Këshilli i MInistrave ka vendosur të mërkurën kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Elbasan, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Durrës, Vlorë dhe Shkodër. Sipërfaqja e kompensuar është 20.694,8 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është mbi 347,3 milionë lekë, ose afro 2.8 milionë euro.
Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga ALUIZNI, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale, që legalizohen.
Për kompensimin financiar të disa prej pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet pa leje, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit.
Do të jenë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë, dhe Shkodër, që do të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
VKM ngarkon Agjencinë Shtetërore e Kadastrës (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme) dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
(Kliko këtu për të lexuar emrat e pronarëve që marrin 2.8 milionë euro)
Komente

