Termi “përça e sundo” është i vjetër aq sa edhe vetë politika. Për këtë arsye, politikanët (sigurisht edhe këtu në Shqipëri) e përdorin shpesh për të prishur qetësinë në kampin kundërshtar, për të krijuar qejfmbetje, me shpresën që ato do të shkojnë deri në një divorc të mundshëm politik. Kjo është ajo që ka ndodhur prej vitesh këtu në Shqipëri, e sidomos në vitet e fundit, ku forcat e majta, ose thënë më mirë socialiste, më shumë kanë qënë të përçara se të bashkuara dhe kjo situatë është shfrytëzuar më së miri nga PD-ja e Sali Berishës për të sunduar vendin.

Saktësisht të njëjtën gjë ka tentuar të bëjë, sidomos në vitin e fundit, edhe PD-ja e Bashës, e cila aktualisht duket se ka edhe një armë plus në këtë mision: ftohjen e marrëdhënieve mes dy liderëve të koalicionit socialist, Edi Rama dhe Ilir Meta, sidomos pas zgjedhjeve lokale të fundqershorit.

Diversioni ka arritur kulmin me atë që quhet afera e CEZ-it, pas publikimit të një shkrimi investigativ në rrjetin investigativ BIRN, ku në dukje i akuzuari kryesor për një aferë të mundshme korruptive rezulton kreu i LSI-së, Ilir Meta. Opozita e Bashës e ka kthyer gjithë këtë moment në një nga kuajt kryesorë të betejës së saj për të demaskuar korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes, paralelisht me dekriminalizimin dhe sulmet e forta ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Diversioni arriti kulmin në një deklarim publik televiziv në “Top Story-n” e Sokoll Ballës nga ana e anëtarit me dy “n” të kryesisë së PD-së, Enno Bozdo, një figurë shumë e sulmuar dhe e kritikuar brenda forcës së tij politike, por përsëri e mbajtur pranë nga kryetari Basha (nënkryetar Bashkie në periudhën e tij dhe aktualisht i cilësuar në rrethin e njerëzve të tij të afërt në parti).

Enno u shpreh se materiali opozitës i ka ardhur nga Kryeministria dhe jo nga agjencia e lajmeve BIRN, një version aspak i besueshëm, pasi nëse do të ishte i vërtetë, atëherë përse Partia Demokratike duhet të priste publikimin në media për të nisur fushatën e egër të denoncimeve ndaj Ilir Metës?

E gjitha ka vetëm një arsye: Opozita po shfrytëzon momentin “jo” në marrëdhëniet mes dy liderëve të koalicionit, skepticizmin e Ilir Metës se Rama në një moment ose në një tjetër “mund ta fusë në kurth”, duke hedhur ditë pas dite shashka të tilla me shpresën që “King-makeri” për “inat të sime vjehrre, të shkojë me mullixhiun”, që tani nuk quhet më Berisha, por Basha.

Ajo që e komplikon më shumë situatën, duke dërguar në këtë rast “ujë në mullirin e PD-së” është fakti se dy burrat e shtetit, Rama dhe Meta, nuk janë përballur ende me frikërat për “thikë pas shpine”, duke u ulur kokë më kokë, “duke u mbyllur në ndonjë kullë” për një, dy ose tre ditë, deri në sheshimin e të gjitha mosmarrëveshjeve, apo qejfmbetjeve që mund të kenë lindur nga zgjedhjet, apo edhe për shkaqe të tjera. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë jo vetëm për koalicionin, por edhe për vetë qeverisjen, që në këto muajt e fundit sidomos duket sikur po ecën e çoroditur dhe për inerci.

Në gjithë këtë histori, që zgjat prej disa ditësh, disa gjëra janë të sigurta:
1. Ish-ministri i jashtëm dhe pastaj ish-ministri i ekonomisë Meta i akuzuar për ushtrim influence, shpërdorim detyre dhe korrupsion, në dijeninë time, nuk kishte krijuar qeveri më vete, por ishte pjesë e kabinetit të drejtuar nga Sali Berisha, i cili, - unë nuk besoj se “shiste fara” në atë kohë, - duhet të ishte në dijeni të gjithçka ndodhte në zyrat e shtetit. Nëse Meta ishte vërtet i korruptuari më i madh, duhej që minimalisht ta denonconte dhe ta largonte nga qeveria.

2. Sulmi ndaj Metës, që po bëhet më shumë nga vetë PD-ja si forcë politike, sesa nga Berisha si personazh (me vetëm një postim në FB dhe fjalën të enjten në Kuvend, ku për më tepër u duk sikur e kishte më shumë me Ramën) është i mirëmenduar dhe vjen menjëherë pas hedhjes së shashkave të tjera si “telenovelat e verës” për një koalicion të mundshëm PS-PD.

3. Në rastet e mëparshme, në 11 vitet e ekzistencës së saj, sa herë LSI-ja është sulmuar, madje edhe në tentativë për ta asgjësuar, jo vetëm që kjo nuk ka ndodhur, por forca politike e Metës është bërë edhe më e fortë. Shembulli më klasik për këtë janë zgjedhjet e vitit 2009, ku megjithë ndryshimet kushtetuese të 2008 për të tkurrur deri në asgjësim partitë e vogla dhe në veçanti LSI-në, Meta u kthye në “Kingmaker”.

4. Nëse nuk ka një ndryshim të konfiguracioneve dhe skemave politike në të ardhmen, duke patur parasysh edhe shifrat e zgjedhjeve të fundit lokale (edhe pse nuk janë 100 % faktor), forcat socialiste, pra PS dhe LSI (me ose pa ndihmën e PDIU-së, Nard Ndokës, apo ndonjë tjetri që mund të afrohet) mund të qëndrojnë në drejtim të vendit edhe për 50 vjet.   

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)