“Provokacion” me skulpturat
soc-realiste të Kristaq Ramës

“Provokacion” me skulpturat<br />soc-realiste të Kristaq Ramës
TIRANE- Arti i realizimit socialist, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, mbetet ende një temë provokuese për publikun, artistët dhe mbi të gjitha për kuratorët. 
Një përzgjedhje ekskluzive e veprave nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve që i përkasin periudhës së realizmit socialist është prezantuar dje së bashku me veprat e artistëve shqiptarë e të huaj në ekspozitën që mban titullin “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë më realizëm socialist”. Ekspozita prezanton vizatime, piktura, skulptura, instalacione dhe fotografi e video. 

Ekspozita e çelur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve është ideuar si një eksperiment provokativ që lidhet me “kthimin e syve” drejt veprave të realizmit socialist. Në këtë ekspozitë përveç veprave në skulpturë “Shote Galica”, “Vërsnik i Republikës” dhe “Dropullitja” të skulptorit të popullit Kristaq Rama, “Metalurgut” të Fuat Dushkut, “Punëtores” së Thoma Thomait, etj, janë prezantuar vepra nga Irwin (Slloveni), Armando Lulaj (Shqipëri), Ciprian Mureşan (Rumani), Santiago Sierra (Spanjë), Jonas Staal (Hollandë) dhe Sarah Vanagt (Belgjikë).

Skulpturat dhe veprat e përzgjedhura nga Galeria Kombëtare ranë veçanërisht në sy për përzgjedhjen e veprave që janë të realizuara në aspekte konceptive, filozofike, stilistike, teknike, kompozicionale dhe koloristike. Ato janë të pëlqyeshme dhe kanë një autonomi të spikatur autoriale.

Megjithatë, “a mund të shikohen ende sot ato si vlera?”. Ky është thelbi i eksperimentit provokativ, sipas kuratorit të ekspozitës Mihnea Mircan, i cili falënderoi Galerinë Kombëtare për mbështetjen  dhe mundësitë për të realizuar këtë eksperiment në hapësirat e mrekullueshme, siç i quajti ai ambjentet e saj.

Ekspozita “Punëtorët dalin nga studioja…” përcjell një këndvështrim shumë interesant të artit të djeshëm  të realizmit socialist dhe atij bashkëkohor sot.  Kuratori rumun Mihnea Mircan, i cili e ka trajtuar në një formë shumë origjinale këtë ekspozitë, duke u bazuar në  atë art që trajton me forcë realitetin social dhe atë çfarë Shqipëria trashëgon nga realizmi socialist, vjen në këtë projekt pas shumë eksperiencave që  ka pasur si kurator në shumë muze dhe galeri të famshme nëpër botë, duke nisur nga Bukureshti, Parisi, Londra, Bienalia e  Venecias, apo edhe në Shtetet e Bashkuara.  Në konferencën që u mbajt dje për median, drejtori  i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani u shpreh se kjo ekspozitë vjen me një theks të fortë mbi politikën në art.

“Qëndrimet politike të artistëve janë qëndrime të tyre individuale. GKA në këtë rast është një territor asnjanjës”, u shpreh mes të tjerash Shabani..
 “Titulli i kësaj ekspozite është frymëzuar nga filmi (dokumentari) i  parë  i vëllezërve  Lumiere, i cili njihet në  kinematografi si “Workers Leaving the Lumière Factory”. Në artikulimin e këtij projekti “realizmi“ ka më tepër rëndësi se “socializmi”. “Ne nuk jemi përpjekur për të bashkuar këtu një arkiv, apo një metaforë të realizimit socialist, sesa  jemi  përpjekur të krahasojmë atë mënyrë të të kapurit  të realitetit me mënyrën bashkëkohore të fabrikimit të formave të  reja politike,  të cilat i përgjigjen një regjimi të ri politik”, thotë kuratori Mircan.

Ndërsa asistent kuratori i ekspozitës Vinsent Van Gerven Oei u shpreh se “Një vit më parë nuk guxoja të mendoja se ky projekt do të bëhej i mundur, por sot jemi këtu falë punës së mrekullueshme të gjithë stafit të GKA, Departamentit të  Shqiponjave,  Fondacionit Prins Claus, Hollandë dhe sigurisht kuratorit Mihnea Mircan.” Në konferencë ishte i pranishëm edhe artisti Dušan Mandić,  pjesë e kolektivit “Irwin”, i cili foli për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë.  

Pra, ekspozita “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë më realizëm socialist”, prezanton 39 punë dhe 19 artistë.  14 janë emra të njohur të artit shqiptar, ndërsa 5 janë artistë të huaj siç është kolektivi : Irwin (Slloveni), Ciprian Mureşan (Rumani), Santiago Sierra (Spanjë), Jonas Staal (Hollandë) dhe Sarah Vanagt (Belgjikë).  Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 05 Prill 2015.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf