktivitetet e klinikës “Medicus” në Prishtinë, ku siç shkruan gazeta, në vitin 2008 janë kryer të paktën 24 transplante të paligjshme.

Pesë persona janë cilësuar fajtorë në javën e kaluar për trafikimin e qenieve njerëzore dhe transplantet e paligjshme të organeve në fazën e parë të gjykimit, duke përfshirë urologun Lutfi Dervishi, drejtor i klinikës dhe djalin e tij, Arbanin, të cilët u dënuan me tetë dhe shtatë vjet respektivisht. “Ky mendohet të jetë rasti i parë në botë, ku mjekët gjenden bashkëfajtorë për trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar”, shkruan britanikja.

Misioni për sundimin e ligjit i BE-së, EULEX, thotë se ende nuk mund të konfirmojë identitetin e atyre, që po i heton në fazën e dytë. Por, në aktakuzën e ndryshuar ka përfundimi i gjykimit të parë, thuhej se mjekët e Medicusit kanë “mbajtur konsultime të vazhdueshme dhe kanë pasur takime me zyrtarë të lartë në qeverinë e Kosovës”, duke përfshirë zotin Muja dhe ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Alush Gashin.

Jonathan Ratel, prokurori kryesor i rastit, i tha revistës “Independent” se “hetimi i ri është nxjerrë direkt nga dëshmitë e dhëna në gjykimin e parë, duke përfshirë edhe dëshmitarët, të identifikuar në aktakuzën e ndryshuar.”

Zoti Muja dëshmoi gjatë gjykimit se ai i kishte takuar mjekët, të cilët kishin aplikuar për një licencë për të kryer transplante. Ai mohoi se ka pasur njohuri për rrjetin e trafikimit.

Interpoli është duke kërkuar ende kirurgun turk Jusuf Sonmez, i quajtur nga mediat turke si “Dr Frankenstein”, për të cilin thuhet se ka kryer shumicën e operacioneve në klinikën Medicus. Zoti Ratel beson se ai po i vazhdon operacionet e tij në Afrikën e Jugut, pasi ka ikur nga arresti shtëpiak në Stamboll.

Zgjerimi i hetimeve, ku do të përfshiheshin figura qeveritare të afërta me zotin Thaçi, sipas gazetës e ka vënë BE-në në një pozitë të vështirë. Burime të afërta me hetimin thonë se ka pasur një hezitim në mes të zyrtarëve të lartë në Bruksel për ta çuar përpara procesin gjyqësor të trafikimit të organeve, për shkak se kjo do ta shqetësonte procesin e brishtë të tranzicionit në Kosovë.

Ata pretendojnë se ka qenë përcaktimi individual i prokurorëve, ai që e ka mbajtur gjallë procesin.

“Ka një perceptim se EULEX-i nuk dëshiron ta godasë barkën me gurë, duke ngritur shumë aktakuza të nivelit të lartë. Stabiliteti është prioriteti numër një për komunitetin ndërkombëtar”, citon Independent, një diplomat perëndimor që ka folur në kushte anonimiteti.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Dy javë më parë, Serbia ra dakord ta njohë sovranitetin e Kosovës për herë të parë, por zbatimi i marrëveshjes është plot me vështirësi për shkak të kundërshtimeve të minoritetit serb brenda Kosovës, shkruan Independent.

Në muajin janar, zëvendësshefi në largim i EULEX-it, Andy Sparkes, ka pranuar se presioni politik po e pengon progresin në rastet e korrupsionit.

“Ka raste kur (stabiliteti)nuk përkon me kërkesat e sundimit të ligjit”, ka thënë ai për BIRN-in.

Ndërkohë, janë rritur dyshimet mbi pretendimet e raportit të vitit 2010 të Këshillit të Evropës, se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe zotin Thaçi, i cili ishte komandant i lartë në atë kohë, kane qenë të angazhuar në trafikim organesh gjatë luftës së viteve 1998-1999 me Serbinë.

Raporti është kritikuar gjerësisht për mungesën e provave dhe autori i saj, prokurori Dick Marty, ka refuzuar të paraqitet në procesin gjyqësor të Medicusit.

“Pas pesë vjetësh të ndjekjes së këtij rasti, nuk kam gjetur prova që e lidhin atë me akuzat për trafikim organesh gjatë kohës së luftës,”citon Independent, prokurorin Jonathan Ratel.

(ma/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi