“Mbreti” i vetmua

“Mbreti” i vetmua
“Selfie” e nisi fushatën zgjedhore, “selfie” mbeti pas zgjedhjeve. Kjo gjë i ndodhi Hashim Thaçit, i cili nuk e lejonte asnjë bashkëpartiak të shihej në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, madje as që dëshironte ta fillonte fjalimin gjatë fushatës në Drenas pa i larguar nga bina (skena) dy kandidatët për deputetë të partisë së tij, Shaip Mujën e Fadil Demakun.

Shefi i PDK-së, së fundi i dhënë shumë pas “selfieve”, shihte me sy vetëm votat dhe për këtë shkak i përvoli mëngët në fushatë, duke dalë në çdo cep të Kosovës.

Takonte barinj delesh e çoban bagëtish, të cilëve ua prezantonte “Misionin e Ri”, duke mos menduar fare për partnerët e mundshëm të koalicionit. Madje më me dëshirë realizonte foto me një qengj në krah sesa me partnerin e vogël të koalicionit, Behgjet Pacollin.

Ai ishte shumë i bindur se i vetëm do t’ia dalë t’i fitojë zgjedhjet dhe me këtë rast fare lehtë do të gjejë edhe partnerë për bashkëqeverisje, normalisht duke qenë i sigurt se PDK-ja do t’i fitojë më shumë se 40 vota në Parlament, plus AKR-në dhe minoritetet, të cilëve ua kishte ndarë shumë poste të rëndësishme ministrore në ekzekutiv gjatë mandatit të dytë të tij.

E për mbështetjen e partive tjera as që lodhej, sepse edhe ashtu i shihte në opozitë. Mirëpo, kur si për dreq partia e Pacollit mbeti jashtë Kuvendit, e PDK-ja nuk i siguroi më shumë se 37 mandate në Kuvend, Thaçi më së paku do të dëshironte që në faqen e tij personale në “Facebook” të postonte fotografi “selfie”.

Tashmë ai e synonte një imazh tjetër. Një foto, ku do të shihet edhe një partner i mundshëm i koalicionit, e jo një  “vetvetiu”.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja dhe kur u pa qartë se PDK-ja me minoritetet s’mund t’i sigurojnë 61 vota, ai duke i përdorur “rrugët gjarpërore” të komunikimit, filloi t’i dërgojë “mësit” tri partive tjera të Bllokut (LDK-AAK-Nisma), madje edhe “Vetëvendosjes”, të cilëve ua ofroi edhe postin e kryeministrit, vetëm e vetëm që të bëjnë marrëveshje koalicioni dhe partia e tij të mos mbetet në opozitë. Mirëpo, të gjitha përpjekjet e tij mbetën të kota.

Me partinë e Thaçit përpos që refuzuan të bashkëqeverisin partitë e Bllokut, pavarësisht ofertave joshëse, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe liderët e partive minoritare, Sllobodan Petroviq, i cili ende është zëvendës i Thaçit dhe Mahir Jagcilar, ministër në detyrë i Administratës Publike...

E për çudi “Mbretit” të Kosovës, ashtu siç i dhanë epitetin disa militantë të tij, Hashim Thaçit, iu rrezikua froni, pasi që kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit, Agim Aliu, në seancën solemne të 17 korrikut, mori vetëm votat e deputetëve të partisë së tij (37 vota).

Për shkak të fuqisë së kufizuar politike në Kuvend dhe dështimit të të gjitha përpjekjeve për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta formuar Qeverinë, Hashim Thaçi, tashmë është më se i interesuar që me ndihmën e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në vjeshtë.

Dhe nëse vjen në konsideratë një opsion i tillë, besoj se s’do të shohim më foto “selfie”, pasi që kjo mënyrë e komunikimit me elektoratin dhe me partnerët e mundshëm politikë u dëshmua izoluese për Thaçin.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS