Asnjë sqarim nuk ka dhënë Beqir Xhilaj pse ka shtënë ndaj bashkëshortes së tij 45-vjeçares Lumturije Xhilaj duke e lënë të vdekur në vend.
 
Fillimisht ai ka tentuar ta inskenojë ngjarjen si vetëvrasje. Pasi e ka qëlluar për vdekje me një të shtënë me armën e zjarrit tip çifte, gruaja ka mbetur e vdekur në vend e mbështetur në poltron në dhomën e ndenjes, ai pastaj ka marrë armën dhe e ka vendosur pranë saj dhe është ulur përballë duke pirë raki.
 
Fillimisht mësohet se ka qenë vetë 74-vjeçari që ka njoftuar policinë i cili mësohet të ketë thënë se në shtëpinë e tij ka ndodhur një vetëvrasje.
 
Oficerët e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Shkodër fillimisht e kanë marrë në pyetje në shtëpi, ku ky ka mohuar të ketë kryer vrasjen.
 
Deklaratat kontradiktore të tij kanë çuar në dyshimin se autori i vrasjes është pikërisht 74-vjecari.
 
Pasi është shoqëruar në komisariat është marrë në pyetje sërish, ku gjatë gjithë kohës është mbajtur nën presion për të zbardhur të vërtetën.
 
Ai e ka mohuar gjatë gjithë kohës, ndërsa më pas ka filluar të sqarojë se si mundi të qëllojë ai me çifte edhe pse është me njërin krah, mënyrën se si i vendos fishekët, apo edhe si e mbanë armën.
 
Pas rreth tre orësh ai ka pranuar autorësinë e vrasjes, duke thënë se e kam qëlluar sepse më bëri me nerva, u acarova shumë me të.
 
Duke mos dhënë asnjë sqarim tjetër rreth shkaqeve të vrasjes. Madje i pyetur nga hetuesit se si e ka kryer vrasjen mësohet të ketë thënë se “kam shkuar në dhomë ku kam pas çiften, gruan e lashë në dhomën e ndenjes duke bërë zhurmë, u ktheva dhe e qëllova një herë në gjoks duke e lënë të vdekur. Më pas vendosa çiften afër saj dhe prita deri sa të vinte policia. Nuk jam penduar aspak”.
 
Ndërsa i pyetur disa herë se pse e ka kryer këtë veprim, ai nuk ka pranuar të përgjigjet më tutje dhe për të dhënë hollësi tjera. Beqir Xhilaj i martuar katër herë autor i vrasjes së gruas së dytë të tij dhe të katërtës, tashmë do gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën  penale “ Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com