Leon Rey, misioni i panjohur
politik në Shqipëri

Leon Rey, misioni i panjohur<br />politik në Shqipëri
Mund ta quajmë një mision politik.

Në vitin 1924, Leon Rey informonte shtetin francez për gjendjen e Shqipërisë së viteve ’20-të.

Përveç misionit të tij si arkeolog, duket se francezi i përkushtuar pas gërmimeve, kishte dhe këtë angazhim të dytë.

Mbase krejt vullnetarisht ai mblidhte të dhëna të sakta dhe të detajuara për nivelin e shkollimit dhe kulturës në Shqipëri dhe hetimin e rrugëve sa më frytdhënëse për përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Shqipërinë e asaj kohe.

“Note sur l’Albani”, një shkresë trefaqëshe e nënshkruar prej tij, paraqet një tablo me të dhëna të habitshme, për shkollat, bibliotekat, gjendjen politike në Shqipëri, synimet rajonale ndaj saj, personazhet frankofone në këtë vend dhe hetimi i një situate mjaft të favorshme për të siguruar një terren të kënaqshëm për gjuhën dhe kulturën franceze.

Këtë shkresë, në formë shënimesh të ndara në rubrika të detajuara, Leon Rey ia dërgon këshillit të Aleancës Franceze, me qendër në Paris në shëtitoren 13 Bosquet, si dhe një ministri që ka të ngjarë të jetë ministri i Jashtëm francez i asaj kohe.

Me shkrimin e tij, Leon Rey nënshkruan një shënim të shkurtër më 3 janar 1924, ku e njofton ministrin se një kopje të “Note sur l’Albanie” ia kishte dërguar edhe këshillit të Aleancës Franceze.

Por çfarë përmbledhin këto shënime të arkeologut francez, i cili sapo kishte nisur kërkimet e tij shkencore në nëntokën shqiptare?

Përveçse një pike, ku përmendet misioni i tij arkeologjik, asgjë tjetër në këto shënime nuk ka lidhje me qëllimin për të cilin ai kishte ardhur në Shqipëri, pra me gërmimet arkeologjike.
Një vend të rëndësishëm zënë vëzhgimet për gjendjen e shkollave në vend dhe për hapësirat ku mund të mësohet gjuha frënge.

Po ashtu, Rey thekson edhe pozicionin e Shqipërisë në rajon. Pas aleancave me Jugosllavinë dhe Greqinë, një afrimitet me Shqipërinë do ta rriste supermacinë e Francës në Ballkan. “Kjo është një situatë me avantazhe që politika jonë e jashtme nuk duhet ta neglizhojë”,- shënon Leon Rey.

Por përtej këtij roli ngacmues ku na shfaqet arkeologu i njohur, kjo dëshmi që ruhet në “Arkivin e Shtetit”, na sjell dhe atmosferën e Shqipërisë në vitet ‘23-’24 dhe të dhëna të hollësishme mbi arsimin publik shqiptar në atë kohë, detaje që pas kaq vitesh, veç të tjerash mbeten dëshmi historike.
 
Paris 3 janar 1924
Zoti ministër
Kam nderin t’ju përcjell të njëjtën kopje të shënimeve që ia kam përcjellë sot edhe zotit Vincent de Guichet (13 avenue Bosquet), me qëllim që të bie në kontakt me Këshillin e Aleancës Franceze.
Ju lutem zoti ministër, pranoni shprehjen e respektit dhe të ndjenjave të mia më të devotshme ndaj jush.
Leon Rey
 
Shënime mbi Shqipërinë 
(Kopje)
Për Aleancën Franceze
 
Shqipëria, pavarësia politike e së cilës u njoh më 1913 nga Konferenca e Londrës, bën pjesë në organizatën e Kombeve që nga 17 dhjetori 1920.

Qeveria deri në vendimin e ardhshëm të Asamblesë Kushtetuese, është qeveri republikane. Pushteti legjislativ i përket Parlamentit, i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa pushteti ekzekutiv, ministrave dhe një këshilli të regjencës.
Kryeministri aktual Ahmet bej Zogu, një njeri energjik dhe patriot, synon që t’i japë vendit të tij pozicionin e merituar mes shteteve ballkanike.

Por i vetëm dhe me forcat e Shqipërisë, nuk mund të realizojë këtë program të gjerë që do ta lejonte atë të radhitej në nivelin e vendeve fqinje.

Në Greqi, Jugosllavi dhe Itali nuk mund të gjejë një mbështetje të brendshme për shkak të ambicieve territoriale, ndërsa e kërkon këtë mbështetje drejt fuqive të mëdha perëndimore dhe veçanërisht drejt Francës.

Politika jonë e Jashtme nuk duhet të neglizhojë avantazhet e një situate të tillë. Tashmë aleat me Jugosllavinë dhe Greqinë, Franca duke u afruar me Shqipërinë do të afirmojë supermacinë e saj në Ballkan.

Sipas fjalëve të zotit Justin Godart, influenca franceze tashmë po rritet në Shqipëri dhe do të triumfojë përfundimisht edhe në sajë të mbështetjes austro-gjermane, e cila do të thellohet nëpërmjet një propagande të shpejtë përmes Aleancës Franceze. Kjo mbështetje është e domosdoshme:

1 - për të mbështetur aktivitetet propagandistike që janë në Shqipëri.

2 - për të krijuar në Tiranë një komitet të Aleancës
 
Aktivitetet me propagandë franceze që ekzistojnë në ShqipëriJa disa nga aktivitetet me propagandë franceze që ekzistojnë në Shqipëri:
1 - një lice francez në Korçë (250 nxënës)

2 - një lice francez në Gjirokastër (themeluar që prej një muaji në drejtimin e zotit Coutant).

3 - një mision arkeologjik nën drejtimin e zotit Leon Rey (sipas marrëveshjes Francë-Shqipëri të 9 tetorit 1923). Punët e para të misionit kanë nisur në vjeshtën e kaluar. Do të rinisin në majin e ardhshëm.

4 - Një revistë vjetore e titulluar “Albania”( një revistë vjetore e arkeologjisë, artit, historisë dhe shkencave të aplikuara në Shqipëri) Artikuj mbi gjuhën franceze së bashku me një përmbledhje në shqip. Ky organ është i vetmi publikim shkencor që ekziston në Shqipëri.
 
Krijimi i një Komiteti të Aleancës Franceze
Krijimi i një Komiteti të Aleancës Franceze është mëse i domosdoshëm për grupimin e elementëve frankofonë dhe intelektualë nga ky vend. Tirana, kryeqyteti i ri i Shqipërisë, është e vetmja ku ky komitet mund të formohet dhe të veprojë me lehtësi. Në Tiranë mbështetja franceze është më e madhe se në çdo vend tjetër.

Në Tiranë tashmë ekziston një bibliotekë kombëtare e administruar nga zoti Babatasi. Kjo bibliotekë është shumë e frekuentuar dhe ka një fond të madh librash në gjuhën frënge.

Zoti Babatasi që është martuar me një franceze, zonjën Lazare Cetta, të diplomuar në Aleancën Franceze, është i gatshëm për të formuar një Komitet të kësaj Aleance. Mbetet vetëm që t’i bëhet një thirrje zotit Jean Beguin Billecement, i ngarkuari me punë i Francës pranë Qeverisë Shqiptare, që tashmë është i vendosur në Shkodër. Agjenti ynë këshillues në Durrës është zoti Jean Spendjepoulo, një njeri shumë aktiv dhe i admirueshëm në Shqipëri.
 
Disa të dhëna të përgjithshme mbi Shqipërinë. Gjendja e arsimit publik në Shqipëri.
 Territori i Shqipërisë me një sipërfaqe prej 40.000 kilometra katrorë, ka një popullsi prej 900 mijë deri në 1 milion banorë të ndarë në: myslimanë (71%), ortodoksë (19%), dhe katolikë (10%).
Kryeqyteti është Tirana, aty ku ka selinë edhe Qeveria. Shkodra është qyteti më i madh në veri të vendit.  Qytetet e tjera të mëdha të Shqipërisë janë: Durrësi, Vlora, Berati, Elbasani, Korça, Gjirokastra. Një muze po ndërtohet në Tiranë. Ka edhe biblioteka në qytetet kryesore të vendit.
 
Sipas një statistike të fundit, arsimi publik përmbledh
 a) Arsimi i lartë

1) Një shkollë Normale për mësues, e ngritur në Elbasan, por që duhet të transferohet në Tiranë.  

2) Një shkollë Normale për mësues në Tiranë (në projekt, Qeveria Shqiptare pranon vullnetarë të cilët do t’i japin një drejtim francez. Vendi është akoma bosh)
 
b) Arsimi i mesëm

1)  Një lice francez në Korçë

2)  Një lice francez në Gjirokastër

3)  Një gjimnaz në Shkodër

4)  Një shkollë për vajza në Korçë

5)  Një shkollë për vajza në Shkodër
 
c) Arsimi fillor
31 shkolla me nga 5 klasa

15 shkolla me nga 4 klasa

23 shkolla me 3 klasa              

75 shkolla me 2 klasa

299 shkolla me 1 klasë
Frëngjishtja mësohet në më shumë se 3 klasa të këtyre shkollave
 
Shkollat e minoriteti grek në jug të Shqipërisë1 shkollë me 5 klasa
26 shkolla me 1 klasë  
     
dosier dokument 2
Leon Rey gjatë gërmimeve arkeologjike në Apolloni

dosier dokument 1
Fletorja e shenimeve te leon Rey-t, gjatë punës në Apolloni

dosier dokument 2
Faksimile e një prej faqeve me shenimet e leon Rey0t gjate germimeve në Apolloni
 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet për kryetar Bashkie në Himarë në 4 gusht, regjistrohen 11 parti pjesëmarrëse!

Zgjedhjet për kryetar Bashkie në Himarë në 4 gusht, regjistrohen 11 parti pjesëmarrëse!