Ndryshimet në vendimin nr.383, datë 19.5.2010, Të Këshillit të Ministrave, “për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar u miratuan dje në mbledhjen e qeverisë.
Sipas vendimit të ndryshuar AKKP-ja, brenda 5 ditëve nga miratimi i kërkesës dhe listës së subjekteve që kompensohen, kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
Në total do të përfitojnë shpërblimin financiar rreth 4577 pronarë, trualli i të cilëve është prekur nga ndërtimet informale Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave angazhohet për zbatimin e këtij vendimi.
JA VENDIMI I MIRATUAR DJE NGA KESHILLI I MINISTRAVE
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.383, DATË 19.5.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË SHPËRNDARJES SË FONDIT TË KOMPENSIMIT NË VLERË PËR PRONARËT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 8, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.383, datë 19.5.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. AKKP-ja, brenda 5 ditëve nga miratimi i kërkesës dhe listës së subjekteve që kompensohen, kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
Për marrjen e kësteve në vijimësi, subjekti përfitues nuk duhet të paraqesë kërkesë të re për përfitim. AKKP-ja, në varësi të kritereve të shpërndarjes së fondit të kompensimit dhe gjendjes së tij, bën derdhjen e shumës përkatëse në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, duke e njoftuar atë për veprimin bankar të kryer.”.
b) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. AKKP-ja realizon ndarjen e fondit të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri të cilat preken nga ndërtimet informale, deri në të njëjtën masë të përfituar në këstin e parë nga subjektet e kompensuara më parë.
Pjesa e fondit, e mbetur pa u shpërndarë, si pasojë e mosaplikimit të subjekteve përkatëse, shpërndahet nga AKKP-ja në vlerë proporcionale, për këstet e mbetura të subjekteve që kanë përfituar të drejtën e shpërblimit më parë në kohë. Fillimisht, nëse pjesa e mbetur e fondit është e mjaftueshme, AKKP-ja procedon me shpërndarjen deri në masën e plotë të shpërblimit për subjektet të cilëve u ka lindur e drejta e kompensimit njëkohësisht dhe më parë në kohë, krahasur me subjektet e tjera, referuar datës së vendimit të Këshillit të Ministrave, që përcakton shpërblimin e pronarëve për pasuri të cilat preken nga ndërtimet informale.
Në këtë mënyrë vijohet deri në shpërndarjen e vlerës së plotë të shpërblimit për të gjitha subjektet që e kanë përfituar këtë të drejtë me vendime të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri të cilat preken nga ndërtimet informale.”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
(sg/shqiptarja.com)