FRANCË - Numër i lartë i emigrantëve, duke përfshirë edhe shqiptarët, po e përdorin një nga rrugët për marrjen e azilit në Francë, duke u paraqitur me probleme të rënda shëndetësore në spitalet e këtij shteti.

“Refugjatët mjekësorë” janë kthyer në një çështje të ndjeshme në Lion, pasi ka një rritje të lartë të kërkesave për azil të emigrantëve që paraqesin probleme shëndetësore të rënda, duke përfituar nga legjislacioni francez për azilkërkuesit.

Procedurat e azilit në Francë aktualisht i lejojnë edhe “refugjatët mjekësorë” që të përfitojnë trajtim falas 3 muaj pas aplikimit duke u futur edhe  në listën për transplant.
 
Sipas legjislacionit francez azil politik u garantohet refugjatëve që vijnë nga vende që konsiderohen të pasigurtë. Megjithëse Shqipëria, Kosova dhe Gjeorgjia nuk janë pjesë e këtyre vendeve, sapo emigrantët  regjistrohen në sistemin e azilit është tepër e vështirë që t’i largosh nga vendi i BE, pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, nëse ata nuk e kanë të mundur të marrin trajtim të plotë mjekësor në vendet e tyre.

le monde
 
Fakti që azil-kërkuesit mund të kenë probleme shëndetësore nuk është në vetvete një anomali. Por në Lion, mjekët dhe shoqatat thonë se ata po përballen me një fenomen të ri, të organizuar pasi ka një shtim të personave që pretendojnë se kanë probleme me sëmundje të rënda.

Si funksionon skema e përfitimit të azilit “Refugjatë mjekësorë”

Profesor Emmanuel Morelon, shefi i transplantimit në spitalin “Edouard Herriot” shpjegon për “Le Monde” skemën për azil kërkuesit që paraqiten si “refugjatë mjekësorë”.

“Zakonisht, këta njerëz, me të mbërritur në stacionin e trenit të Lionit, teksa duket se nuk janë mirë, dërgohen në urgjencën e qytetit. Mjekët në spital raportojnë më pas, se këta persona kanë nevojë urgjente për dializë. Dhe këta pacientë nisin trajtimin mjekësor dhe njëherazi bëjnë kërkesë për azil”.-thotë Morelon, duke shtuar se 3 muaj pas kësaj kërkese paraqesin një tjetër kërkesë sipas legjislacionit për azilkërkuesit, atë për transplant.

"Pasi kalojnë mesatarisht dy vjet për të marrë një vendim për një rast, është e rrallë që pas kësaj periudhe një kërkesa e një “refugjati mjekësor” të refuzohet apo ai të dëbohet. Sidomos nëse preken nga patologji të caktuara që janë serioze të mjaftueshme për t'u kualifikuar për rregullimin dhe dhënien e lejes së qëndrimit për "të sëmurë jashtë vendit"."-sqaron Morelon.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)