TIRANË- Pasi kryeministri Edi Rama u tërhoqi vëmendjen kryebashkiakëve për ngecjen e procesit të legalizimit, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një marrëveshje mes Bashkisë së Tiranës Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të përfunduar procedurat e legalizimit.

Marrëveshja u miartua në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, 8 tetor, e cila u zhvillua me tensione pasi opozita tentoi të pengojë mbledhjen. Marrëveshja mes Bashkisë së Tiranës dhe Kadastrës u miratua pa vota e opozitës.

Përmes kësaj marrëveshjeje, synohet të çohet para procesi i legalizimit, një prioritet i vendosur nga qeveria Rama, për të mundësuar zgjidhjen më të shpejtë të kërkesave për legalizim. Kryebashkiaku Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit tha se ky është një lajm i mirë dhe shpjegoi se bashkëpunimi përfshin ndarjen e informacioneve, identifikimin e blloqeve gjeografike dhe hartimin e planeve të punës për një proces më të strukturuar dhe efikas.

“Ne kemi marrë një vendim sot që, në fakt i përgjigjet vendimit të madh që ka marrë qeveria, për t’i transferuar bashkive një pjesë për legalizimet e mbetura. Pra, të këtyre anomalive që kanë ngelur ndër vite. Kjo nuk do të zëvendësojë ASHK. Përkundrazi, ajo që ne kemi kaluar sot është një marrëveshje midis Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që Bashkia në të 27 njësitë vendore të vetat, të ketë një zyrë që ndihmon qytetarët dhe kategorizon këto lloj anomalish që kanë ngelur ende pa legalizuar. Besoj se është një lajm i shkëlqyer. Edhe ata që janë në zona rurale, që deri dje mund të kishin disa pengesa ligjore që sot janë lehtësuar dhe nuk hyjnë tek kategoria që prish punë në infrastrukturën e madhe jetike të qytetit. Ky është një lajm shumë i mirë për të mbyllur edhe epilogun e legalizimeve në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Pak kohë më parë qeveria shqiptare vendosi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje për të ndihmuar qytetarët në përshpejtimin e këtij procesi kompleks. Ndërkohë, në një takim që Rama zhvilloi më 8 tetor me kryebashkiakët e të gjithë vendit pati kritika për procesin e legalizimeve, ndërsa tha se këtë pikë duhet ta çojnë para pa asnjë justifikim.