Partia Socialiste ka dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor padinë për lejimin e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim me 222 emra, nga 153 që duheshin sipas KQZ-së.

Përfaqësuesi i PS-se në KQZ, Eridian Salianji ka qenë ai që ka ankimuar këtë vendim të KAS në Kolegjin Zgjedhor duke thënë se nuk ishte i drejtë. Ky proces tashmë po mban peng edhe fletët e votimit, pasi duhet të pritet një vendim i Kolegjit Zgjedhor në mënyrë që të dalë fleta e votimit për zgjedhjet e25 prillit.

Në një intervistë për Report Tv, Dritan Caka, anëtar i Komisionit Rregullator në KQZ, tha se KQZ është në pritje të vendimit që Kolegji Zgjedhor do të marrë nëse do të lë në fuqi vendimin e KAS, që i lejoi PD-së një listë me 222 kandidatë për deputet nga 153 që duhet, apo do e hedhë poshtë.

Kujtojmë se pak ditë më parë Partia Demokratike fitoi betejën e parë ligjore dhe juridike në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo falë votës së ish-ministrit të tyre, Ilirjan Rusmajli, edhe pse demokratët i dogjën mundësinë për të marrë drejtimin e KQZ-së.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) rrëzoi vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi i cili i shkurtoi listën e kandidatëve për deputetë koalicionit PD-AN. KAS vendosi të pranojë listën me 222 kandidatë për deputetë të koalicionit PD-AN.