SPAK i konfirmon KQZ-së, përmes një shkrese zyrtare, dënimin e Kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Shkresa me firmën e Klodian Brahos, kreut të SPAK-ut, i drejtohet Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ku i bën të ditur se vendimi ndaj Kryebashkiakut Hajdari ka marrë formë të prerë, madje është nxjerrë edhe urdhri për ekzekutimin e dënimit.

Në dokumentin zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaron se procedimi penal ndaj Kreshnik Hajdarit është regjistruar me numrin 80, më datë 3 maj 2023, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Sipas SPAK, pas përfundimit të hetimeve paraprake, çështja është dërguar për gjykim më 18 dhjetor 2023. Më pas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.06 të datës 25 janar 2024, e ka deklaruar fajtor Hajdarin.

Në vendimin e saj, gjykata ka caktuar fillimisht një dënim me 9 muaj burgim. Por, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ulje të dënimit në rast të procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i është ulur një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burg.

SPAK e mori të pandehur Kreshnik Hajdarin, ndërsa ia komunikoi akuzën e falsifikimit të formularëve një ditë pasi KQZ nuk ia ndërpreu mandatin e kryebashkiakut.

Në 23 qershor të vitit 1999, ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, Kreshnik Hajdari ishte 17 vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit, por këtë dënim nga Gjykata e Janinës, nuk e kishte deklaruar.

Shkresa e plotë

I nderuar z.Celibashi,

Në përgjigje të shkresës suaj nr. 980 Prot prot, datë 27.04.2026, ardhur dhe protokolluar me datë 29.04.2026, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje shtetasin Kreshnik Riza Hajdari, ju informojmë se: Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal me Nr.80, datë 03.05.2023, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal, në ngarkim të shtetasit Kreshnik Riza Hajdari.

Pas përfundimit të hetimeve në lidhje me procedimin penal Nr.80, viti 2023, është vendosur dërgimi në gjyq, me kërkesë për gjykim më datë 18.12.2023, në ngarkim të të pandehurit Kreshnik Hajdari, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal.

Me vendimin Nr.06, datë 25.01.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur :

Deklarimin fajtor të të pandehurit Kreshnik Hajdari për kryerjen e veprës penale "Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve", parashikuar nga neni 190/2, të K.Penal dhe dënimin e tij me 9 (nëntë) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 406/1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Kreshnik Hajdari i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 01 shkurt 2024 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal nr.06, datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili ka marrë formë të prerë, po në këtë gjykatë me datë 05.07.2024.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,

DREJTUESI I PROKURORISË

Klodjan Braho

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajm në përditësim...