TIRANE- Me vendimin e djeshëm shtesë Këshilli i Ministrave ka vendosur procedimin për legalizimin e ndërtimeve pa leje të shtesa në pallatet e ndërtuara nga shoqëria Hawai, e njohur ndryshe si pallatet e ‘arabit’. Kështu, qeveria ka vendosur përcaktimin e procedurave të legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi të ndërtuar nga kjo shoqëri ndërtimore.

Në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit nr.9482 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave, vensosi që pas pikës 4, të vendimit korrikut të këtij viti të Këshillit të Ministrave, shtohet pika me këtë përmbajtje: “Kur trualli mbi të cilin është ngritur objekti bazë ose shtesa anësore/në lartësi, apo një pjesë e tij, rezultojnë në pronësi shtetërore, sipas regjistrit të pasurive të paluajtshme, kalimi i pronësisë mbi sipërfaqen përkatëse kryhet pa pagesë, në mbështetje të neneve 3, pika 4, e 4, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 761 të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”.

Në këtë mënyrë qeveria shqiptare ka vendosur që të sjellë në legjitimitet të gjitha këto ndërtime të bëra kohë më parë, për të garantuar që dhe qytetarët e pajisur me banesa në këto pallate të kenë mundësinë që pronën e tyre ta kenë të regjistruar ligjërisht si dhe ta përdororin po ligjërisht për marrjen e kredive apo kolateral për ta lënë në bankë që të fillojnë një biznes apo veprim financiar. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)