Le Monde:Sharmi i Ballkanit në Alpet
shqiptare, aty ku rakia është si ujë

Le Monde:Sharmi i Ballkanit në Alpet<br />shqiptare, aty ku rakia është si ujë
Alpet Shqiptare dhe rruga që të çon në Bjeshkë ka qenë në fokusin e një shkrimi të publikuar nga francezja Le Monde.
 
Shkrimi flet për pastërtinë, zakonet, natyrën e njerëzve të këtyre zonave ku rakinë e cilëson si ujin lokal të jetës, i cili është i pandarë nga kafja turke.

Pas vizitës mbresëlënëse në Alpet Shqiptare Geraldine Rue ka shkruar:
“Mirësevini në Alpe!», shkruante në pano. Gjashtëdhjetë kilometra larg nga Shkodra (qyteti më i madh në veri të vendit), kalimi nëpër qafën e Leçeve të Hotit, aty ku fillon hyrja zyrtare në Alpet Shqiptare, me thyerjet e tyre dredharake që premtojnë një shëtitje të gjatë, për shkak të qasjes së vështirë, nëpër disa peizazhe të papara e të jashtëzakonshme.
 
Me një lartësi mesatare prej 1500 metrash dhe me majat më të larta që nuk tejkalojnë 2700 metra, «Alpet» nuk janë gjithaq të larta. Për ta kuptuar më mirë se ku jemi disa saktësime janë të domosdoshme: Alpet Shqiptare u përkasin Alpeve Dinarike, të cilat shtrihen në zgjatimin e masivit të madh të Alpeve, prej nga dhe emri i tyre. Por Alpet shqiptare bëjnë pjesë sidomos në një varg tjetër bjeshkor, i cili shpërfaq shumë më mirë mendësinë e vendit, atë të Ballkanit.
 
Mercedesi i vjetër që hasëm në rrugë dhe disa pamje që i takonin një tjetër epoke i vendosin shpejt e ku duhet akrepat e orës.
 
I quajtur ndryshe Kelmendi, ky rajon (i Ballkanit) shtrihet në gjithë majat e Shqipërisë së veriut dhe kalon kufijtë për t’u shtrirë në një pjesë juglindore të Malit të Zi dhe në një pjesë të Kosovës perëndimore.
 
Banorët e këtyre bjeshkëve janë të njohur për ashpërsi, sepse janë rezistuesit e fundit të pushtimit osman në shekullin e ‘16. Shumica syresh janë me origjinë nga Tamara dhe një lapidar në sheshin krejt të ri e shumë të pastër të fshatit nderon kujtimin e tyre.
 
Ku ka mbetur sharmi i Ballkanit? Jo gjithaq larg. Të gjitha shitoret e vogla në të njëjtin shesh shesin të thuash të njëjtën gjë: raki (ujin lokal të jetës). «Duhet ta pish bashkë me kafenë tënde», përpiqet të më bindë udhërrëfyesi im, Rifati. Nuk më pëlqen kafeja turke dhe tash t’ia shtoj asaj edhe rakinë. Jo! Qiellza ime nuk e përballon.
 
Vendi ku do të qëndrojmë dy netët e ardhshme quhet Lëpushë. Ky fshat banohet nga gati njëqind veta, ndërkaq hoteli që po ndërtohet do të jetë mjaft i madh për ta strehuar krejt popullsinë e fshatit. Ky projekt lajmëron fundin e izolimit për disa dhe fundin e qetësisë për të tjerët. «Për çdo vit, gjithnjë e më tepër turistë vijnë për të zbuluar këtë krahinë dhe së shpejti do të jetë e vështirë për t’i strehuar të gjithë», më shpjegon Rifati, por pa dhënë mendimin e tij për këtë.
 
«Strehimi ynë i vetëm i mundshëm është kjo që po bëjmë sonte, do të thotë që të flemë te banorët». Aq më mirë sepse i adhuroj shtëpitë e mysafirëve. Nuk do të më zhgënjej dhoma ime: mbi mbulesën e shtratit tim është i shtypur këlyshariu Wini, si ai që ia kërkoja nënës sime kur isha i vogël. Veç këtij detaji të parëndësishëm, shpezët dhe derrat në kopsht na kredhin menjëherë në jetën e fshatit. Një mjedis që hoteli kurrë nuk do të mund të na ofrojë ndonjëherë.
 
Pika e parë e rrugëtimit tonë është shënuar mbi një bunker të vjetër : «Dhjetë vjet më parë, kur pata filluar profesionin e udhërrëfyesit, nuk ishte kështu!», rrëfen Rifati. Hutim mes nesh: ai ma tregon shënjimin e freskët orientues në të cilin kishte marrë pjesë edhe vetë, ndërkaq unë shikoja një ndër mijëra bunkerët e mëdhenj që do të mund t’i kisha numëruar që nga ardhja ime këndej. Në fakt ata janë pjesë integrale e peizazhit shqiptar dhe gjenden edhe në këndet më të veçuara të vendit!
 
«Të gjithë këta bunkerë janë ndërtuar për shkak të diktatorit komunist Enver Hoxha i cili dëshironte të mbrohej nga ndonjë pushtim i mundshëm jugosllav. Mund të themi se ishte paranoik», më shpjegon Rifati. Ne fillojmë të ecim nëpër fusha me pikaorientimi të vizatuara rishtas e bukur për të, dhe bunkerëve të vjetër për mua.
 
Synimi ynë është një kreshtë prej nga shihet një panoramë mahnitëse mbi luginë, por me kusht që koha të jetë e mirë, gjë që, tash për tash, nuk është. Fatmirësisht, kjo ditë na befason me takimin e këndshëm me një familje barinjsh që, verës jeton lart në kullosa dhe ky takim më bën t’i harroj retë e mëngjesit.
 
A është jeta e izoluar ajo që e bën kaq mikpritës këtë njeri, nënën, gruan dhe djalin e tij? Vetëm për pak lekë (monedha shqiptare), një kafe turke, djathë të deleve të tyre, disa flegra shalqi dhe shija karakteristike. Kur dolëm ne, gjyshja vazhdonte te shikonte nga pasdera atë botë të vogël… Pyesja vetën se çka do të ketë menduar për vizitorët që kishin ardhur prej aq larg për të ecur nëpër bjeshkët e saj.
 
Me të arritur mbi shkrepa, koha ani se me re, u hap për pak çaste, mjaftueshëm për të vlerësuar panoramën dhe për të na i shpërblyer kështu përpjekjet e gjithë ditës.
 
Me t’u kthyer në fshat, Rifati përpiqet dhe njëherë të më mësojë me kafe e raki. «Po ne edhe në mëngjes e pimë nga një kafe me raki», thekson ai, «shijoje të paktën një herë!» Hajt pra, fundja çka mund të rrezikoj? Dorëzohem duke thënë se, më e keqja që mund të më ndodhë, do të jetë një gjumë brenda çarçafëve të stolisur me ariun e vogël Wini.
 
Nesër në mëngjes, ne do të largohemi nga Lëpusha për të shkuar në Luginën e Vërmoshit. Të vazhdojmë./Tema


[gallery]21799[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar