Legjenda Janaq Paço, nga kërcënimi
për nudot tek “Dy gladiatorët”

Legjenda Janaq Paço, nga kërcënimi<br />për nudot tek “Dy gladiatorët”
TIRANE - Ndërsa shekulli i XX, po trondiste botën pamore me kendvështrimet e  ndryshme mbi nudot, me Pikaso, Matisse, Maillol, Antonio Bourdelle, Bonard, Mooere dhe Bacon, në Shqipëri  burgoseshin, vriteshin dhe kërcënoheshin artistët.

Në një rrugë në qendër të Tiranës, në studion e tij të rrënuar, skulptori Janaq Paço, thyente, nudot “e turpëshme”. Ishte koha kur vritej bukuria, kohë e helmët e pleniumeve të zinj me gjarpërinjtë e mbledhur kutullaç mbi gurët e rëndë të piramidës së Keopsit. Këta gjarpërinj kishin helmuar shumë artistë, edhe atë vetë.

Paço ishte themeluesi i skulpturës dhe i shkollës së nudos në Shqipëri. Kontributi i tij në edukimin artistik dhe estetik të brezave qe i veçantë. Shpirti i tij ishte universal në lidhje me historinë, filozofinë, moralin dhe religjionin në artin e tij.

I lindur më 14 mars 1914 në Konicë, ku prej vitesh punonte i ati i ardhur familjarisht nga fshati Badëlonja i Përmetit. Në vitin 1925, familja e tij do të kthehej në Shqipëri dhe do të vendosej në Tiranë.

Në fëmijëri Janaqi do të binte në sy për talentin e tij, ndërsa shokët dhe vëllezërit do të luanin me top lëndinave, Janaqi i vetëm do të rinte me orë të tëra buzë lumit duke bërë figura prej balte, ndodhte dhe ja prishnin figurinat që ai të shkonte  e të luante me ta. Ndoshta ky qe dhe fati që do ta ndiqte edhe shume vite më pas punën e tij. Paço nuk tërhiqej, ai do të shkëlqente në vizatime dhe modelimin e figurave të ndryshme në argjilë, madje kur u kthye në Tiranë ai u shqua në një ekspozitë të hapur në “Kafe Kursal”, midis nxënësve të tjerë pjesëmarrës.

Një tregtar nga Selaniku, mik i babait, do ta merrte me vete djalin e talentuar, i cili do të mbaronte shkollën e mesme artistike në qytetin e Selanikut. Në vitin 1933, Janaq Paço do të fitonte konkursin e pranimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë. Atje ai do të vazhdonte studimet për skulpturë nën drejtimin e Drejtorit të Akademisë së Arteve Kostandin Dimitriadhis, nxënës dhe adhurues i skulptorit të madh Francez Augusto Rodenit. Duke parë talentin dhe karakterin e Janaq Paços, drejtori i akademisë, jo vetëm e cakton si asistent, por e mban në atelie dhe e trajton si birin e tij djalin e ndrojtur me një vizion të rrallë për artin.

Skulptori i ri Paço, shkëlqen në punën e diplomës, duke fituar çmimin e parë midis studentëve të akademisë, me portretin në mermer të shoqes së tij Trilivia. Edhe mbas përfundimit të studimeve, ai vazhdonte të punonte në studion e Kostandin Dimitriadhis. Në vitin 1941, lufta dhe kriza e rëndë ekonomike që pushtoi vendin fqinj, e detyron Janaq Paçon të kthehej në Shqipëri. Me vete do të merrte Trilivian e mermertë, të cilën do t`ia ndalonin në postën kufitare, duke menduar se ishte një skulpturë antike e marë nga muzeumet e Athinës. Skulptorit të ri, ju desh të priste me ditë të tëra ne kufi për të rimarë Trilivian e tij, e cila sot ndodhet ne Galerine Kombetare të Arteve figurative në Tiranë.

KTHIMI NË TIRANË

Mbas Kthimit në Tiranë, punoi si mësues vizatimi në gjimnazin ne të cilin kish filluar studimet e shkollës së mesme. Gjatë kësaj periudhe ai punon pa reshtur  dhe në një konkurs të organizuar në ato vite, ai fiton çmimin e parë me : “Kokën e Angjelinës “motrës së tij të bukur, të cilën e bleu një Italian i mrekulluar nga punët e skulptorit.
Pas çlirimit të vendit, së bashku me Odise Paskalin ishin themeluesit e degës së skulpturës në Liceut artistik, Janaq Paço punoi si mësues në Lice, deri sa doli në pension.

Mësimdhënia në liceun artistik, është puna pasionante që bënte Paço në edukimin e dhjetëra brezave, me shijet artistike dhe estetike larg ideologjizmave të kohës.
Legjenda Paço do të merrte dhenë për mjeshtërinë që tregoi në realizimin e monumentit të heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Në vitin 1948, ai fitoi konkursin midis shumë konkurrentëve të huaj dhe vendas. Kjo kishte qenë ëndrra e tij e vjetër, atëherë kur qe larg me studime.

Konkursi i parë i organizuar në vitin 1937, ishte fituar nga kroati Agustinçiç, Kryetar i Akademisë së Zagrebit, për të cilin nuk u ra dakord nga opinion vendas. Më pas iu besua Italianit, Romano Romanelli, monumenti i realizuar prej tij ndodhet sot në Romë, në sheshin Albania. Tashmë heroi kombëtar mbante firmën e një tjetër legjende shqiptare, e quajtur Janaq Paço. Me një përkushtim dhe mjeshtëri të rallë do të punonte për 10 vjet rresht deri në inaugurimin e tij më 27 nëntor 1959, në qytetin e Krujës. Monumenti është derdhur në Bronz në Budapest i asistuar nga vetë autori.

Monumenti i Skënderbeut në Krujë është i paarritshëm deri më sot. Konfiguracioni artistik i kapur në një moment të caktuar, duke shkaktuar efektin estetik më të thellë të një luftëtari. Dinamika e veprës e vendosur në konturet tredimensionale, me proporcione te estetikës klasike dhe kohë-ekzistenca e kësaj vepre madhështore, midis reales dhe joreales, figura trans-historike që i rezistoi kohës dhe civilizimeve. Mbijetesë e heshtur nën një vepër madhore.

Monumenti i Krujës, entuziazmoi të gjithë shqiptarët, por tronditi botën artistike, me sa duket takimi i dy legjendave kishin dhënë efektin e duhur. Noli do t’i shkruante nga Kisha Autoqefale e Bostonit, një letër falënderimi ku theksohej se:” Janaq Paço është një eminent e skulpturës. Monumenti i Skënderbeut ishte ai i përfytyrimit të të gjithë Shqiptarëve”. Në respekt të kësaj figure, në vitin 1960 ai përfundon dy buste të peshkopit tonë demokrat Fan Noli.

Vite më pas ai do të punonte si bashkautor me Odise Paskalin dhe Andrea Manon për realizimin e monumentit të Skënderbeut në qendër të Tiranës, i cili përfundoi në vitin 1968, megjithëse punuan tre mjeshtër të skulpturës për realizimin e tij, monumenti nuk pati jehonën e atij të Krujës. Sheshi i madh i kryeqytetit mban emrin e heroit dhe është një simbol kombëtar. Për ne shqiptarët figura e Skënderbeut duke qenë e bukur dhe e madhërishme është arketip. Është nënvetëdije kolektive, përjetësi, figurë që mbijeton kohën, figurë trans-historike.
 
MONUMENTI I SKËNDEBEUT NË PRISHTINË
 
Në vitin 2001,pas 500 vjetësh udhëtimi, Monumenti i Skënderbeut apo monumenti i Paços do të mbërrinte në Prishtinë……Ishte një entuziazëm i pazakontë, Skënderbeu hyri në Prishtinë ashtu mbi kalë i zbuluar, s`patën kohë për ritet e inaugurimit, populli po e priste kaherë. Porse Ibrahim Rugova, legjendari i paqes do të bënte ritin e lashtë shqiptar; për mbarësi, do të vendoste në bazamentin ku do ngrihej monumenti, një pllakë floriri nga miniera e Trepçes, mbështjellë me një cohë të kuqe si gjaku si flamuri. Bijtë e tij të mirë Dorina dhe Kliti, miqtë dhe familjarët e skulptorit të madh, u ndjenë tepër krenar, porse edhe shpirti i Janaq Paços ndihej i lehtësuar, pllakëza e floririt qe si një medaljon i artë për veprën e tij.

Në vitin 1960 hap ekspozitën e parë vetiake, ku spikasnin skulpturat për piktorin Vangjush Mio, shkrimtarin Sterio Spase, portreti i përsosur i një filozofi,ku artistikisht shprehet forca e mendimit filozofik, portrete të fëmijëve, portrete artistësh, ku shkëlqen skulptura e Aleksandër Moisiut, aktorit të madh  shqiptar me famë botërore, në interpretimin e monologut Hamletian. To be or not to be! Në vitin 2004,pas shumë vitesh,nga koha kur ishte punuar vepra për Moisiun e madh, busti, u vendos në qytetin e Kavajës, atëherë kur Janaq Paço nuk iu gëzua dot veprës së tij, punuar me shumë dashuri e mjeshtëri.

Kjo skulpturë tredimensionale, me proporcione të skulpturës klasike dhe me një plastikë impresioniste, do të mahniste pjesëmarrësit vendas dhe të huaj, ku së bashku me figurën perceptohet një lëvizje dinamike te rolit dhe të shpirtit aktorial, si dhe forca e mendimit filozofik. Lida Paço, ishte më tepër se kurrë e emocionuar, një nga amanetet e shokut të saj të jetës, kishte shkuar në vend.

VEPRAT NË RREZIK

Disa nga Veprat e Skulptorit ndodhen të vendosura në  parqe apo vende historike, por më së shumti veprat e tij janë të shpërndara, një pjesë janë në familjen e tij, tek miqtë, të afërmit, apo në ndonjë strehëz dashamirëse si kjo këtu, vetëm ato pak veprat që ndodhen në galerinë kombëtare janë të ekspozuara, apo të përkujdesura. “Vajza me ruaza” quhet ky portret, i cili në vitin 1989, nuk u pranua në konkursin e organizuar në me rastin e 45 vjetorit të çlirimit, ndërsa një vit më pas, fitoi çmimin e parë.

Kjo skulpture gjigande për nga përmasat artistike me një plastikë dhe formë të përsosur, ku krahas mjeshtërisë artistike më së shumti sheh lëvizjen shpirtërore, gjendet e strukur në një cep të ballkonit në shtëpinë e ngushtë të Paçove, prêt prej kohësh të vendoset në hollin e ndonjë materniteti apo diku tjetër.. Të mençurit e moçëm na mësojnë se: një popull humbet nëse zhduket dhe harrohet kultura e tij.

Përtej perdes së pluhurosur, krahas veprave të shumta, prej kohësh skulptori punoi me një përkushtim të madh për realizimin e Dy gladiatorëve” gjigandë. Me mendimin dhe dëshirën për t’u vendosur në hyrjen e Amfiteatrit të Durrësit. Për të treguar kështu qytetërimin e lashtë Ilir të vendit të tij, për kohën kur në botë vetëm në tre teatro Antike të saj bëheshin gara fituesish mes gladiatorësh, në amfiteatrin grek, Romak dhe në atë të Durrësit. Por edhe ata do të pësonin odisenë e gjatë pa mbërritur ende në Itakën e tyre.
 
BASHKËSHORTJA DHE TRASHËGIMIA
 
Lida,një vajzë e bukur e shkathët dhe energjike, rithte nga një familje artistësh, e cila në shkollen“ Nëna Mbretëreshë” do të shkëlqente mes shoqesh edhe si balerinë, ndaj më pas do të studionte në Santa Çiçilia të Italisë për balet dhe piano. Kur Ajo u kthye në atdhe, kish` nisur lufta. Më tej vetëm motra e saj, pianistja Lola Gjoka do të vazhdonte karrierën e saj artistike. Lida do të njihej me Janaqin, më pas do të martoheshin dhe e gjithë jeta e saj do t’i përkushtohej familjes dhe njeriut të saj të dashur. Lida jeton në apartamentin e saj të vogël, e rrethuar nga skulpturat, e vetmja pasuri që i la shoku i jetës.

Këto krijesa të vogla ai mundi t’i fshihte diku, prej shërbëtorëve të pallatit të ëndrrave. Madje ja u bëri dhurata bijve të tij të mirë, Dorinës dhe Klitit. Kjo është Amazona, skulptura që krijoi artisti ne ditët e fundit të jetës, kultura e tij e erudite, nuk e kishte lënë kujtesën të lëkundej. Amazona, gruaja luftëtare me një gji të prerë, aty ajo mbështeste shtizën dhe harkun ndërsa mbrohej apo gjuante kafshët e egra për mbijetesë. Ndërsa njëri gji i duhej për të ushqyer fëmijën, koka e të cilit plotësonte staturën e saj. Paço dhe amazona kishin të përbashkët, humbjen në emër të jetës.

Fan Noli, Janaq Paço 1960
(Në foto: Fan Noli, Janaq Paço 1960)

Aleksandër Moisiu në rolin e Hamletit, Janaq Paço
(Në foto: Aleksandër Moisiu në rolin e Hamletit, Janaq Paço)

Fotografi të skulpturave të Janaq Paços të cilat nuk janë më
(Në foto: Fotografi të skulpturave të Janaq Paços të cilat nuk janë më)

Nudo e ulur, Janaq Paço (foto nga Gjergj Frashëri)
(Në foto: Nudo e ulur, Janaq Paço (foto nga Gjergj Frashëri)

Portreti artistik i njërës prej skulpturave (foto nga gjergj frashëri)
(Në foto: Portreti artistik i njërës prej skulpturave (foto nga gjergj frashëri)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'