“Këngët e zogjve të egër”
i Kariç vjen në gjuhën shqipe

“Këngët e zogjve të egër”<br />i Kariç vjen në gjuhën shqipe
TIRANE- Romani “Këngët e zogjve të egër”, i shkrimtarit boshnjak Enes Karić, i baravlershëm me majat e letërsisë europiane, vjen edhe në shqip. Vepra është përkthyer nga origjinali boshnjakisht prej Ben Andonit i botuar nga “Botimet Poeteka”. Shkrimtari bashkëkohor boshnjak, Enes Karić, është një nga emrat më të njohur në hapësirën letrare të Ballkanit. Më në fund ai i shtohet gjerdanit të botimeve në Shqipëri me prozë bashkëkohore nga Ballkani.

Në këtë gjerdan renditen emrat më të rëndësishëm letrarë si Tomaž Šalamun, Alek Popov, Renato Baretić, Georgi Gospodinov, Edo Popović, Nikola Madzirov, Vladimir Arsenijević, Ognjen Spahić, Titos Patrikios, Jevrem Brković, etj. Romani i vendos ngjarjet në Sarajevën dhe
Bosnjën e fundit të shekullit të XVI. Në Europë, Rilindja dhe idetë e saj kanë ndriçuar, por edhe kanë tronditur jetën e banorëve dhe të institucioneve të kontinentit. Perandoria osmane, që ndërkaq ka mbërritur si zgjatim thuajse deri në zemër të Ballkanit, provoi humbjen e parë nga ushtritë e bashkuara të forcave
europiane.

Ka gjashtë gjëra në jetë: Lufta dhe vdekja, dashuria dhe loja, puna dhe besimi. Lufta dhe vdekja janë këtu, të paftuara dhe së bashku, ashtu si i sëmuri me sëmundjen, ashtu si i vdekuri dhe varri, ashtu si lebrozi dhe lebra. Me dashurinë dhe lojën harrojmë luftën dhe vdekjen. Me dashurinë zgjohet entuziazmi, porse me lojë shpërqendrimi, e të dyja zgjasin fare pak, krejt sa ndërrimi i ditës me natën. Lavdo jetën, pasi është më e bukur nga vdekja! Lavdo vdekjen, pasi është më e ëmbël se Ferri. Le t’ua japim dashurinë pra, atyre që e kanë më të nevojshme.

Kjo panoramë, me sfond politik, kulturor, me pranim dhe përplasje mes dy qytetërimeve, që përplas fort mes tyre edhe njerëzit, e ku linja dashurie vetëtijnë, rrëfehet përmes një fëmije që rritet dhe 
vëzhgon se si përballë syve tij gjithçka ndryshon me vrull. Pasi ka studiuar dhjetë vjet në medresetë e Stambollit dhe pesë të tjera në Firence, duke mësuar shkencën e astronomisë, ai kthehet në Sarajevë. Çfarë identiteti ka ky njeri i ushqyer prej dy burimeve të dijes?

A ndihet i huaj, i tëjuajësuar përballë njërës prej kulturave? Si e perceptojnë atë pas kthimit nga Perëndimi njerëzit e tij? Ku fshihet dhe ky rri esencialisht dallimi mes dy dashurive: dashurisë për njeriun dhe dashurisë së pafundme për Zotin? A do të mundej ky njeri të hidhte tulla dhe gurë ndaj kundërshtarëve? A do të jetë më i aftë ky njeri të bjerë sërish në dashuri me kulturën, vendlindjen, njerëzit e tij?

Mos i lër hamzevitë të prishin rininë, mos lër kizilbashët të lartësojnë shumë vdekjen e njerëzve të nderuar, mos i lejo hubimesihitët të ndajnë kufirin mes fesë tonë dhe asaj të të krishterëve, qëndro kundër berligitëve, pasi ata po i hutojnë njerëzit me lloj-lloj broçkullash për fenë e vërtetë.... Këta zëra, këtë urdhër dëgjon personazhi që vë në lëvizje këtë histori ku gjithçka: idetë e reja, simbolet e Botës së Re, zbulimet, besimi, dashuritë, krijimtaria artistike, 
jeta e përditshme dhe e ardhmja, rrjedh nën këtë hark të jashtëzakonshëm kohor dhe ecën mbi dhe përmes urave, që ngritën këto qytete-simbole.
 

Dy fjalë për shkrimtarin
 
Enes Karić është një nga emrat më të njohur të Ballkanit, dijetar i diplomuar në Universitetin e Sarajevës për Shkencat Politike dhe në disiplinat e Studimit të Islamit. Specializimet e tij janë kryer në Beograd, në universitetet e Al-Azhar (Egjipt), Kajros, Yale (SHBA) dhe Oksfordit (Britania e Madhe).

Është bashkëpunëtor pranë UNESCO-s dhe dekan i Fakultetit të Studimeve të Islamit në Sarajevë. Enes Karić ka qenë profesor i jashtëm në Universitetin e Ljubljanës dhe në Universitetin “Ludëig Maximilian“. Kryeministri Haris Silajdžić e kishte në kabinetin e tij (1994-1996), ku Enes Karić kontribuoi si ministër i Arsimit,Shkencës, Kulturës dhe Sportit. Përveç romanit “Këngët e zogjve të egër” Karić ka botuar me sukses veprat “Tulipani i zi“ (përshkrime udhëtimi-2008); “Varreza hebreje”- roman, etj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf