Legjenda e futbollit polak, Zbigniew Boniek (70 vjeç), ka paralajmëruar ekipi e Polonisë për përballjen kundër Shqipërisë në gjysmëfinalet play-off të Kupës së Botës 2026, sfidë e cila luhet të enjten e 26 marsit në Varshavë.
Në një deklaratë për mediet vendase, Boniek theksoi se, ndonëse kombëtarja e Polonisë konsiderohet favorite, ndeshja është larg të qenit e lehtë.
“Humbja kundër Shqipërisë do të ishte një goditje shkatërruese për futbollin polak. Askush nuk do ta kishte imagjinuar, por përballemi me një kundërshtar shumë të vështirë, që po kalon një moment të shkëlqyer. Jemi favoritë, por kjo nuk do të jetë një formalitet”, u shpreh Boniek.
Ish-ylli polak vlerësoi gjithashtu forcën dhe karakterin e skuadrës shqiptare, duke e cilësuar atë si të paparashikueshme dhe në formë shumë të mirë.
Ai rikujtoi edhe përballjet e fundit mes dy ekipeve, ku Shqipëria arriti të lërë pas Poloninë në kualifikueset e 'Euro 2024', ndërsa ndeshja e zhvilluar në Varshavë në mars 2023 u fitua me shumë vështirësi nga polakët.
Sipas Boniek, përvoja dhe inteligjenca taktike e Shqipërisë e bëjnë këtë duel një sfidë të hapur, ku çdo rezultat mbetet i mundur.
"Ky është një ekip me përvojë dhe inteligjent që e kaloi Poloninë në kualifikueset e Euro 2024 dhe ndeshja në Varshavë në marsin e 2023 përfundoi me një fitore me fat 1-0 për ekipin tonë", tha ai duke paralajmëruar të tijtë.
Komente






