Sipas procedurave aktuale, nevojiten minimalisht dy muaj që një dosje e miratuar nga ALUIZNI, të regjistrohet në zyrat e hipotekave. “Jemi duke riparë disa prej procedurave, kryesisht në raport me ZQRPP, për të thjeshtuar në maksimum këto procedura. Kemi pasur gatishmërinë e ZRPP-së dhe jam i bindur që pas një muaji, do të jemi këtu për të shpallur këto masa të reja, të cilat intensifikojnë, minimalisht dyfishojnë shpejtësinë e operimit në procesin e legalizimit”, tha Lame në një konferencë për shtyp.
Burimet kanë bërë të ditur se, mes ZRPP dhe ALUIZNI-t kanë nisur konsultimet mbi dokumentet që do të thjeshtohen në regjistrimin e banesave të legalizuara. Për këtë mësohet se po shqyrtohen mundësitë për procesin e verifikimit të të dhënave, si dhe të koordinimit mes palëve përsa i përket hartës së vendosjes së banesave që legalizohet. Po ashtu dhe regjistrimi i faturave të paguara dhe procedura e kalimit të së drejtës së pronësisë do të jenë pjesë e marrëveshjes mes ALUIZNI-t dhe Hipotekës.
12 milionë dollarë
Kreu i ALUIZNI-t bëri dje një bilanc të punës së institucionit, duke theksuar se arkëtimet nga pagesat e trojeve të legalizuara arrijnë për vtin 2015 në total 1.4 miliardë lekë (afërsisht 12 milionë dollarë), 4 miliardë lekë më shumë se ç’ishte planifikuar. “Sot, pas një viti e gjysmë të operimit të kësaj skeme, do të doja të publikoja disa shifra rreth realizimit të të ardhurave nga ky proces.
Për periudhën maj – dhjetor 2014, u arkëtuan 307 milion lekë. Ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliard lekë” tha Lame. Gjatë fjalës, Lame theksoi se në masë të madhe volumi i arkëtimeve i detyrohet lehtësirave të propozuara nga qeveria në shlyerjen e detyrimeve për legalizimin e trojeve nga ata persona që kanë ndërtuar në tokë shtet, apo në toka me pronar. Ai theksoi se i vetmi detyrim që ju mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall jo të tyrin, pra shtet apo me pronar, është pikërisht pagesa e truallit.
Regjistrimi në hipotekë, afati 30 ditë
Procedura në ZRPP 5 mijë lekë, kamatëvonesë 10% për çdo ditë vonesë
Nga momenti i miratimit dhe dërgimit të dosjes së legalizimit në zyrat e regjistrimit të pasurive, qytetarët kanë 30 ditë kohë për të kryer hipotekimin e pronës për marrjen e certifikatës së pronësisë. Procedura e regjistrimit në Hipotekë kushton 5 mijë lekë, ndërkohë që, pas periudhës 30 ditore, qytetarët do të ngarkohen me një kamatëvonesë prej 10% për çdo ditë vonesë. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka bërë publike në faqen e re zyrtare tarifat, afatet dhe kamatëvonesat e shërbimeve, ku bie në sy se nga momenti i marrjes së dosjes së miratuar nga ALUIZNI, procedura e regjistrimit të pronës nuk mund t’i kalojë dhjetë ditët.
Kamatëvonesat
Zyra qendrore e regjistrimit të pasurive ka krijuar faqen e re zyrtare ku ka bërë publike çmimet e shërbimeve, afatet, bashkë me penalitetet që do t’u ngarkohen subjekteve që nuk respektojnë termat kohore. Sipas tabelave, subjektet do të ngarkohen me kamatëvonesa nëse shkelin afatet ligjore për disa nga veprimet për të cilat ligji përcakton afate kohore.
Kështu, nëse regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ, nuk kryhet brenda afatit kohor prej 30 ditësh, subjekti do të ngarkohet me një kamatëvonesë prej 10% të shumës 3,500 lekësh që është tarifa e këtij shërbimi.
Kamatëvonesa do të paguhen gjithashtu edhe në rastet kur nuk kryhet në kohë regjistrimi i aktit për kalimin e pronësisë nga përmbaruesi gjyqësor, regjistrimi i kontratave të shitjes, regjistrimi i kontratës së dhurimit, regjistrimi i titujve " në përdorim", apo regjistrimi i aktit të trashëgimisë. Kamatëvonesa prej 10% në ditë parashikohen gjithashtu edhe për objektet e legalizuara të cilat nuk regjistrohen brenda 30 ditëve, siç parashikon ligji.
Fondi i kompensimit, treguesit
Për periudhën janar – gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliard lekë
Për periudhën maj – dhjetor 2014, u arkëtuan 307 milion lekë
Për periudhën maj – dhjetor 2014, u kompensuan 460 ish-pronarë
Për periudhën janar – gusht 2015, janë përfshirë në procesin e kompensimit 2290 ish-pronarë
Plani vjetor sipas buxhetit të shtetit ka qenë 1 miliard lekë
Deklarata e plotë e kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame
Një prej elementeve thelbësorë të procesin e legalizimeve, ka qenë dhe mbetet koordinimi i procesit të legalizimeve me atë të kompensimit të pronarëve që ju është zënë trualli nga këto ndërtime.
Kujtoj këtu se i vetmi detyrim që ju mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall jo të tyrin, pra shtet apo me pronar, është pikërisht pagesa e truallit.
Në këtë pagesë, qytetarët përfitojnë një sere uljesh, pasi çmimi i truallit përllogaritet deri në 2.000 lekë/m2, pavarësisht nga vlera e tregut; ai përfiton ulje 20% për pagesë të menjëhershme; deri 50% mund të paguhet me letra me vlerë; etj.
Të gjitha këto parashikime kanë bërë që qytetarët e interesuar të përfshihen masivisht në procesin e pagesës së truallit, me qëllimin përfundimtar legalizimin dhe formalizimin e pronës së tyre.
Sot, pas një viti e gjysëm të operimit të kësa skeme, do të doja të publikoja disa shifra rreth realizimit të të ardhurave nga ky proces.
Për periudhën maj - dhjetor 2014, u arkëtuan 307 milion lekë.
Ndërsa për periudhën janar - gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliard lekë.
Eshtë vendi të kujtoj se plani vjetor sipas buxhetit të shtetit ka qenë 1 miliard lekë dhe, me këto ritme pagesash, parashikojmë që deri në fund të vitit ai të realizohet mbi 160%.
Kontributin më të madh në arkëtimin e këtyre të ardhurave, e ka dhënë:
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-1, në shumën 425 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, 370 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë, 133 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Fier, 101 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-3, 80 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Shkodër, 72 milion lekë.
Ndjehem realisht krenar me punën e bërë nga këto drejtori rajonale, por edhe nga i gjithë stafi i ALUIZNI-t, për tejkalimin e një objektivi të tillë.
Por nga ana tjetër, një realizim dhe tejkalim i tillë, është një shenjë e qartë e besimit të publikut tek procesi i legalizimit dhe tek skema e adoptuar nga qeveria e sotme për mënyrën e operimit.
Po ku shkojnë këto të ardhura?
Në zbatim të Ligjit 10239 të vitit 2010 “Për krijimin e Fondit Special të kompesimit të pronave”, e gjithë shuma e arkëtimeve, ka destinacion pagesën e pronarëve të shpronësuar nga procesi i legalizimit. Në këtë proces, edhe paratë që grumbullohen nga trualli shtet, shkojnë për të plotësuar shpërblimin e ish-pronarëve.
Më konkretisht, për periudhën maj - dhjetor 2014, u kompensuan 460 ish-pronarë.
Ndërsa për periudhën janar - gusht 2015, janë përfshirë në procesin e kompensimit 2290 ish-pronarë.
Veç kësaj, shteti, përmes ALUIZNI-t, kontribuon edhe në paqen sociale midis shqiptarëve, duke grumbulluar paratë nga parcelat e zëna dhe duke jua shpërndarë pronarëve të tyre. Dhe duke shmangur në këtë mënyrë përplasjen midis tyre.
Edhe nga kjo pikëpamje duhet thenë se procesi i legalizimeve ka krijuar besim edhe tek kjo shtresë qytetarësh, e cila prej vitesh ishte zënë në kurthin pa dalje që truallin as e gëzonte dot se ju ishte zënë, e as mund të kompensohej sepse procesi i legalizimeve kishte ngecur.
Nëpër drejtoritë tona rajonale, si edhe në drejtorinë e përgjithshme, janë depozituar një numër i madh kërkesash të ish-pronarëve që ju është zënë trualli me ndërtime pa leje dhe që kërkojnë përshpejtimin e procesit të legalizimit, pikërisht me qëllimin që ata të përfitojnë kompensimin financiar për truallin e zënë.
Të gjithë këtë proces, në një kuadër më të gjerë, ne e shohim si pjesë e reformës së madhe të Qeverisë Shqiptare për formalizimin e pronës dhe ekonomisë shqiptare.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)