“Muza Poetike Budiane”, një ditë
e paharrueshme mes vargjeve

“Muza Poetike Budiane”, një ditë<br />e paharrueshme mes vargjeve
Si zogjtë që mblidhen rreth një çerdheje cicëronjëse, poetë nga të gjitha trevat shqiptare mbushën strehën matjane të metaforave, aty ku do të zhvillohej Festivali i Dytë Mbarëkombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, në Burrel, një prej qyteteve më të njohura për brumin e gatuar në magjen e poezisë.

Takime të tilla ngjallin interes të veçantë.
Ato janë edhe një instrument i fuqishëm shpirtëror, përvojë krijuese, konkurrim vlerash, burim dijesh e, çka është më e rëndësishme, ngjarje për komunitetin e krijuesve. Duhet thënë se, sa më interesante e më të ngjeshura të jenë, aq të bukura shprehen ato edhe në rreshta përmes fjalës së shkruar. Është një arsye më shumë për të shkruar rreth ndjesive që përjeton me thjeshtësi, sinqeritet e ngrohtësi që shfaqën ndjenjat e matjanëve, veçanërisht të poetëve.

Festivali Mbarëkombëtar i poezisë “Muza Poetike Budiane” është në edicionin e dytë, me synimin për t’u kthyer në traditë. Prandaj, jo vetëm për nga rëndësia, por edhe për pjesëmarrjen e madhe, tregoi vlersimin e poetëve të qytetit dhe posaçërisht të kryetarit të Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani.

“Më shumë se më pak e më pak se shumë” do të ishte slogani i shpirtit të trevës, që shpaloset para syve realisht këtu, ku lindi i madhi Pjetër Budi. Ndaj ndjen kënaqësi për këtë fakt, sepse nderimi ndaj figurave të tilla reflekton vlera të pamohueshme shpirtërore. Dhe klubin e tyre letrar matjanët jo pa shkak e kanë emërtuar “Pjetër Budi”. Hamdi Hysuka, kryetari i klubit letrar “Pjetër Budi”, Lindita Doda nënkryetare dhe Fatmir Neli sekretar i tij, të ofrojnë një pritje tepër bujare, me ndjenjë fisnikërie, që ndër matjanët është e lartë.

Kjo shpërfaqje e shpirtit të tyre me një lloj emocioni të rrallë ndër ne, meriton të përgëzohet, sepse disa flasin dhe recitojnë bukur, disa heshtin, por shkruajnë bukur dhe të tjerë i bëjnë gjërat të ndodhin. Kësisoj, të gjithë bashkë, krijojnë bashkësinë e vlerave.

Mjedisi ku do të zhvillohej festivali, në Lektoriumin e ish-Shkollës së Lartë Jopublike “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Burrel, u përfshi thellësisht në atmosferën e poezisë, në bisedat e shtruara dhe miqësore për ngjarje e krijime, si gumëzhitje e një zgjoi bletësh, që në aspektin artistik ishte konceptuar me një poetikë të pasur, si vetë poezia (thjesht e bukur), duke u shoqëruar edhe nga një kërshëri e banorëve artdashës të qytetit. Atmosferën e ndjeshme festive dëshiron ta përmbyllësh me një fjali: sintezë arti, kulture, me vlerë miqësie si pikëtakim ndenjash poetike.

Orët në tik-take kalojnë të gëzuara dhe të zhytura edhe në ndjenja të natyrshme të kënaqësisë, se je mes njerëzve me pasione, me vlera, që dhurojnë emocione të bukura, njohje të reja, mendime, të cilat mund t’i shprehësh natyrshëm, sepse mbresat s`harrohen. Ndaj është dukur plot kjo sofër poetike me poezi të zgjedhura e ngrohtësi shpirtërore, me kumbim pa droje të vargjeve të skalitura nga artistët e shpirtit, me plot biseda dashamirëse, fllad humori të hollë, këngë dhe fjalë përshëndetëse.

Nuk thonë kot se te poetët më së tepërmi mishërohen ndjenja gëzimi, mirësie dhe dashurie, të cilat i përjetojnë me tërë qënien e tyre të shpirtit. Ata janë miqtë besëlidhur të Njerëzimit, që e bëjnë të shëmtuarën të bukur, dhe të bukurën edhe më të bukur.

I ndjen këto e nuk mund të rrish pa theksuar realizimin e bukur, sepse doli në pah organizimi me të veçantën e tij, të shpërfaqur edhe në traditën e përhapur mes poetëve të tërë Botës që dhurojnë miqësisht libra. Ndërkohë, këmbimet e mendimeve për poezinë, për botimet, për artin në përgjithësi, në kolorit i bëjnë këto takime interesante e të paharruara, sepse gjendesh edhe mes emrave të njohur të penës si: Basir Bushkashi, Agim Bajrami, Namik Selmani, Nikolla Spathari, Adem Zaplluzha, Gjok Dabaj, Lindita Doda, Agim Desku, Vladimir Muça etj. I shtuan dhe i përforcuan ato edhe interesi i madh i të rinjve të talentuar: Valjeta Krosi, Ermal Lala, Aida Topalli etj, si një domethënie e bukur për të ecur drejt panteonit poetik. - Sa kënaqësi është për ne të brezit të ri, -shprehet poetesha e talentuar Valjeta Krosi, - të marrim pjesë në festival. Takimet e tilla, njohjet, mbresat e pasurojnë shpirtin sa s’thuhet dhe japin mesazhe miqësie midis krijuesëve.

Prandaj fikson në kujtesë foto e çaste të veçanta që lenë mbresa, veçanërisht humorin e poetit matjan Basir Bushkashi, me batutat plot kripë malësori për pushtetarët që drejtojnë bashkitë, të cilat shpërthenin çiltër, që u pritën me të qeshura e s’ka se si të përshkruhen më bukur.

Në nisjen e festës poetike të bën përshtypje prezantimi i Hamdi Hysukës që, duke u marrë me detyrat e të zotit të shtëpisë, me përkujdesjen e zakonshme në mënyrë që të ndjejnë kënaqësinë e tyre të ftuarit, i jep udhë zhvillimit të festivalit. Salla e tejmbushur si kurrë ndonjëherë me poetë të njohur, por edhe të rinj të tejngopur me ëmbëlsi, mban frymën nga fjala e tij, e cila rrjedh si uji kristalor i burimit, edhe pse ndërpritej herë pas here nga duartrokitjet miqësore të të pranishmëve.

Pas fjalëve përshëndetëse dhe përmes konkurrimit poetik nuk mund të mos fshehësh gëzimin e brendshëm, kur poetët njëri pas tjetrit sjellin artin e shpirtit të tyre me një lum emocionesh gurgulluese, të endur me zjarr frymëzimi. Dhe të ngop fryma e shenjtë e poezisë, që padyshim ishte thelbi i bukurisë së Festivalit të Dytë Mbarëkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”, me krijime që bien në sy edhe për individualitete. Diku poezitë shprehnin një lirizëm, diku mendimet rrjedhnin me një shpërthim të natyrshëm të dimensioneve të dhimbjes, duke theksuar kuptimin për jetën, por të harmonizuara e të përshkuara edhe nga ndjenja të thella patriotike.

Sepse një emocion që lind në shpirtin e krijuesit ka forcë nëse shprehet bukur. Melodi të lehta i përkëdhelnin vargjet e recituara si fëshfërima e erës, por në mendje të mbetet meliodiziteti pasionant i këngëve të bukura matjane, që begatuan festivalin, duke e bërë më të larmishëm origjinalitetin e mençurisë së fjalës poetike. Një çast, që gjithsesi i emocionoi të pranishmit, ishte kur juria e festivalit, me pjekuri profesionale prej emra poetësh, që i bëjnë nder poezisë shqiptare si Hamit Aliaj, Fatmir Gjestila e Lindita Doda, vlersoi e ndau çmime për poezitë më të arrira.

Dhe ato i merituan Xhevat Latifi nga Gjilani Çmimin e Parë, Nikolla Spathari nga Durrësi dhe Ramë Oraca nga Podujeva Çmimin e Dytë, Agim Bajrami nga Durrësi, Pëllumb Gorica nga Tirana dhe Dan Brahimi nga Prishtina Çmimin e Tretë.

Pas një dite thuajse të mbushur me përjetimet e festës së fjalës poetike në Burrel, erdhi koha, kur u duhejt thënë matjanëve: Mirupafshim në takime të tjera!

[gallery]23916[/gallery]
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

'Pas 5 nëntorit doli madhështia e SHBA-së', Berisha: Ju qëndruat kundër një Amerike tjetër, që bëri grusht shteti ndaj opozitës në funksion të diktatorit

'Pas 5 nëntorit doli madhështia e SHBA-së', Berisha: Ju qëndruat kundër një Amerike tjetër, që bëri grusht shteti ndaj opozitës në funksion të diktatorit