Raporti i KLSH
Dy objektet e trojet që janë pajisur me leje, janë brenda territorit të Qytetit Studenti. Ky ka qenë rezultati i raportit të KLSH-së, pas kontrollit të bërë në lidhje me legalizimet në këtë zonë. Në raport shkruhet se: “Origjina e pronësisë është nëpërmjet kontratës së shitjes së truallit të vitit 2000 të kryer nga Bashkia Tiranë dhe leje legalizimi të vitit 2012 në kundërshtim me ligjin pasi trualli dhe objektet e legalizuara janë pjesë e truallit të Qytetit Studenti”. Pas këtyre kontrolleve të vitit 2012, KLSH ka ushtruar një tjetër auditim, këtë herë në vitin 2014, ku ka gjetur shkelje edhe nga ana e ish-kreut të ALUIZN-it të Tiranës. Pas gjetjes së këtyre shkeljeve, KLSH-ja ka bërë kallëzim penal dhe ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj këtyre dy ish-zyrtarëve të legalizmit.
Hetimet e Policisë
Hetimet ndaj dy ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t janë duke u bërë nga efektivët e seksioni të Korrupsionit. Bozho dhe Bozho akuzohen për “Shpërdorim të detyrës” dhe atë të “Falsifikimit të dokumenteve”. Procedimi ndaj tyre ka filluar pasi mbi bazën e informacioneve të seksionit për Korrupsionit, si dhe në raport të KLSH-së, ka rezultuar se Kreshnik Bozho dyshohet se se në vitin 2012, ka pajisur me leje legalizimi në shkelje të ligjit, për dy ndërtime pa leje në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë. Po ashtu, në vijim këto ndërtime janë regjistruar në Zyrën Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme po në kryeqytet në kundërshtim me ligjin e regjistrimit, duke shmangur në këtë mënyrë edhe detyrimet që do të depozitoheshin në këtë institucion. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të tjera ndaj dy ish-zyrtarëve të drejtorisë së legalizimit të pronave.
Florenc Hoxha do hetohet në gjendje të lirë
Gjykata e Apelit në kryeqytet ka ndryshuar gjatë ditës së djeshme masën e sigurisë ndaj kreut të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha. Në vendimin e saj, gjykata është shprehur se Hoxha nga “arrest shtëpie” do të hetohet në gjendje të lirë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në të njëjtën çështje është edhe kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti. Më 19 qershor, Florenc Hoxha u vu në pranga me urdhër-arresti nga Gjykata, pasi ndaj tij janë depozituar 6 kallëzime penale, ndërsa dy ditë më pas në një seancë me dyer të mbyllura Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest shtëpie”. Ndërsa, për Kreun e Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar, Zyhdi Dajti Gjykata e Tiranës dha masën “detyrim paraqitje”, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në Gjykatën e Tiranës, Dajti dhe Hoxha kanë deklaruar se akuzat ndaj tyre janë të pabazuara.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)