TIRANE - Operacioni i skuadrës së krimeve të rënda në kryeqytet ka vënë në pranga Ilirjan Jangullin. 33-vjeçari nga Bulqiza prej 2 vitesh ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi akuzohet për vrasje dhe vjedhje kromi në minierën e Bulqizës.

Jangulli u prangos në qendër të kryeqytetit, ndërsa operacioni u realizua nga strukturat për Krimet e Rënda dhe Sektori i Forcës Operacionale Speciale të Policisë së Tiranës.

“Ilirjan Jangulli akuzohet se më datë 05 Janar të 2011, në qëndër të qytetit të Bulqizës, gjatë një konflikti për motive të çastit ka qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Femi Kërcuni. Po ashtu ka tentuar të vrasë shtetasin Shpëtim Reka dhe Eleonard Ndreu duke i plagosur rënda këta të fundit.
Ndërkohë që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër me vendim të datës 08 Janar 2011, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë "Arrest ne burg", për veprën penale "Vrasjes në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim", "Armëmbajtje pa leje", si dhe "Shkatërrim prone në bashkëpunim", parashikuar nga nenet 79-25, 278/2, 150 të Kodit Penal.

Po kështu ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka lëshuar vendimin "arrest ne burg", më datën 03 Prill të vitit 2010, duke e akuzuar për veprën penale të "vjedhjes me armë e kryer në bashkëpunim", parashikuar nga neni 140/2 i Kodit Penal.

33-vjeçari Ilirjan Jangulli më datë 29 mars të vitit 2010 në bashkëpunim, dyshohet se kanë vjedhur nën kërcënimin e armës në ambjentet e minerës së qytetit të Bulqizës një sasi të konsiderueshme kromi, prej 700 tonë në pronësi të Kompanisë "Albania Krom"”, deklaroi Alma Katragjini, zëdhënësja e policisë së Tiranës.

Struktura për krimet e rënda po vijon hetimet edhe për ngjarje të tjera të rënda, të dyshuar prej tij.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)