“Formulari, duke ruajtur anonimatin, iu drejtua 500 gazetarëve jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Më shumë se 350 formularë u kthyen mbrapsh për të sjellë rezultatet e këtij studimi, që u mbyll në nëntorin e vitit të kaluar. Por nga muaji nëntor deri tani, ka një përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Veç joformalizimit dhe jo rregullimit të tregut, janë shtuar edhe probleme të tjera të mosdhënies së pagave për gazetarët. Janë disa gazeta, që sot mund të quhen plotësisht të falimentuara, që rrisin nga dita në ditë borxhin ndaj gazetarëve dhe palëve të treta, por që vazhdojnë të dalin në tregun mediatik. Për këtë arsye, për gjendjen e medias, u bëj thirrje gjithë mediumeve, që të bashkohen ditën e Premte, në kuadër të ditës së lirisë së medias, në një protestë përpara selisë së kuvendit”, u drejtua me këtë apel kreu i Unionit Aleksandër Çipa për gazetarët.
Me një lloj skepticizmi se edhe vetë studimi por edhe protesta e thirrur, nuk do të gjente mbështetjen e duhur qoftë në shtypin e shkruar, në median vizive dhe radiofonike, Çipa dha edhe arsyet se pse gjendemi në këtë situatë. Sipas tij, është presioni i madh i punëdhënësve ndaj gazetarëve për të mos lejuar organizimin e tyre; e mandej, edhe vetë vetëcensurimi i gazetarëve, që frikësohen për të dalë hapur e për të përballuar problemet.
“Na ka ndodhur që kemi dalë me deklaratë për mungesën e dhënies së rrogave kundër ndonjë botuesi, në emër të Unionit. Por jemi gjendur përballë presioneve edhe me gjykatë nga këta botues, sepse vetë gazetarët, nuk pranojnë të japin me shkrim të gjitha ankesat e tyre për situatën” tha Çipa.
Studimi i paraqitur dje nga Unioni i Gazetarëve tregon se vetëm 12.5 perqind e gazetarëve të pyetur operojnë në tregun mediatik në një periudhë nga 11-15 vjet. Ndërsa gazetarët që punojnë nga 1 deri në 5 vjet në tregun e medias janë më të shumtë dhe po ashtu, japin shifra të ndryshme në atë që konsiderohet “libreza e punës”. Për median e shkruar gazetarët shprehen se kanë qëndrueshmëri dhe në përgjithësi ndihen të sigurt në punë. Praktika e një kontrate pune shtrihet në periudhën kohore 2008-2011 meqënëse kjo lloj kontrate u bë normë për gazetarët në këtë kohë. Nga 291 gazetarë që iu përgjigjën pyetjes për kontratën vetëm 123 prej tyre kanë raportuar se kanë pasur një të tillë. “Kjo përkon me më pak se gjysmën e përgjigjeve të vlefshme për pyetjen gjë që nënkupton se edhe në kohën kur perceptimi për kontratat ishte ai i një praktike rutinë, vetëm dicka më pak se gjysma e gazetarëve kanë pasur historinë e punësimit të shënuar në kontratë” thuhet në raport.
Sa i përket çështjeve në gjykatë, 26 gazetarë nga 334 të pyetur kanë pohuar se e kanë cuar në gjykatë cështje të lidhura me mosmarrëveshjet me punëdhënësit. Janë 18 gazetarë që kanë pohuar se nuk i drejtohen gjykatës për shkak të tarifave të larta që kanë proceset. Ndërkohë sa i përket ekzekutimit të vendimeve, përmendet fakti se nga 9 gazetarë që kanë fituar çështjet gjyqësore, vetëm 7 prej tyre thanë se vendimi i gjykatës ishte ekzekutuar.
(An.ba/v.gj/shqiptarja.com)