“Republika” në Prizren

“Republika” në Prizren
Mbledhja e përbashkët dy qeverive shqiptare, e paralajmëruar për t’u mbajtur më 11 Janar në Prizren, i kalon caqet e një takimi pune ku pritet të merren disa vendime. Ajo ka brenda disa simbolika, të cilat për vendin dhe kohën, ku dhe kur ndodhin, i japin përmasa historike.
Prizreni është qyteti i themelimit të nacionalizmi shqiptar, qyteti ku shqiptarët filluan institucionalizimin e lëvizjes për krijimin e kombit. Lidhja e Shqiptare e Prizrenit shënon përpjekjen e parë serioze për shkëputje nga Perandoria Otomane dhe krijimin e shtetit shqiptar.

Me pak më tepër ndërgjegje kombëtare, pak më tepër organizim, pak më tepër fat, sigurisht po të kishim pasur një aleat të madh ndërkombëtar, Prizreni mund të ishte sot kryeqyteti i Shqipërisë etnike, vendi ku do mblidhej një qeveri e shqiptarëve, jo dy të tilla. Nën këtë cilësi unikale, Prizreni njihet si qytet historik ndonëse, në të gjitha përmasat, është shumë më tepër se kaq.

Edhe dita e mbajtjes së mbledhjes e ka një simbolikë të veçantë. 11 janari është data e shpalljes së Republikës së Shqipërisë, pas një eksperience sistemi qeverisës monarkik, të shthurur në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Kjo republikë, e quajtur popullore, nuk u ngjit në nivelin e një forme demokratike qeverisjeje, nën një regjim të gjatë totalitar. Megjithatë 11 Janari e shton konotacionin nacionalist dhe i jep një përmasë më tepër historike mbledhjes së qeverive të dy republikave shqiptare, njëra amë e tjetra bijë, në ditëlindjen e Republikës Amë.
Vendimet që pritet të merren, sigurisht që mund të ishin marrë veçmazi nga secila qeveri ndërsa marrëveshjet përfshirë edhe një Marrëveshje Partneriteti Strategjik mund të ishin nënshkruar edhe në një takim zyrtar ndërmjet dy kryeministrave dhe do të ishin njëlloj të vlefshme. Kjo është arsyeja se përse vendimet e pritshme nuk e kanë rëndësinë aqsa e ka simbolika e mbajtjes së një takimi me këto përmasa.

Mesazhi më i rëndësishëm i 11 Janarit në Prizren do të jetë ai politik kombëtar. Po çfarë efektesh do të ketë kjo simbolikë dhe sa do të ndikojë në zhvillimet e ardhëshme politike në rajon? Mbledhja e dy qeverive shqiptare në Prizren nuk i ka përmasat e një Lidhjeje të Dytë, për arsye të kontekstit në të cilin ndodh, faktit se një proces tjetër bisedimesh, inicuar dhe drejtuar nga ndërkombëtarët, është duke ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër faktit që nuk dihet se sa mbledhja e 11 janarit e ka pëlqimin e aleatëve tanë strategjikë, veçanërisht SHBA-ve, që kanë investuar shumë për të vendosur paqen në këtë rajon. Megjithëse dy qeveritë janë treguar shumë të kujdesshme lidhur me qëllimin e mbledhjes, prapseprap, siç arsyetova më sipër, ajo që mbetet është simbolika, që paralajmëron nxitje për zhvillime gjeopolitike në rajon. E pikërisht për këtë arsye, varësisht nga të interpretuarit, qendrat kryesore të politkëbërjes do të mbajnë shënime.

Ajo që më bën kurioz të di është se çfarë reagimi do të ketë nga Beogradi dhe çfarë mendimi kanë Brukseli dhe Uashingtoni ndaj këtij “provokimi” shqiptar. Sepse normalisht, për nga qëllimi që ka shpallur, mbledhja duhet të kalojë pa ndonjë koment të rëndësishëm të faktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë ndërsa varësisht nga pozicionimi politik në Shqipëri dhe Kosovë, kundërshtarët do ta quajnë “spektakël politik” të dy kryeministrave, ndërsa mbështetësit “një hap në drejtimin e duhur” për integrimin e tregut rajonal më së pari ndërshqiptar. Qeveria e Shqipërisë mund të mbajë mbledhje të përbashkëta edhe me qeveri të tjera, edhe me vetë qeverinë serbe mbase, por asnjë mbledhje tjetër nuk mund ta ketë nënkuptimin më të fortë se se 11 Janari në Prizren (siç mund të ishte dhe 28 nëntori ose një datë tjerët historike po në Prizren).

Vështruar në kontekstin gjeopolitik dhe xhelozisë që ky eveniment mund të ngjallë te faktorët influentë rajonalë dhe ndërkombëtarë, Hashim Thaçi nuk rrezikon asgjë personale në këtë proces. Ai është në fundin e mandatit dhe një takim i tillë veçse mund ti shtojë pikë së brendshmi, ajo për të cilën ai ka më shumë nevojë, sepse në planin ndërkombëtar i ka marrë pikët pas marrëveshjes që arriti me homologun e tij serb Daçiç. Me shumë gjasa ai nuk do të jetë më në postin e Kryeministrit dhe kjo mbledhje mund të jetë gjesti i fundit i tij politik në planin kombëtar përpara zgjedhjeve parlamentare që duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti në Kosovë, duke mbetur, të paktën deri tani, Kryeministri më i suksesshëm në historinë e Kosovës së pas luftës.

Për Edi Ramën takimi përbën një filozofi të re zhvilluar në fillim të një mandati mbushur me plot problematika, në raportet e Shqipërisë me ndërkombëtarët. Pamundësia që shqiptarët i krijuan vetes për tu përfshirë në operacionin e shkatërrimit të lëndëve kimike, ka “delegjitimuar” dashurinë shqiptare për SHBA-të, duke na kthyer nga aleatët më të mëdhenj ballkanikë në aleatë të zakonshëm interesash konjukturale, e duke e vendosur Edi Ramën përpara një detyre të vështirë në drejtim të rikthimit të besimit të plotë reciprok në marrëdhëniet me amerikanët. Ndërsa refuzimi i statusit të vendit kandidat nga disa fuqi europiane ka vënë në dyshim garancitë në avancimin e shpejtë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Në planin kombëtar Takimi i Prizrenit përbën një përpjekje më tepër në rrugën e gjatë të realizimit të asaj çfarë shqiptarët presin të ndodhë në një të ardhme jo të largët. Për shqiptarët nuk ka rëndësi çfarë interesash ka Hashim Thaçi për momentin, apo niveli i lidërshipit të Edi Ramës në botën shqiptare, por më shumë se gjithçka tjetër ka rëndësi bashkimi i tregjeve si pjesë e procesit të bashkimit ndërshtetëror. Shqiptarët nuk rrezikojnë kurrëfarë gjëje nga ky nivel takimi, përkundrazi ata që rrezikojnë janë liderët, në rastin konkret Edi Rama, i cili, pa kurrëfarë shprehish nacionaliste, po institucionalizon një proces me të cilin politikanët shqiptarë këtej e andej kufirit kanë spekulluar me llafe boshe, në funksion vetëm të pushtetit të tyre personal.

Pavarsisht efekteve që do të ketë në Bruksel dhe Uashington, “provokimi” i Edi Ramës është pjesë e një rrugë të gjatë të kombit shqiptar drejt bashkimit në një treg vlerash, e mundësisht drejt bashkimit në një shtet, në kuadrin e një Ballkani të Ri, ku paqja të jetë e pakthyeshme. Për Ballkanin Perëndimor ka dy zgjidhje: së pari zgjidhja ekzistuese që kërkon akoma një kohë të gjatë, shumë të gjatë, ndoshta disa dekada derisa Ballkani të civilizohet, pa pasur siguri se në një kontekst tjetër europian, ekuilibret do të tronditen përsëri dhe rreziku i luftës do të rikthehet dhe, së dyti, një zgjidhje tjetër e shpejtë, me kufinj të tjerë bazuar në një marrëveshje shqiptaro-serbe me ndërmjetësinë ndërkombëtare që nënkupton shkëmbimin e territoreve, dhe përfundimin njëherë e mirë të konfliktit të gjatë shqiptaro-serb për shkak të territoreve.

Sa për efektin politik që do të ketë brenda botës shqiptare mbledhja e dy qeverive shqiptare të “Republikës”  së Prizrenit mund të thuhet se më shumë se gjithçka tjetër ajo do të mbetet një formalitet ceremonial për ti thënë “lamtumirë” Hashim Thaçit dhe “mirëseerdhe” Edi Ramës.


 Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit