TIRANE- As në ëndrrat më torturuese nuk mund ta kishte përjetuar Zamira Hamolli ngjarjen e tmerrshme se tri djemtë e saj do ti shkëputeshin përgjithnjë nga kraharori.

Ajo i pat rritur atje, në Beragozhdin e harruar, lënë mes mëshirës, harruar asaj humbëtire malore, ku shteti kish “çarë ferrën” dhe pat lënë vetëm njerëz që gëlojnë në skamje. Tërë natën e veja Zamira e kaloi në dhomën e urgjencës të spitalit rajonal të Pogradecit, me rënie të ndjeshme tensioni, mosfunksionim të rregullt të zemrës dhe komplikacione të tjera të rënda.

Dje në mëngjes ajo mësoi se specialistët kishin nxjerrë edhe dy trupat e pajetë të djemve, Edisonit dhe Nertilit dhe e tërë barra i binte dajës, Arjanit, 32-vjeçarit nga fshati Pretushë i Pogradecit, i cili për momentin ishte shtylla e asaj familjeje, me kryefamiljar të aksidentuar me vdekje, duke prerë dru në pyll dhe me “një mal dhimbje” që s’ka përshkrim. Beragozhdarët janë njerëz të urtë dhe punëtorë, por skamja dhe varfëria kishte detyruar 3 vëllezërit e 2 kushërinjtë të bënin atë gabim fatal të ndezjes së gjeneratorit në mes të galerisë, për të nxjerrë ujin, në mënyrë që të merrnin shinat, për ti shitur në tregun e skrapit.

Mungesa e punësimit në fshatin e tyre, sasia e vogël e sipërfaqes së tokës, të ndarë për frymë (për shkak të zonës malore)dhe kriza greke, si i vetmi burim të ardhurash për këtë familje, kishin bërë që vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, rspektivisht 23, 24 dhe 28 vjeç dhe dy vëllezërit Sazan e Arjan Hamolli, që ishin djemtë e xhaxhait, të ndërmerrnin këtë hap ekstrem, pavarësisht këshillave dhe insistimit të më të vjetërve të zonës.

Dhjetra herë ata u paralajmëruan, si prej të moshuarve, ashtu edhe nga ish-minatorët. Braktisja 20-vjeçare kish ndodhur pikërisht për amortizimin e makinerive dhe prezencën e lartë të gazrave helmues, por Hamollët edhe pse e dinin rrezikun, vendosën të nxjerrin bukën e gojës, duke bërë gabimin fatal. Si vëlla i vetëm i Zamira Hamollit, Arjan Hyka, 32 vjeç, thuajse bashkëmoshatar me Nertilin, nipin e tij, i qëndronte pranë së motrës, teksa një e nga një trupat e pajetë largoheshin nga shtëpia e skamjes për tu prerë të qetë në banesën e fundit.

Nxjerrja e trupave u vështirësua së tepërmi, jo vetëm për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash. Edhe nëna e 2 vëllezërve Sazan dhe Arjan Hamolli, është dërguar me urgjencë në spitalin e Pogradecit.

Ndërkohë i ati i tyre, Xhevit Hamolli, mes dhimbjes se madhe ka përshëndetur personat që ndihmuan në nxjerrjen e trupave të pajetë. Përfundimisht, ekspertët e morgut, dolën në konkluzionin se vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë nga tymi i gjeneratorit, përzier me gazin metan dhe gazra të tjera helmuese që ndodhen në galeri. Pra, varfëria dhe neglizhimi i rrezikut ishin 2 shkaqet kryesore të humbjes së 5 jetëve njerëzore, atje larg në Beragozhdin (Dardhasin) e harruar të Pogradecit, ku ende gjen tek-tuk ndonjë që guxon përtej limiteve njerëzore, vetëm e vetëm për të mbajtur frymën gjallë, guxim që siç tregoi rasti i këtij trungu familjar, ta merr frymën përgjithnjë.
 
Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­