Prokurimet
Vendimi i parë thekson se në dokumentat e tenderave të autoriteteve kontraktore për kontratat e punëve, mallrave dhe shërbimeve, duhet këtej e tutje të përfshihet si kriter edhe pagimi i detyrimeve të energjisë elektrike nga ana e operatorëve ekonomikë, ofertues në procedurat e prokurimit.
Në VKM përkatëse do të shtohej sa më poshtë: (Kërkohet) “Një dëshmi që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike të kontratave të energjisë që ka operatori ekonomik që është i regjistruar në Shqipëri.
Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike përbën shkak për skualifikimin e operatorit ekonomik, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që të lëshojë këtë dëshmi jo më vonë se pesë ditë nga depozitimi i kërkesës nga operatori ekonomik”.
Pra, operatorët ekonomikë janë të detyruar më parë të ekzekutojnë detyrimet e energjisë elektrike, për të marrë pjesë në procedurat prokuruese.
Lejet
VKM e dytë ka të bëjë me disa ndryshime në një Vendim të vitit 2010 “Për miratimin e procedurave dhe të dokumentacionit për marrjen e lejeve minerare në zonat e hapura”. Edhe në këtë rast, parashikohet detyrimi që në listën e dokumentacionit që subjektet paraqesin në Qendrën Kombëtare të Licensimit për aplikimin për marrjen e një zone të hapur minerare ndërmjet të tjerave të përfshijë edhe pagesën e plotë të energjisë elektrike.
VKM përfshin këtë kusht, në kategorinë e kushteve që duhet të plotësojë kërkuesi për leje minerare. Konkretisht, shtesa bëhet sa më poshtë:
“Në çdo rast, kërkuesi, është i detyruar që përveç një ose disa vërtetimeve që provojnë kapacitetin financiar, të paraqesë detyrimisht edhe një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të energjisë elektrike për kontratën/at e energjisë që ka kërkuesi, i regjistruar në Shqipëri.
Mosplotësimi i këtij kushti përbën shkak për refuzimin e aplikimit, përveç rasteve kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike, është i detyruar që të lëshojë këtë vërtetim jo më vonë se pesë ditë nga depozitimi i kërkesës nga operatori ekonomik”.
Sipas qeverisë, këto vendime synojnë disiplinimin e konsumatorëve për pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike dhe nuk cënojnë thelbin e të drejtave të njeriut dhe bëhen për të mbrojtur interesin publik dhe të drejtat e subjekteve të tjera, nga pasojat e mospagimit të detyrimeve që rrjedhin nga furnizimi me energji elektrike.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)