TIRANE- Qeveria është tërhequr nga kontrolli mbi lejet e ndërtimit për pallatet mbi 6 kate. Në rregulloren për zhvillimine  territorit ishte parashikuar që për të gjithë pallatet mbi 6 kate vendimi nuk do ta merrnin bashkitë, por Këshilli Kombëtar i Territorit.

Ndërkohë në vendimin e djeshëm, qeveria anullon këtë klauzolë, duke përcaktuar se për pallatet mbi gjashtë kate do të jepen nga bashkitë, ndërsa KKT-ja do të bëjë kontrollin. Kontrolli i lejes së ndërtimit për këto pallate do bëhet brenda 10 ditëve, ndërsa për rastet kur kalohet ky afat dhe nuk është bërë asnjë vërejtje, atëherë leja konsiderohet e ligjshme.

“Për objektet mbi 6 kate, leja e ndërtimit jepet nga autoriteti vendor përgjegjës pas kontrollit paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit, brenda 10 ditëve, lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare dhe vendore të planifikimit në proces. Me kalimin e afatit 10-ditor, pa vërejtje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, kontrolli i përputhshmërisë konsiderohet i përfunduar pozitivisht dhe kërkesa për leje shqyrtohet nga autoriteti vendor përgjegjës”, - thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.