Me pohimet e bëra dhe vijimin e botimit të teksteve, me gjithë ribotimet e disa teksteve, letrarë dhe eseistikë, që është një e drejtë unike autoriale, ndërkaq duket se jemi në gjetje mediatike, për të qenë në qendër të vëmendjes, pa asnjë ndërprerje. Kështu ka ngjarë edhe në vitin 2011 me dorëshkrimin e romanit Dimri i vetmisë së madhe, madje edhe atëherë ishte korrik, por që debati u zgjat edhe në muajn gusht. Situata e këtillë, e marrëdhënies së shkrimtarit me lexuesin, në njëfarë kuptimi, të përkujton sugjerimin e Umberto Eco-s, si një rast i papranisë së pranishme, krejt pashkëputshëm. Fryma e përgjithshme e tekstit, pra e prozës “Mjegullat e Tiranës“, ajo që mbetet fill pas leximit, është se ke të bësh me një libër rozë, me gjasë një histori e rrokshme erotike, që përkon me një kohë të largët studentore.
Fakti që është letërsi rozë, me shenja të prekshme të një erotizmi të shfrenuar, duket se ka krijuar shtratin fillimtar të zhurmës së pranishme, që po ngjet në vapën e korrikut, me shumë mundësi të debatit jashtëletrar. Duke qenë letërsi rozë, pra që lexohet vetëm njëherë, në kuptimin letrar në krijimtarinë letrare të Kadaresë, shton një titull më shumë, ndonëse në poetikën rrëfimore, shprehëse dhe etike, të marrëdhënies me personazhet, sidomos me ato femra, të shfaqet pikëpërkimi me prozat e tjera, por që në fund mbetet një lajmëtim i Kadaresë që do të vinte në lavrimin e prozës. Nga tipologjia librore, për shkak të botimit me vonesë, është një letërsi sirtari, pra një vepër, që ka ndenjur e ngujuar si dorëshkrim për shumë kohë, pra që gjithashtu nuk ka ndikuar aspak në atmosferën e kohës, e pak gjasa ka që të ndikojë edhe tani.
Për autorin shkrimi i kësaj proze niset qysh nga 4 prilli i vitit 1958. Për ndonjë lexues, por simbas letrës së hapur edhe për Nasho Jorgaqin, është një prozë e shkruar më vonë. Pikërisht këtu nisi që të endet edhe pëlhura e nyjes gordiane, me gjasë e një alarmi zhurmues, që duket si e shumëfishuar nga vapa e korrikut. Këtyre moteve për librat e Kadaresë, është bërë e zakontë që të përcillen me zhurmërima, ndonëse këso here ajo duket paksa më e sfrocuar se herave të tjera. Fakti që e shkroi në 1958, apo në 2010, për lexuesin e gjerë nuk ka pikën e vlerës. Kjo rrethanë, e mungesës së përputhjes së të drejtës së autorit, dhe dyshimit dhe mosbesimit për kohën e shkrimit, është një debat për studimet letrare, për historianët e letërsisë shqipe.
Faktologjia shkrimore, nisur nga ajo çfarë paraqet vetë libri, fjalët e autorit, të botuesit etj. , e këtij teksti në prozë, formalisht është shkruar si ditar në vitin 1958, mbi historinë e zhgënjimit dashuror të shkrimtarit. Po kaq historia e botimit, pra e radhitjes së ditarit (me gjasë të menduar si prozë letrare), e korrektimit dhe redaktimit, pra e përgatitjes për botim, realisht ka nisur në vitin 2010 dhe kështu teksti i lënë në harresë, sheh dritën e diellit në vitin 2014. Për interesa studimore, kush ka nge dhe dëshirë, merr ditarin e shkruar në 1958 dhe tekstin e radhitur në 2010 dhe bën krahasimet dhe shqyrtimet e nevojshme, që për lexuesin e zakonshëm, ky debat plot zjarrëllima, është vetëm se një furtunë në gotë. Megjithatë përfundimi mbi këtë aspekt të kohës shkrimore, për lexuesin nuk ka rëndësi, për historishkrimin letrar ka vlerë si faktologji e kohës shkrimore, por edhe e mungesës së pranisë në këtë hark kohor. Libri më i ri i Kadaresë, proza “Mjegullat e Tiranës“, vjen edhe më një situatë paraqitëse, gjithsesi të përveçme dhe të debatueshme, që ta tërheq jo pak vëmendjen. Libri përbëhet nga tri pjesë, biseda hyrëse me shkrimtarin, që luan rolin e një parateksti, nga faqja 7-34, Teksti i prozës, faqja 35-166 dhe pasteksti ku kemi një shqyrtim të zgjatur, që bashkëshoqëron prozën, faqe 169-306. Pra, duket se teksti autorail, shkon gjithsej në 131 faqe proze. Prej kohësh botimet e shkrimtarit shoqërohen me parathënie (tashmë duhet sqaruar se çfarë përfaqëson tipologjia e saj, mbase shkruhet edhe ndonjë libër, Statusi i parathënies), kurse kësaj here botohet me një pasthënie të zgjatur.
Një libër rozë, një letërsi sirtari, që gjithsesi nga mënyra e paraqitjes luan me kohën, mbase që kërkon që të kompesojë kohën e humbur. Megjithatë, si lexues i Kadaresë, i veprave të tij në prozë, teksti “Mjegullat e Tiranës“, në përqasje me prozat e tjera, sidomos me prozat “Kronikë në Gur“, “Pallati i ëndrrave“, „Prilli i thyer“, e ndonjë tjetër, që në shijen time, vetëm si tekste letrare, përfaqësojnë kryeveprat e tij, është i lehtë, madje ka peshën e puplës, prandaj mundet të lexohet vetëm njëherë. Proza “Mjegullat e Tiranës“, është një tekst autobiografik, më shumë gjasa vepra ku biografizmi është i hapur dhe krejt i rrokshëm, ku madje autori-rrëfimtar identifikohet. Projektimi i prozës si dëshmi biografike, që përfshin kontekstet personale dhe kohore, nëse shoqërohet me lexmin biografik, aq më liksht me intrepretimin vetëm biografik, të aktorëve të kohës shkrimore, sjellë jo pak keqkuptime që në fakt nuk kanë të bëjnë me tekstin, si shkrim letrar, pavarësisht shenëjzimit të rrokshëm biografik.
Në momentin e parë ky tekst hyri pa bujë dhe zhurmë (një rrethanë rastësore e një komenti të shkurtër në TV Klan, më bëri që të jem nga të parët lexues të tekstit të Kadaresë), por u desh letra e Jorgaqit, që në tekstin e Kadaresë, thërritet i paemri, që të ndizeshin fanfarat dhe kacabujtë zhurmues, të cilat e ngritën temperaturën e korrikut të sivjetëm. Dhe sërish u rishfaq absurdi i leximit jashtëletrar, mirëfillas biografik, anatemues dhe asgjesues. Një absurditet marrok që as qasja me humor nuk e shpengon dot... Sa herë që Kadare shkund thesin e dorëshkrimeve, bën ç’bë dhe nxjerrë nga një libër. Dhe ka me vete gjithë të drejtën që ta bëj, madje të realizojë edhe variante dhe versione letrare, siç edhe ka bërë me pjesën dërrmuese të veprave. Në këtë rast, përplasen teksti dhe konteksti, ku për mua thelbësor është teksti, i cili udhëton në gjithkohësi dhe gjithhapësi.
Këso here, kjo situatë, e një parashtrimi letrar, me shumë gjasa biografik, solli që Jorgaqi të shkundi thesin e kujtimeve dhe kuptoi se nuk ishin më miq me Kadarenë. Etikja nxjerrë krye dhe duket sikur e mbizotëron letraren, por edhe Jorgaqi ka të drejtën të shprehet, për miqësinë e bdarun. Vetvetiu, prej shkundjes së thesit të dorëshkrimeve dhe kujtimeve, edhe njëherë tjetër, si në gjithë herët, lexuesit e shumtë, shkundën thesin e mllefit dhe pluhurin e harrimit, më tepër të mosleximit të tekstit letrar, madje të një leximi biografik të tekstit të prozës së Kadaresë.
Edhe njëherë tjetër, e pëson letërsia, debati përmbi letraren rrëshqet në rrëmimin e biografizmit, të verifikimit bardhë e zi, çka ndikon për ta mërguar larg letraren në shtjellat e shpërdorimit, aq të përhapur në këtë nahinë tonë. Rishfaqja e debatit të Kadaresë, për kohën e shkrimit të romanit “Mjegulla e Tiranës”, vetvetiu me ndërmendi Harold Bloom, kur thoshte: Entuziazmi ideologjik nuk prodhon as shkrimtarë e as lexues të mirë-përkundrazi, shkakton keqformimin e tyre”, që së paku e skicon pamjen e mjerimit intelektual ku kemi zbritur, në mënyrën sesi e trajtojmë letërsinë, perëndeshën e fjalës.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)