Legalizimet e paligjshme, paditen
ish-krerët e ALUIZNI-t Sarandë

SARANDE- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-drejtorët e Agjencisë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) në Sarandë.

Pas auditimit të realizuar në këtë agjenci për veprimtarinë në periudhën Janar 2011-shtator 2013 ka rezultuar se dy ish-drejtues të kësaj agjencië dhe 5 drejtorë Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t në Sarandë, kanë abuzuar me detyrën duke lejuar legalizime të jashtëligjshme në Zonat Arkeologjike dhe pranë Vijës Bregdetare për mbi 100 subjekte.

Nisur nga këto shkelje, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Sarandë për ish-drejtorin e kësaj agjencie për periudhën Janar 2011-Gusht 2011, me iniciale R.T., dhe për ish-drejtorin me iniciale V.K., në periudhën Shtator 2011- Shtator 2013.

Dy këta ish-drejtues janë kallëzuar penalisht me akuzën e shpërdorimit të detyrës për legalizimin e objekteve informale mbi monumentet arkeologjike, për cënim të integritetit të Monumenteve të Kulturës, si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit monetar subjekteve ish pronarë në buxhetin e shtetit, si dhe për moskryerjen e procedurave ligjore gjatë procesit të legalizimit.
 
Po kështu dhe për 5 drejtuesit me inicialet L.C, M.N, G.Z, P.P dhe B.J, gjatë auditimit kanë rezultuar shkelje sa i takon “zbatimit të procedurave ligjore për mbledhjen përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti tek posedues i ndërtimit pa leje”.
 
Sipas njoftimit të KLSH, këta ish-drejtues janë kallëzuar penalisht edhe sa i takon parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin. Në 148 rate, për një sipërfaqe prej 15 216.2 m2 janë arkëtuar më pak të ardhura, në vlerën 158 324 960 lekë, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit.
 
Shkëlje janë konstatuar edhe në 60 raste për sipërfaqen 1889.34 m2, ku sërish janë arkëtuar më pak të ardhura, në vlerën 6,963,959 lekë, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit, pra të ardhura të munguar për fondin e kompensimit monetar të ish pronarëve.
 
NË BASHKINË SARANDË:
- 60 raste të vetëdeklarimeve, janë objekte ose shtesa të objekteve ekzistuese e që nuk duhet të legalizoheshin pasi janë ndërtuar pranë vijës bregdetare. Nga këto 44 objekte kanë marrë miratimin me VKM për shitjen e truallit dhe 16 objekte, kanë marrë lejen e legalizimit.
 
- 45 objekte pa leje janë në zonat arkeologjike nga të cilat 28 objekte kanë marrë miratimin me VKM për shitjen e truallit.
 
- 12 objekte pa leje janë mbi trupin e rrugës kryesore, nga të cilat 9 objekte kanë marrë miratimin me VKM për shitjen e truallit .
 
NË KOMUNËN LUKOVË:
-Kanë miratuar me VKM shitjen e sipërfaqeve të parcelës ndërtimore në zonat turistike për 69 raste për sipërfaqen 28,554 m2, nga këto në 9 raste, për sipërfaqen 2,956 m2të parcelës ndërtimore, është dhënë leja e legalizimit
 
Legalizimi i ndërtimeve pa leje në zonat turistike, pa pasur të miratuar më parë me Vendim të Këshillit të Ministrave vijën kufizuese të tyre, është shkelje e kërkesave të VKM nr. 88, datë 1.3.1993, i ndryshuar dhe i ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, i ndryshuar, neni 38/1.
 
NË KOMUNËN KSAMIL:
-Kanë miratuar me VKM shitjen e sipërfaqeve të parcelës ndërtimore në brezin mbrojtës të vijës bregdetare, zonat turistike, për 24 raste e sipërfaqen 9283,83 m2, nga këto:
 
- në 17 raste, është dhënë leja e legalizimit në kundërshtim me “Planin e Përgjithshëm Rregullues të Qendrës së Banuar Ksamil” të miratuar me vendim të KRRTRSH nr. 4 datë 18.12.2004. Në këtë plan është parashikuar “Brezi mbrojtës i vijës bregdetare jo më pak se 100 metra linear” me sipërfaqe 66,85 ha, me VKM nr. 438, datë 28.6.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, si dhe në shkelje të kërkesave të konventës së Barcelonës “Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut”, miratuar me ligjin nr. 10234, datë 18.2.2010 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin “Për menaxhimin e integruar të zonave bregdetare në Mesdhe” të konventës së Barcelonës “Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut”.
 
- Në një rast, legalizimi i objektit nuk figuron në ortofoton digjitale të qytetit të Sarandës, ka dalë VKM nr. 125, datë 17.02.2010, me sipërfaqe toke 450 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 29.5 m2, objekti rezulton se ndodhet në zonën e gjelbër dhe në buzë të detit, si dhe mungon në dokumentacion: gentplani paraprak ( ose skica fushore), proces verbali i konstatimit, akt kualifikimi
 
-Në një rast, objektit i legalizuar është tërësisht brenda monumenteve të kulturës, është legalizuar për gjithë sipërfaqen e truallit prej 273 m2 tokë, (nga 85 m2 të kërkuar) dhe për objektin e ndërtimit për gjithë sipërfaqen prej 900 m2, për këtë duhej të merrej leja nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës Sarandë.
 
- për 620 dosje, të cilat janë legalizuar me VKM, me mungesë të plotë të dokumentacionit si: Akt Kualifikimi, Proces Verbali i Konstatimit, Gen Plani Paraprak, ose Skica Fushore dhe Ortofotot.
 
- 95 raste, ka mos përputhje të plotë të proces verbaleve, akt rikonstatimet më datat që është lidhur kontrata për shitjen e sipërfaqes së tokës dhe me miratimin me VKM.
 
- 71 raste(dosje) (Leje Legalizimi) dhënë në vitin 2013, të dërguara në ZVRPP Sarandë, janë kthyer për mospërputhje pranë Drejtorisë Rajonale Aluizni-t, si më poshtë:
 
- mos përputhje të sipërfaqes të parcelës, midis kontratës dhe gent planit dhe lejes ;
 
- mos përputhje të numrit të kateve me sipërfaqen totale të ndërtimit;
 
- mos përputhje të emrave midis kontratës dhe lejes të Legalizimit;
 
- në 9 raste, lejet e legalizimit nuk janë shoqëruar me kontratat e shitjes
 
- ka tejkalim të sipërfaqes së ndërtimit (baza) me sipërfaqen e parcelës;
 
- kthim të Lejeve të Legalizimit, për arsye të mbivendosjeve me pronat e pronarëve ekzistues;
 
- në 255 raste, janë tërhequr dosje nga arkiva për tu punuar, por nuk disponohet asnjë dokumentacion dhe nuk dokumentohet ku ndodhen 255 vetëdeklarime përkatëse;
 
B. Për z. R.T., ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë në periudhën (Janar 2011 - Gusht 2011), që mbulonte degën Sarandë:
 
Për shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje; në mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjeve të legalizimit të objektit informal, në shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti tek posedues i ndërtimit pa leje; legalizimin e objekteve mbi monumentet arkeologjike duke cënuar integritetin e Monumenteve të Kulturës, lejimin e kualifikimit të dosjeve të vetëdeklarimeve , si më poshtë:
 
- Ka pranuar dhe kualifikuar dosjet që kanë mungesë të plotë të dokumentacionit si: Akt Kualifikim, Proces Verbal Konstatimit, Gen Plan Paraprak, ose Skica Fushore, Ortofotot.
 
a. Për bashkinë Sarandë.
 
- 316 vetëdeklarime, janë trajtuar dhe kanë përfituar legalizim përmes 8 VKM të nxjerra në periudhën 27.01.2009 deri më 18.11.2009.
 
b. Për Komunën Ksamil,
 
- 202 vetëdeklarime, janë trajtuar dhe kanë përfituar legalizim përmes 9 VKM të nxjerra në periudhën 23.12.2008-17.02.2011.
 
Këto veprime janë në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje“,VKM nr. 437, datë 28.6.2006 “Për përcaktimin e procedurave për mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për ngritjen e bazës së të dhënave”, VKM nr. 438 datë 28.06.2006. “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, VKM nr. 515, datë 13.5.2009 “Për përcaktimin e afateve, të mënyrës dhe kohës së ushtrimit nga Aluizni të përgjegjësive të zyrave të urbanistikës dhe të Këshillave të qarqeve, gjatë procedurave të legalizimit të objekteve informale”, Urdhrin nr. 846, datë 11.10.2012, Urdhrin nr. 958, datë 18.12.2012 të Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-T “Për Hartimin dhe paraqitja e materialeve grafike (Gen Plan, Planimetri) të objektit që legalizohet”,
 
-Në 11 raste(dosje) janë konstatuar mungesë dokumentacioni ligjor, e domosdoshme për procedurat e legalizimit:
 
- Miratuar me VKM, kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore pa përgatitur planimetritë digjitale për çdo dosje .
 
- Miratuar me VKM, kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, pa përgatitur, paguar dhe dorëzuar nga subjektet faturat financiare.
 
- Miratuar me VKM, kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, me gabime të theksuara në sipërfaqe dhe konfiguracion.
 
- U është lidhur kontrata, 1- 2 vjet më përpara se ka dalë akt kualifikimi apo akt konstatimi.
 
-Në të gjitha rastet rezultoi se skicat fushore, procesverbalet e konstatimit dhe genplanet paraprake janë plotësuar me laps dhe me korrigjime pa u plotësuar plotësisht me të dhënat e kërkuara.
 
- Miratuar me VKM, shitjen e sipërfaqeve të parcelës ndërtimore në Brezin mbrojtës të vijës bregdetare, në kundërshtim me “Planin e Përgjithshëm Rregullues të Qendrës së Banuar Ksamil” i miratuar me vendim të KRRTRSH nr. 4 datë 18.12.2004, për zonat turistike në 24 raste, për sipërfaqen 9283,83 m2 , nga këto në 17 raste, është dhënë edhe leja e legalizimit. Këto veprime janë në shkelje të kërkesave të konventës së Barcelonës “Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut”, miratuar me ligjin nr. 10234, datë 18.2.2010 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin “Për menaxhimin e integruar të zonave bregdetare në Mesdhe” të Konventës së Barcelonës “Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut”.
 
Në total nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si pasojë e veprimeve të mësipërme joligjore dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit në fuqi, është konstatuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit për fondin e shpërblimit monetartë ish pronarëve në vlerë prej 171,509,482 lekë duke cënuar interesin publik.
 
Janë bërë mbi 100 legalizime të paligjshme në Zonën Arkeologjike të qytetit të Sarandës dhe zonën rreth saj.
 
Për të gjitha veprimet e mësipërme, KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe Vlorë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse, përmes kallëzimeve për shpërdorim detyre për ish-Drejtuesit e Degës R.T., V.K. dhe drejtuesit e tjerë L.C, B.J, G.Z, P.P dhe M.N.
 
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t fillimi i procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga puna” për ish drejtorin e ALUIZNI Sarandë, tre përgjegjës sektori dhe dy specialistë në këtë institucion, si dhe marrja e masave të tjera disiplinore për katër nëpunës të tjerë të këtij institucioni.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi