Leka për A1 Report: Shllaku nuk
pranoi të jepte të drejtën e autorit 

Leka për A1 Report: Shllaku nuk<br />pranoi të jepte të drejtën e autorit 
Drejtori i Komanduar i RTSH-së Martin Leka është prononcuar për "Shqiptarja.com" në lidhje me tërheqjen e kompozitorit të këngës fituese të RTSH-së, “Diell”, e kënduar nga Elhaida Dani. Gjatë intervistës Leka është shprehur se arsyeja sepse Shllaku është tërhequr nga pjesëmarrja në këtë kompeticionin pasi nuk pranonte çedimin e të drejtës së autorit të këngës, kushti i cili është i përcaktuar ligjërisht në çastin kur konkurrohet në këtë kompeticion.

“Kjo kontratë është firmosur nga Elhaida dhe nga tekstshkruesi Sokol Marsi por jo nga Aldo Shllaku, i cili vijonte të ngulte këmbë në të drejtën e autorit dhe në disa kushte të tjera banale,”-u shpreh Leka.  Ai vijoi duke theksuar se i gjithë qëllimi i tij është përfaqësimi sa më dinjitoz i vendit tonë në këtë kompeticion. “Ne e kishim shumë të thjeshtë që pas tërheqjes së Shllakut të mos merrnim pjesë në këtë edicion, madje kështu do të kursenim edhe koston e përgatitjes,e cila arrin deri në 80 mijë euro.

Në një nga nenet e kontratës thuhet se të gjitha të drejtat e këngës i kalojnë RTSH-së, të kompesimit, të orkestrimit etj. këtë e ka firmosur edhe Shllaku. Pas disa përpjekjeve nga  ana jonë për t’u lidhur, për të krijuar bashkëpunimin që ka qenë gjithmonë, ai kërkonte disa gjëra që kishin të bënin kryesisht për tërheqjen e këngës si dhe disa kërkesa banale, madje ai thotë se e ka firmosur kontratën në mirëbesim, kjo është absurde, sepse nuk ka sesi që të firmoset një kontratë në mirëbesim. Ne jemi një institucion dhe veprojmë mbi bazën e një rregulli strikt, ku jashtë tij nuk mund të dalim dot. 

Megjithatë unë dëshiroj që Shqipëria të përfaqësohet në këtë festival dhe në mënyrën më dinjitoze. Kishim mundësi të zgjidhnim midis disa variantesh, të tërhiqeshim, të dërgonim këngën e vendit të dytë apo të ruanim komponentët e mbetur të këngës së parë si këngëtarja dhe tekstshkruasi duke realizuar një produksion të ri muzikor. Në konsultë me Europian Broadcasting Union vendosëm për variantin e fundit, gjithashtu duke theksuar edhe talentin dhe famën e Elhaidës.

Tërheqja e Shllakut ne nuk na kushton ligjërisht, sepse ai ka firmosur një kontratë edhe ne mundet që ta dërgojmë atë këngë, por problemi është sepse moralisht ne humbasim shumë pikë, duke shkuar me një këngë, që kompozitori është tërhequr. Edhe arsyeja numër një është se në këtë institucion nuk mendohet thjesht për RTSH-në, pasi RTSH-ja humbje ka, në kuptimin financiar, por ne jemi kaq të përgjegjëshëm saqë marrim një barrë që është përtej nesh, përtej Radio Televizionit Publik Shqiptar, përtej qeverisë, përtej parlamenit nga varemi, edhe përtej gazetave e mediave, është përfaqësimi sa më dinjitoz i Shqipërisë."

I pyetur sesi do të pritet kënga pasi publiku është i njohur më një këngë fituese, e cila është “Diell” Leka është shprehur: “Brenda subjektivitetit gjithçka ndodh. Ndodh që dikujt nuk i pëlqen e para, dikujt e dyta, apo dikujt e shtata. Kjo është subjektive, sepse edhe nëse pyet të gjithë kompozitiorët që kanë marrë pjesë në festival, të gjithë thonë se kënga e tyre është më e mira. Problemi është se ne tashmë gjendemi në këtë situatë, edhe unë nuk mendoj më se çfarë ka ndohur, por problemi është që të përfaqësohet Shqipëria në mënyrë sa më dinjitoze. 

"Të gjithë janë të ndërgjegjëshëm se Elhaida Dani, duke patur si pjesë të Eurosongut ka shumë shanse që të përfaqësohet denjësisht për një arsye të thjeshtë, sepse kemi Italinë ku ajo ka fituar edhe është në majën e karrierës, kemi këngëtarët edhe studiot me të cilët punon, sigurisht që të gjitha këto janë influente për atje ku shkon, është në kulmin e karrierës, edhe të zërit, edhe këtë nuk e konteston asnjë si këngatare. Kjo është arsyeja sepse ne gjetëm këtë mënyrë. Gjithçka është bërë në funksion të kësaj."

Sa i përket këngës së re ai u shpreh se deri në datën 14 ajo duhet të jetë gati e masterizuar dhe klipi i përfunduar për tu dërguar në Vienë.  Ndërkohë edhe publiku shqiptar do të ketë mundësi të njihet me këngën në këtë datë.

martin leka
 
Për “Shqiptarja.com” është prononcuar edhe kryetari i delegacionit për në Eurovizion, Kleart Duraj. Sipas tij ligjërisht RTSH gëzonte të drejtën për t’u paraqitur edhe pa kompozitorin në Eurovizion, pasi ishte e drejta e tyre dhe Shllaku, nuk e zotëron këtë drejtë ligjore, por më pas e gjitha u kthye në një çështje morale.

I pyetur se përse nuk vendosën të dërgonin vendin e dytë në RTSH, por insistuan tek Elhaida, duke kujtuar edhe spekullimet pas fitores së saj Duraj tha: “Sipas konsulencës me EBU-në kur zotëron 2/3 e komponentëve nuk ke përse i sakrifikon për 1/3 që nuk është.”-vijoi Duraj.

kleart duraj



Aldo Shllaku: RTSH ka shkelur çdo të drejtë autori, nuk marr përgjegjësi profesionale për diçka ku nuk jam i angazhuar profesionalisht


Më herët kompozitori Aldo Shllaku është shprehur në media se një rast i tillë është i paprecedentë, pasi autorëve jo vetëm që nuk i është dhënë e drejta elementare që të realizojnë këngën e tyre por ai shkon më tej kur thotë se kjo këngë thjesht është marrë, duke përjashtuar autorët nga çdo proces i mëtejshëm që nga 28 Dhjetori, kur kënga "Diell" u shpall fituese e festivalit.

Kompozitori sqaron se pavarësisht insistimit, ai nuk është ende në dijeni se kujt i janë dhënë të drejtat e kompozimit, poetit, orkestruesit për ndryshimet që kënga duhet të pësojë si pjesë e kushteve të Eurosong-ut. "Kjo është një shkelje flagrante e çdo të drejte të autorit, etikës profesionale dhe një vendim i bazuar në absurditet"- thotë Shllaku.

Ai e mbyll komunikimin e tij duke shtuar se i gjendur në një situatë të tillë dhe përtej çdo limiti kohor e ka pasur të pamundur të realizojë këngën duke u detyruar të tërhiqet sepse "nuk mund të marr përsipër përgjegjësi profesionale kur nuk jam vetë i angazhuar profesionalisht".


aldo shllaku



Elhaida për A1 Report: Do lija Eurovizon, por më pëlqeu kënga e re

Ka qenë vetë këngëtarja Elhaida Dani që nëpërmjet një statusi ka lajmëruar se nuk do të konkurrojë në Eurovizion me këngën “Diell” pas tërheqjes së autorit Aldo Shllaku. E kontaktuar nga “Shqiptarja.com” Dani u shpreh se me të mësuar rreth këtij lajmi ishte gati të hiqte dorë nga pjesëmarrja e saj në këtë kompeticion.

“Situata është mjaft  stresuese. Isha gati të hiqja dorë nga konkurrimi, por producentët e RTSH-së më ofruan një zgjidhje nëpërmjet një kënge tjetër”. Sipas Danit janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë në bazë të rregullave pasi sytë e të gjithëve janë të drejtuar tek ata në këtë moment.

“Janë marrë të gjitha informacionet e nevojshme rreth kësaj situate pasi është e pazakontë dhe sytë e të gjithë botës janë të drejtuar tek ne. Kemi shumë shumë punë përpara.” E pyetur rreth këngës së re përfaqësuese në Eurovizion Dani theksoi se do të jetë diçka komplet ndryshe nga “Diell”.

Këtë herë do të vij me një pop/balad të realizuar nga producentët e njohur Zzap & Chriss. “Kënga më pëlqeu shumë, por kemi pak kohë dhe shumë punë për të bërë, brenda dy javëve duket të ketë përfunduar kënga dhe klipi I saj, kështu që edhe publiku shqiptar do të ketë mundësi ta dëgjojë.”-ka vijuar Dani për Shqiptarja.com. Këngëtarja shkodrane pritet të përfaqësojë vendin tonë në edicionin e radhës të Eurovizion, i cili do të zhvillohet në Vienë.


dani



(Elhaida Dani poston foto në Instagram me Zzap & Chris producentë, e këngës së saj të re konkurruese në Eurovizion)


Elhaida Dani me këngë të re në Eurovizion, tërhiqet autori i "Diell"

Këngëtarja shkodrane Elhaida Dani do të përfaqësoj vendin tonë në Eurovizion me një këngë tjetër dhe jo me këngën “Diell” me të cilën u shpall dhe fituese. Këtë lajm e ka konfimuar vetë Dani nëpërmjet një statusi në profilin e saj në Facebook, duke shpejguar se autori i këngës Aldo Shllaku ka tërhequr këngën për arsye personale.
 
“Mendoj se është e drejtë t'ju komunikoj personalisht vendimin e marrë dhe më është komunikuar së fundmi.  Këtë vit do të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision me një këngë tjetër nga ajo me të cilën u shpalla fituese e FiK,,, në dhjetor të vitit të kaluar.  Ky lajm do bëhet publik dhe zyrtar së shpejti, por dëshiroja që të isha unë ajo që jua komunikoj për herë të parë.  Autori i këngës “Diell”, për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka vendosur të tërheqë këngën nga ai e kompozuar dhe do jetë për fat të keq e pamundur të këndohet nga unë në “Eurovision Song Contest 2015”.
 
  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf