“E kam deklaruar mjaft hapur se është një ndërhyrje e politikës në një prej pushteteve si drejtësia, e gjyqësori. Ajo që me shqetëson ka të bëjë me faktin se ky akt është një ndërhyrje e hapur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për të kapur KLD-në. Në tërësi sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reformë të thellë. Kjo nuk ka asnjë dyshim e ndaj unë kam marrë për të thirrur një tryezë për drejtësinë. Është një çështje që duhet një angazhim serioz dhe i thellë. Por për këtë reformë duhet të referohemi nga praktikat evropiane. Kjo reformë do ti shërbejë sundimit të ligjit, dhe jo vënien nën kontroll të politikës”, tha Nishani.
Duke u ndalur tek çështja e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Presidenti Nishani u shpreh se mund të aplikojnë të gjithë ata që plotësojnë kriteret.
“E ka zgjidhur kushtetuta, ligji. Kushtetuta e ka thënë mjaftë qartë. Secili prej nesh duhet të ndjekë kushtetutën. Ligji thotë se guvernatori është pjesë e Këshillit Mbikëqyrës sa zgjidhet. Thirrja është për këdo që plotëson kriteret. Të gjithë duhet të respektojnë ligjin për këtë”, u shpreh Presidenti Nishani.
Sa i takon vendimit të Apelit për të lënë në “arrest shtëpie” Ardian Fullanin, dhe në “arrest me burg” Elivar Golemit, Kreu i Shtetit tha se nuk komenton vendimet e gjykatave, ndërsa shtoi se kjo zbardhja e kësaj ngjarje është me rëndësi.
“Unë nuk do të komentoj vendimet e gjykatave e drejtësisë. Por në tërësi pres të shikoj një hetim të plotë nga prokuroria dhe pastaj nga sistemi gjyqësor. Të presim se si ka ndodhur vjedhja në Bankë, apo dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë vjedhje. Kjo çështje kërkon transparencë, është një çështje me rëndësi. Është me rëndësi zbardhja e kësaj çështjeje”, tha Nishani.
Lidhur me akuzat ndaj tij, për qëndrim krah opozitës, presidenti Nishani tha se nuk janë të vërteta.
“Janë akuza naive. Nuk ka asnjë rast të vetëm se Presidenti është sjellë në mënyrë politike, apo ka penguar punën dhe reformat e qeverisë. Demokracia shqiptare nuk ka nevoje që presidenti të jetë një noter i qeverisë”, tha Nishani.
I pyetur lidhur me mbajtjen e simboleve të Enver Hoxhës në aktivitetet përkujtimore të LANC, presidenti Nishani tha se është një provokim që i bëhet shoqërisë dhe demokracisë.
“Unë do ta gjykoja si një provokim që i bëhet jo vetëm shoqërisë, demokracisë e të shkuarës. Risjellja në vëmendje e figurave të diktaturës kërkon një reagim të shoqërisë shqiptare. Duhen dënuar krimet e komunizmit”, u shpreh Presidenti Nishani.
Duke u ndalur tek fjala e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, presidenti Nishani tha se Shqipëria i është bashkuar koalicionit kundër ISIS, nisur nga fakti se liria dhe demokracia janë të rrezikuar. Sipas Kreut të Shtetit “ofrimi që bëri Shqipëria është një tregues se vendi jonë është pranë SHBA”.
Intervista e plotë
Zoti President, përshëndetje!
Përshëndetje zonja Kostreci! Dëshiroj në radhë të parë që të falënderoj të gjithë gazetarët e ‘Zërit të Amerikës’, drejtuesit, punonjësit, por veçanërisht ata të ‘Seksionit Shqip’. Përshëndetje!
Ju falënderojmë edhe ne që na dhatë mundësinë për këtë intervistë! Zoti President, mes të tjerash dje në fjalimin tuaj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ju përmendët pjesëmarrjen e Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar grupin e Shtetit Islamik. Përveç dërgimit të armëve për forcat irakiane, cili ka qenë kontributi i Shqipërisë dhe çfarë kontributi tjetër pritet më tej?
Së pari, Shqipëria i është bashkuar menjëherë thirrjes për këtë koalicion pasi jemi të bindur që liria, siguria dhe demokracia janë seriozisht të rrezikuara jo vetëm në Siri dhe në Irak, por tashmë në të gjithë botën. Ofrimi i gatishmërisë nga ana e qeverisë shqiptare që në çastet e para është tregues i sjelljes së vijueshme të Shqipërisë për të qenë gjithmonë në krah të aleancave të tilla, veçanërisht në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në krah të botës demokratike dhe do të mbetet e tillë jo vetëm në dërgimin e ndihmave ushtarake me armatime që tashmë janë realizuar, por në çdo nevojë që do t’i adresohet qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë si vend.
Zoti Nishani, le të kalojmë në disa çështje të ditës në Shqipëri. Së fundmi ju keni hapur një konkurs për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë. Ligji për Bankën e Shqipërisë thotë se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë dhe Guvernatori është kryetar i Këshillit Mbikëqyrës. Me procedurat që ju keni filluar, si mund të zgjidhet një Guvernator duke mos qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës?
E ka zgjidhur qartësisht Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E ka zgjidhur qartësisht ligji dhe natyrisht Guvernatori që zgjidhet është ‘ex officio’ anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.
E qartë dhe është e vërtetë që Kushtetuta thotë që Guvernatori është pjesëtar i këtij Këshilli, por ligji përcakton se pesë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës caktohen nga Parlamenti, tre nga qeveria dhe një nga vetë Këshilli dhe që Guvernatori duhet të jetë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Duket kështu se roli juaj për të propozuar Guvernatorin fillon ose ka lidhje vetëm me anëtarët e këtij Këshilli pasi ata janë përcaktuar?
Nëse do të ishte kështu Kushtetuta do ta kishte thënë qartësisht këtë gjë, por Kushtetuta e ka thënë mjaft qartë dhe secili prej nesh duhet të ndjekë dhe të respektojë Kushtetutën ashtu siç është e përcaktuar ajo, edhe ligjin përkatës natyrisht. Kështu që ligji thotë se Guvernatori është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe menjëherë sapo ai të zgjidhet, bëhet anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.
Pra, më falni po këmbëngul edhe pak, në thirrjen tuaj ku u keni bërë thirrje shqiptarëve brenda kufijve dhe jashtë që të aplikojnë, krijohet përshtypja se kjo thirrje është për këdo nga qytetarët e Shqipërisë, ndërkohë që numri kufizohet pikërisht nga ligji që ju përmendni?
Natyrisht për këdo që plotëson kriteret ligjore. Ajo është mjaft e qartë. Kushtetuta përcakton mënyrën e zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe ligji përcakton kriteret për çdo shtetas shqiptar, i cili mund të zgjidhet në këtë pozicion. Kështu që gjithçka është e qartë. Është e përcaktuar në ligj dhe të gjitha institucionet duhet vetëm të respektojnë ligjin dhe natyrisht të ndjekin përcaktimet ligjore dhe kushtetuese. Dhe besojmë se shkojmë drejt realizimit të objektivit, të detyrave dhe përgjegjësive tona.
Zoti President, një nga problemet e mëdha në Shqipëri është drejtësia, siç është edhe konsensusi i të gjithë faktorëve në vend. Dje u miratua ngritja e një komisioni hetimor bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin e Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të një anëtari të tij. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Unë e kam deklaruar mjaft hapur dhe publikisht edhe herën e kaluar, dhe ju falënderoj që më jepni edhe njëherë mundësinë që ta denoncoj këtë akt si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të politikës në një prej pushteteve më të rëndësishme të një demokracie siç është drejtësia, dhe veçanërisht tek gjyqësori. Nuk ka asnjë shkak, asnjë parashikim për të ndërmarrë një hap të tillë. Unë nuk do të merrja kohën e çmuar të kësaj interviste për të renditur një angazhim dhe kontribut të rëndësishëm gjatë dy viteve të fundit nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ajo që më shqetëson dhe të cilën ia adresoj opinionit publik, por edhe të gjithë partnerëve të Shqipërisë ka të bëjë me faktin që ky akt është një ndërhyrje e hapur, në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit, për të pasur një kontroll dhe ndikim politik mbi sistemin e drejtësisë dhe kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë.
Zoti President, besoj se ju e keni fjalën edhe për ankesën që ju vetë keni bërë në Gjykatën Kushtetuese që pritet të thotë fjalën e vet. Ndërkohë debatet për KLD-në kanë vazhduar. Sot Ministri i Drejtësisë e ka akuzuar KLD-në për shkelje ligji dhe në shtyp gjithashtu është botuar edhe përmbajtja e procesverbalit të mbledhjes së fundit ku dalin në pah debatet e shumta. Ju e pranoni që kjo është problematike. Cili është mendimi juaj? Si mund të reformohet ky organ?
Jo vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por në tërësi sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë për një reformë të thellë, të qenësishme, transparente dhe natyrisht me efiçencë në afate të gjata. Nuk ka asnjë dyshim për këtë dhe është pikërisht kjo arsyeja përse unë kam marrë një nismë së fundmi për të organizuar një tryezë mbi hartimin dhe orientimin e reformës në sistemin e drejtësisë më datën 6 tetor ku është ftuar qeveria shqiptare, aktorët ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mjaft grupe të tjera interesi, pasi me të vërtetë është një çështje për të cilën duhet një angazhim i madh, serioz dhe i thellë. Por kjo do të thotë që të gjithë aktorët, të cilët janë të interesuar për një reformë reale në sistemin e drejtësisë, duhet mbi të gjitha t’u referohen praktikave më të mira evropiane të kësaj reforme. Shqipëria besoj se e ka këtë mundësi për të marrë këtë përvojë, për t’i marrë këta shembuj dhe njëkohësisht për të realizuar një reformë në sistemin e drejtësisë, që do t’i shërbejë shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, shërbimit ndaj qytetarëve dhe jo vënies nën kontroll nga ana e politikës, cilado qoftë qeveria e radhës në fuqi, të këtij sistemi kaq të rëndësishëm dhe vital për demokracinë e çdo shteti.
Zoti President, që këto praktika që ju përmendni të jenë të suksesshme, duhet të jetë edhe konteksti i duhur. Dhe në fakt, degët e qeverisjes kanë një mosbesim ndaj njëra-tjetrës dhe ekziston edhe mungesa e vullnetit të mirë mes dy palëve kryesore politike në këto ngërçe të krijuara. Sa penguese është kjo për reformat e nevojshme për vendin?
Padyshim që mungesa e besimit dhe e respektit reciprok pengon realizimin e reformave, të cilat do të kenë një impakt dhe qëndrueshmëri afatgjatë në kohë. Kjo ka qenë edhe arsyeja pikërisht përse unë ndërmora nismën për të organizuar një tryezë të tillë debati për njërën nga reformat më të rëndësishme siç është ajo e drejtësisë, ku është ftuar qeveria, është ftuar opozita dhe aktorë të shoqërisë civile. Pra, ne e kemi mjaft të domosdoshme që të ofrojmë modelin dhe kulturën politike të rritjes së besimit, të respektit reciprok, të lejimit të hapësirës së gjithsecilit në mënyrë të tillë që të realizojmë rezultate që na vijnë nga reforma, që t’i rezistojnë kohës në mënyrë afatgjatë dhe më së shumti të shkojnë në shërbim të jetës së përditshme të qytetarëve, natyrisht seriozitetit dhe konsolidimit të funksionimit të institucioneve të një shteti demokratik.
Zoti President, rastet janë të shumta për të pasqyruar mangësitë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, por po përmend një tillë, i cili mund të mos jetë më i rëndi, por që ngre disa pikëpyetje të rëndësishme edhe për shoqërinë. Fakti që ish-guvernatori Fullani u vendos në arrest shtëpie, ndërsa ish-inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi mbeti në burg. Një vendim i tillë u komentua nën dritën e favorizimit të një personi më të fuqishëm, por edhe me disa nuanca gjinore, pra, për faktin se zonja Golemi është grua. Çfarë logjike ka pasur ky vendim sipas mendimit tuaj?
Unë nuk do të dëshiroja dhe nuk do të komentoj vendimet e gjykatës, të drejtësisë, përndryshe do të dilja nga konteksti kushtetues i Institucionit të Presidentit të Republikës. Por çështja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ende ka shumë pikëpyetje në tërësinë e saj. Ajo që unë pres të shoh së pari nga ana e një hetimi të plotë nga Prokuroria, dhe më pas nga sistemi gjyqësor, të shikojmë se si ka ndodhur në të vërtetë mekanizmi i vjedhjes së parave në Bankën e Shtetit shqiptar, si është realizuar ai, cilët kanë qenë të përfshirë në të. Dhe jam i bindur që në përfundim të një hetimi që së pari duhet të jetë mbi vjedhjen, mbi aktin më të rëndë, pra mbi aktin kriminal, jam i bindur që do të dalin dhe do të jetë më e qartë më pas hetimi i përgjegjësive, qofshin administrative apo penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë akt. Unë besoj që sistemi i drejtësisë do ta trajtojë shumë seriozisht këtë çështje, sepse kjo është një çështje që kërkon transparencë, profesionalizëm, kërkon tërësisht një qëndrim jashtë ndikimeve nga presionet që mund të vijnë nga politika apo nga grupe të tjera të interesit për të pasur një proces një të drejtë, kështu që çështja në tërësi e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë është një çështje ku po aq e rëndë sa ç’ishte vjedhja e saj, po aq e rëndësishme është zbardhja apo zbulimi deri në fund i saj dhe i përgjegjësve të kësaj çështje. Natyrisht që unë shpresoj që në çështjet e trajtimit nga ana e gjyqësorit të merren parasysh të gjitha rrethanat për çdo të akuzuar.
Zoti President, me një pozicion mbi palët siç është ai i Presidentit mund të ndihmohet për të ndërmjetësuar në zbutjen e marrëveshjeve politike që karakterizojnë Shqipërinë në marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës. Por ju jeni akuzuar shpesh se mbani anën e opozitës. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Këto kanë qenë akuza paksa naive në gjykimin tim, sepse një President, i cili nuk ka as edhe një rast të vetëm të identifikuar që është sjellë në mënyrë politike, që ka tentuar të pengojë punën e qeverisë, që ka tentuar të pengojë reformat, por përkundrazi, në gjykimin dhe në vlerësimin tim ka qenë gjithmonë një zë mbështetës i angazhimeve të drejta, i angazhimeve ligjore, i angazhimeve kushtetuese të qeverisë, i reformave të domosdoshme. Unë besoj që është përgjigjja dhe argumenti më i mirë për të dekurajuar çdo akuzë të karakterit politik që vjen ndaj Presidentit të Republikës. Unë besoj që shoqëria shqiptare, demokracia shqiptare nuk ka nevojë për një President, i cili të jetë një noter i paarsyeshëm dhe i paargumentuar i qeverisë, përkundrazi, Institucioni i Presidentit të Republikës megjithëse nuk ka ekzekutiv është një zë mjaft i rëndësishëm në promovimin e vlerave më të mira të shoqërisë, i mbështetjes së reformave të domosdoshme, por edhe i ruajtjes dhe i mbrojtjes së integritetit të institucioneve, të vetë vlerave të demokracisë. Ky ka qenë angazhimi im dhe kjo do të mbetet përsëri përgjegjësia dhe tërë kontributi që unë do të jap në të ardhmen .
Zoti President, edhe një pyetje. Kohët e fundit ka pasur disa ceremoni publike ku kanë marrë pjesë disa persona, të cilët, mesa duket, janë nostalgjikë të kohës së kaluar duke paraqitur disa simbole të ish-diktatorit. Pyetja ime nuk ka lidhje me faktin, sepse personat janë të lirë të shprehin mendimet e tyre, por, desha t’ju pyes, a vihet re një farë moskuptimi midis grupeve të ndryshme në Shqipëri duke pasur parasysh sesa shumë njerëz kanë vuajtur nga ajo diktaturë dhe nga personat që e shkaktuan atë?
Jo, nuk do ta konsideroja si një moskuptim. Përkundrazi, unë do ta gjykoja dhe vlerësoja si një provokim që i bëhet jo vetëm shoqërisë shqiptare, një provokim i rëndë që i bëhet të shkuarës në Shqipëri. Mund të them që, çështja në tërësi e prezantimit apo e risjelljes në vëmendje të publikut të diktaturës apo të figurave të diktaturës është një çështje, e cila kërkon një reagim serioz të shoqërisë shqiptare, të shoqërisë civile dhe të qytetarëve shqiptarë. Shqipëria ka nevojë vërtetë për të analizuar dhe për të shkuar drejt hetimit dhe dënimit real të krimeve të komunizmit. Shqipëria ka nevojë dhe veçanërisht politika shqiptare dhe aktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare për një proces lustracioni dhe jam i bindur që të gjithë do të jemi shumë më mirë dhe natyrisht do t’i pritet rruga çdo lloj provokimi të kësaj force dhe modeli që tenton të sillet në mënyrë shumë provokuese dhe shumë të padrejtë në opinionin publik shqiptar por edhe në ndjenjat e atyre që kanë vuajtur drejtpërdrejtë persekutimin e komunizmit në Shqipëri.
Zoti President, ju faleminderit!
Edhe për mua ishte kënaqësi dhe ju uroj punë të mbarë!
Redaksia Online
(e.s/g.f/shqiptarja.com)