Eksplozivët
Në një deklaratë për shtyp dhënë ditën e djeshme, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, bëri të ditur ndryshimet e Kodit Penal. Tahiri, prezantoi ndryshimet, të cilat do t’i kalojnë për miratim Kuvendit, ndërsa theksoi se ato kanë për qëllim garantimin e sigurisë për qytetarët. Sipas ministrit, personat që mbajnë, transportojnë apo trafikojnë lëndë plasëse për qëllime kriminale do të dënohen me 15-20 vite burg. “Ne synojmë që nëpërmjet këtyre masave të ndikojmë në parandalimin e këtyre fenomeneve dhe rritjen e ndëshkueshmërisë.
Lidhur me lëndët plasëse, vjen si analizë e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme, që ka marrë në shqyrtim përdorimin e lëndëve plasëse për qëllim civil, ndryshim në nenet 278 dhe 282 të Kodit Civil 5-8 vjet burg për mbajtje të eksplozivit dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet, pra në rastet kur lëndët eksplozive mbahen, transportohen trafikohen për qëllime kriminale.”- sqaroi Tahiri duke shtuar se me ndryshimet në Kodin Penal, synohet që të parandalohen fenomenet negative dhe të rritet ndëshkueshmëria e tyre.
Ai saktësoi se për personat që përdorin lëndën eksplozive në fushën minerare dhe ju konstatohen shkelje dënimi, varion nga 2 deri në 5 vjet dhe në rrethana cilësuese 10 vjet burgim. “Për përdorimin në fushën minerare pas një kontrolli të detajuar në të gjitha subjektet për import, pas shkeljeve të vërejtura, sanksionet të bëhen me burg nga 2 deri në 5 vjet dhe në rrethana cilësuese deri në 10 vjet burgim”. Ngjarjet me eksploziv janë kthyer në fenomen gjatë muajve të fundit ku janë regjistruar me dhjetëra raste, kryesisht në Tiranë, Fushë-Krujë, Vlorë e Durrës.
Siguria rrugore
Ndërkohë që dje u miratua kërkesa për amendimin e nenit 291 të Kodit penal për sigurinë rrugore. “U miratua kërkesa për amendimin e nenit 291 të Kodit Penal për sigurinë rrugore. Kjo është një nga pikat e masave të prezantuara bashkë me Ministrinë e Transportit për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, të dënohet nga 10 ditë deri në 3 vjet burg”, tha Tahiri, ndërkohë që ndryshime ka edhe për shitësit e kartave SIM të paautorizuar.
Kartat SIM
“15 ditë deri në 30 ditë parashikohet për shitjen e paautorizuar ose rishitjen e kartave SIM telefonike që është përfshirë në paketën e sigurisë lidhur me ngjarje që janë bërë shqetësuese për opinionin publik”, u shpreh Tahiri.
Pasaportat
Po dje është miratuar nga qeveria një tjetër çështje që ka të bëjë me pasaportat. “Janë konstatuar se në periudhën prill 2009-korrik 2010, janë prodhuar një numër i konsiderueshëm, mbi 150 mijë pasaporta, të cilat kanë afat vlefshmërie të pasaktë. Kështu është ngritur një grup pune për të identifikuar këta shtetas me qëllim zgjatjen e afatit me një vit për këto pasaporta. Një vit i cili do të shërbejë për autoritet, që të njoftohen qytetarët dhe të bëhet zëvendësimi i pasaportave, të cilat kanë afat të pavlefshëm, pra, kanë afat të paligjshëm”,- tha me tej Tahiri.
Shkrimi u publikua sot (27.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)