TIRANE- “Vodafone Albania” zhvilloi ditën e premte fazën finale të përzgjedhjes së fituesve të programit “Discover Vodafone”. Prej disa vitesh, “Vodafone Albania” sjell mundësi reale për të sapodiplomuarit e talentuar duke mundësuar zhvillimin e skemës globale të zbulimit të talenteve “Discover Vodafone” (Zbulo Vodafone) në Shqipëri. Kjo skemë e veçantë, e zbatuar njëlloj në të gjitha kompanitë e Grupit “Vodafone”, integron teknikat më të përparuara të identifikimit të talenteve të reja dhe ju hap dyert e një karriere të shkëlqyer në “Vodafone”.
 
Edhe këtë vit, interesimi i të rinjve shqiptarë ishte shumë i lartë. Rreth 1000 të rinj aplikuan për të qenë pjesë e kësaj skeme dhe pas disa testimesh të standardizuara, në fazën finale fituan të drejtën të merrnin pjesë 24 kandidatë të talentuar, të cilët kaluan në proces testimi tepër dinamik ku gjithsecili pati mundësinë të shfaqë aftësitë dhe kapacitetin nëpërmjet ushtrimeve individuale dhe në grup.
 
Ndryshe nga vitet e tjera, “Vodafone Albania” do të përzgjedhë nga faza finale më shumë se 10 fitues, të cilët do të lidhin një kontratë pune me “Vodafone Albania” për të punuar për 2 vjet në 2-3 sektorë të ndryshëm të kompanisë, për të fituar njohuri të gjera në lidhje më biznesin e telekomunikacioneve dhe kulturën e punës në një kompani lider global si “Vodafone”.
 
Kandidatët fitues do të kenë mundësinë e një karrierë të suksesshme në kompaninë “Vodafone” në Shqipëri dhe nëse vijojnë të shfaqin një performancë të shkëlqyer, ata do të kenë të hapura dyert për t’u bërë drejtues të “Vodafone” në nivel global përmes skemës “Columbus” për zhvillimin e Liderëve të rinj që mundëson rritjen në karrierë në rang global në “Vodafone Group”.
 
Programi “Discover Vodafone” është një prej shumë projekteve që “Vodafone” organizon çdo vit me qëllim zhvillimin dhe mbështetjen e të rinjve për të nisur suksesshëm hapat e para të karrierës së tyre profesionale.
vodafone

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)