Letërsia shqipe për fëmijë në zgrip

Letërsia për fëmijë gjurmohet në histori edhe këngë, në gojëdhëna që të rriturit kanë ndarë me fëmijët përpara se të ekzistonin botimet. Prandaj, edhe zhvillimi i letërsisë për fëmijë është i hershëm, para shtypjes. E kështu letërsia për fëmijë ka qenë prezentë që prej shekullit të XV, shpesh me një mesazh moral apo religjioz. Ndërsa, epoka e artë e letërsisë për fëmijë është fundi i shekullit XIX-të dhe fillimi i shekullit XX-të, ku edhe u botuan shumë libra për fëmijë. Por, çfarë zhvillimi ka pasur letërsia për fëmijë në vendin tonë? Çfarë po ndodh me të sot? Shkrimtarë, ilustratorë edhe botues shpjegojnë situatën reale të letërsisë artistike për fëmijë “ReportTV”.

 “Letërsia shqipe edhe letërsia për fëmijë në mënyrë të veçantë kanë një traditë tek ne. Në fondin e artë të shkrimtarëve për fëmijë kemi shkrimtar, si Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, edhe të tjerë, duke ardhur e XX-të, si Spiro Çomora, Bedri Dedja, Odhise Gridho, Adelina Mamaqi, Xhevat Beqaraj, që nuk mund që t’i lë pa përmendur. Këta shkrimtarë edhe poet krijimtarinë e tyre e kanë të gjallë, duke bërë natyrisht seleksionimet e duhura. Çdo pesë vjet vijnë brezat e rinj, që duhen që këto të botohen edhe të ribotohen përveçse teksteve shkollore”, shprehet shkrimtari Pandeli Koçi.

Ilustratori Ilir Zaloshnja mendon se të gjithë shqiptarët duhet që të angazhohen për këtë problem që lidhet për letërsinë për fëmijë edhe për të rinj.
“Gjatë vitit të shkuar u bë një ekspozitë me të gjithë ilustratorët shqiptarë, që janë pionierët edhe themeluesit e letërsisë për fëmijë. Vitet fill pas Luftës së Dytë Botërore vendi ynë ishte një vend i shkatërruar edhe shumë i afërt, që mungonin piktorët, por edhe botuesit e letërsisë për fëmijë. Kështu që asokohe hynin edhe shumë revista nga letërsia për fëmijë nga kampi, Bashkimi Sovjetik fillimisht e më pas nga Kina. Si ato nga Kampi, edhe ato kineze ishin të vlefshme. Ndërkaq, paralelisht me to nisi që të zhvillohet edhe një letërsi për fëmijë, që u ilustrua nga piktorë me emër. Kjo letërsi që nisi me revistën “Fatosi”, “Pioneri”, “Shkenca edhe jeta”, “Horizonti” etj., ishin revista si një portë nga hynin të gjithë këta piktorë, që më vonë do të bënin emër. Kontributi, edukimi që bën, jo vetëm fjala e ilustruar shumë bukur në atë kohë, e cila duke e lexuar edhe duke parë edhe ilustrimin edukonte fëmijët edhe pionierët e rinj, që përpiqeshin të thurnin vjersha si ato që lexonin në këto revista. Ilustrimi duhet që të shpreh botën psikologjike për fëmijë. Në botë ka psikologë që merren posaçërisht me psikologjinë e fëmijës. Tek ne mungojnë, prandaj duhet të trajtohet, sepse ilustrimi për fëmijë mbështetet mbi psikologjinë e fëmijës, që ai ta perceptojë brenda botës së tij. Krahas letërsisë për fëmijë në ato vite pranë ish- Kinostudios “Shqipëria e re” u hap edhe departament i filmit vizatimor edhe multiplikativ”, thotë Zaloshnja. 

Por botuesit çfarë mendojnë, përse shpeshherë ata zgjedhin që të përkthejnë libra për fëmijë nga gjuhët e huaja, edhe jo të botojnë autorë shqiptarë?

“Libra të huaj për fëmijë që janë botuar në shqip në fakt ka shumë. Problemi është si janë botuar, cila është cilësia e përkthimeve? Ka shumë prindër që ankohen për këtë. Ne si shtëpi botuese kemi shumë libra me autorë të huaj përgjithësisht. Ndërsa, në shqip kemi një libër të Gaqo Bushakës, “Maçoku i tetos””, sepse autorët shqiptarë po shkruajnë gjithnjë edhe më pak, dikur kemi pasur më shumë shkrimtarë. Por kam përshtypjen se kemi mbetur pas. Ka disa autorë të rinj që përpiqen të bëjnë përralla, por janë shumë pak. Mbase mund të jetë fakti që shkruhet pak, ose se nuk ka një bashkërendim midis ilustratorit edhe shkrimtarit. Ilustratori ka gjysmën e peshës në librat për fëmijë. Por shkruhet shumë pak libra për fëmijë edhe kjo është shumë e vërtetë”, shprehet botuesja Arlinda Dudaj.

Sipas botueses Irena Toçi duhet kuptuar diçka; tjetër gjë janë politikat e librit ato të nxitjes së fëmijëve apo rinisë, mbështetja që mund t’i jap vet shteti shqiptar nëpërmjet librit edhe tjetër gjë është ajo që bëjnë botuesit.

“Pavarësisht qëllimeve të mira apo pasionit tonë, ne jemi edhe biznesmenë, që japim kontributin në këtë fushë, por edhe për të marrë falë kontributit që japim feedback-un e duhur. Libri për fëmijë në Shqipëri gjatë viteve të fundit nuk ka lulëzuar në kuptimin e autorëve shqiptarë. Interesi i tyre, i vet shkrimtarëve është më i vogël për të shkruar për këtë moshë. Është faji ynë apo është faji i tyre, ndoshta nuk është faji i askujt, por i një tregu të vogël, që nuk nxjerrë gjithmonë shkrimtarë për fëmijë. Kemi pasur ndërkohë shkrimtarë të mëdhenj për fëmijë, që ne vazhdojmë që t’i botojmë, ku do të përmendja me shumë kënaqësi edhe krenari, si Tasim Gjokutajn, Bardhyl Xhamën, Odhise Gridhon, Skënder Haskon etj., që ne mundohemi t’i sjellim çdo vit. Ka edhe autorë të rinj, të cilët përpiqen të shkruajnë për fëmijë. Për shembull, Anila Kruti,  Viktor Cenosinaj po ashtu ka qenë shumë i ndjekur për fëmijët. Për arsye se botimet që vijnë nga gjuha e huaj janë në përgjithësi botime enciklopedike, didaktike edhe në grup, nga ku janë edhe më të sofistikuara edhe të studiuara për psikologjinë e fëmijëve mendoj se nuk ka asgjë të keqe që ne të përkthejmë nga një gjuhë e huaj. Edhe libra të tillë ka shumë në tregun tonë, falë punës vetëmohuese të botuesve, që arrijnë që të kombinojnë interesat e punës së tyre me ato të zhvillimit kulturor edhe qytetar ”, shton botuesja Toçi.

Por a mendojnë kështu edhe shkrimtarët?  A kemi ne letërsi shqipe për fëmijë? Çfarë po ndodh në këtë drejtim?

“Në ditët e sotme është ngritur artificialisht një problem, sikur ne nuk kemi letërsi për fëmijë, nuk e kemi në atë nivel që duhet, prandaj nuk i japim as çmime për të edhe nuk botohet. Kjo për mua nuk është e vërtetë, sepse letërsia shqipe ekziston, edhe më e mira është në nivelet europiane. Unë përjashtoj këtu pjesën teknike, ilustrimet që janë të domosdoshme për fëmijë, por ne kemi këtu shkrimtarë,  si Xhavit Bushati,  Viktor Cenosinaj apo Bardhyl Xhama e të tjerë, që janë të gjallë edhe që botojnë edhe shkruajnë. Unë do të thoja që ka edhe shkrimtarë të njohur, emra të njohur letërsinë shqipe, si Ismail Kadare, Xhevair Spahiu, Moikom Zeqo etj., kanë arritje të shkëlqyera edhe në letërsinë për fëmijë edhe veprat e tyre botohen herë pas here. Autorë të rinj ka. Do të ishte një absurde, që të thoje se letërsia shqipe ka vakum në këtë apo këtë degë të letërsisë shqipe. Edhe në kushte të vështira letërsia për fëmijë është shkruar, se është parë si një mjet edukimi estetik, atdhetar edhe qytetar për brezat”, shotë më tej, shkrimtari Pandeli Koçi.

Mbështetja institucionale e Ministrisë së Arsimit apo edhe e Ministrisë së Kulturës, si ka qenë?

“Herë ka qenë e pranishme, herë nuk ka qenë. Nuk kemi ditur ne që të bëjmë më shumë. Në pamundësi për t’u bërë më shumë. Një kërkesë modeste, që ne duhet që të na bashkonte në këtë periudhë do të ishte rishikimi i vendosjes së TVSH-së (6 për qind) në shitjen e librit. Është një problematik, që nisi në fillim të këtij viti. Mendoj se është një masë e nxituar, që në buxhetin e shtetit do të sjellë shumë pak të ardhura. Në mos buxheti e ka ndierë që tani me libraritë e mëdha serioze në vend, për arsyen e thjeshtë se stoqet tona dhe të librarive janë të mëdha, dëmi financiar që u bëhet botuesve edhe librarëve me këto stoqe është i madh. Nëse për shtetin ky 6 përqindësh është pak, për ne është shumë. Besoj se ky 6 përqindësh ka ndikuar direkt në lëvizjen e librave nëpër librari, në uljen e shitjeve edhe në këtë rast në uljen e numrit të lexuesve. Duhet bërë akoma më shumë në nxitjen e lexuesve edhe për të shitur. Kjo duhet bërë të bashkuar në rajon. Atje ku mund të ulim taksat t’i ulim dhe jo për të kënaqur interesat e disa qindra botuesve që operojnë në rajon, por për të nxitur leximin. Fëmijët edhe të rinjtë po i largohen gjithnjë edhe më shumë librit në format letre. Nuk mund që të them se ata lexojnë online, në kompjuter. Mendoj se harxhojnë kohë duke lexuar para kompjuterit, por jo për të lexuar, por për të luajtur edhe për të lexuar kuriozitete, por nuk lexojnë. Kjo do të thotë se kemi më pak qytetarë çdo ditë, kemi më pak njerëz që do të kishin një ndjeshmëri tjetër nëse do të lexonin. Mendoj se kjo duhet projektuar, duhet diskutuar edhe njëherë për mënyrën se si duhet formalizuar tregu i librit, duke mos i vënë taksa të larta, sikundër 6 përqindëshi që iu vu në fillim të këtij viti”. 

Leximet publike sa ndikojnë tek fëmijët, a mjafton që lexuesit e së ardhmes të formohen në këtë mënyrë, apo shteti duhet që të të zbatojë politika më afatgjata edhe konkrete, ku në qendër të këtyre leximeve nuk janë vetëm personazhet publike, por mësuesi edhe prindi?

“Kjo është një gjë shumë pozitive. Por unë do të thosha se kjo duhet të marrë një përmasë tek të gjithë rinjtë shqiptarë, nga qyteti në fshat. Është gjë e bukur që shteti po interesohet, por nuk janë të mjaftueshme. Nisma është pozitive, por frytshmëria e saj duhet të jetë me afat sa më të vazhdueshëm. Nëse e bëjmë këtë vërtet që mund të themi se është një nisëm e bukur edhe vlefshme”, thotë studiuesi Koçi.

Edhe botuesja Irena Toçi e cilëson, si një nisëm pozitive, që duhet të zhvillohet ehde më shumë këtë iniciativë, që MK ka ndërmarrë.

“Një iniciativë shumë e mirë ka qenë ajo e leximit, duke nisur nga shkollat, kopshtet edhe duke gjetur çelësin. Çelësi është që të nxisim fëmijët që ata në të ardhmen të bëhen lexues të së ardhmes. Ka pasur edhe iniciativa private të botuesve në lidhje me këtë, edhe kemi parë që e duan shumë letërsinë”, thotë Toçi.

Dudaj thotë se dyert e shtëpisë së saj botuese janë të hapura, pasi edhe kërkesat që i shkojnë për botim janë të shumta, por shumë nga librat artistikë për fëmijë në shqip nuk e kalojnë masën e sitës.

“Jam pesëfish më e kujdesshme kur bëhet fjalë për letërsinë për fëmijë. Këtu ka disa probleme, që janë shumë të mëdha. Një prej tyre janë bibliotekat e shkollës, çfarë presim ne që fëmijët që nuk lexojnë që në fillim, të lexojnë në një moshë më të madhe. Bëhen pasdite promovuese, por edhe në shkollë duhet që të vendoset ora letrare (mbase me një emër tjetër më bashkëkohor), sepse është shumë një domosdoshmëri shumë e madhe. Nuk po them që të marrësh praktikat e shkollës gjermane, ku fëmijët çdo ditë i lexojnë njëri-tjetrit letërsi jashtëshkollore, jo atë që kanë në kurrikula. Këtu më rezulton që nuk po ndodh ndonjë gjë. Duhet një kujdes shumë i veçantë. Për momentin gjërat kanë mbetur pezull, sepse duhet një vullnet shumë i fortë, duhet ndërmarrë ndonjë masë. Uroj që të merret, se jemi përpara një emergjence kombëtare”, vijon Dudaj.

Ilustratori Ilir Zaloshnja teksa rrëfen se ku është sot situata konkrete e librave për fëmijë, ndër të tjera bën apel që do të ishte një zgjedhje me vend nëse do të riktheheshin revistat periodike, duke u botuar çdo dy javë, me rubrika të ndryshme, edukuese, argëtuese, me përralla edhe me lojëra zbavitëse. Vetëm kështu lexuesit e vegjël do të dashuroheshin me librin.

“Sot ku jemi? Sot me hapjen e Shqipërisë ka një vështrim të madh librash për fëmijë, edhe përkthyesit e kanë më të thjeshtë që të përkthejnë edhe t’i marrin të gatshme vizatimet. Por janë kompjuterike, ndërsa vizatimi me dorë është më afër botës së fëmijës. Një nga pikat më të rëndësishme është zhvillimi ekonomik. Çdo punë sot kërkohet që të shpërblehet, sepse një ilustrim është një punë e mundimshme. Ai që e realizon atë nuk e bën aq lehtë, sepse kërkon kapacitet intelektual. Nuk shpërblehet aq sa duhet se kjo është e lidhur me nivelin tonë ekonomik. Edhe vet piktorët kërkojnë që të bëjnë atë që i përfaqëson më mirë ata, edhe që është më e drejtpërdrejtë me publikun. Libri ka një lloj rënie jo për prodhuesit, por për përdoruesit e tyre. Duhet punuar shumë nga të gjithë, edhe nga ju mediet, që jeni më të prekshme të punoni që njerëzit t’i rikthehen librit. Duhet të përfshihen të gjithë shqiptarët në leximin e librave”, thotë Zaloshnja.

Ndërsa, shkrimtari Pandeli Koçi bën apel që të angazhohen më shumë institucionet përkatëse në këtë drejtim, para se të jetë vonë. Për të një shkrimtar i ri pa mundësi ekonomike, por edhe pa asnjë mbështetje tjetër, kurrsesi nuk ka sesi që të evidentohet.

“Këtu duhet të angazhohen institucionet përkatëse, siç është Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës. Kjo do të jetë shumë e domosdoshme, sepse nëse ata e shikojnë me këtë sy, që letërsia eksiton, por është e dobët edhe nuk japin kontributin e tyre, kur gjithmonë ka të rinj që punojnë. Mendoj se një i ri nuk mund t’i njihen vlerat ka, nëse nuk mund të botojë librat e tij. Në këto kushte si do të dalin në dritë vlerat e këtyre autorëve të rinj? Ministria e Kulturës mund të thërrasë Shoqatën e Shkrimtarëve për Fëmijë, duke pyetur se çfarë idesh ka? Ne i kemi bërë gjithmonë kërkesa, por na kanë ndihmuar vetëm për botimin e një antologjie “Lule për lulet”. Edhe nuk u thirrëm më. Kjo shoqatë e keqe, e mirë, siç është duhet të thërritet. Aq më pak për të rinjtë që nuk kanë asnjë mundësi,as monetare edhe as mundësi të tjera, që të bëjnë emrin e tyre”, përfundon shkrimtari Pandeli Koçi.

E përpos kërkesës për mbështetjen e letërsisë për fëmijë, botuesit u bëjnë thirrje edhe institucioneve përkatëse, që të mos e rëndojnë librin edhe më shumë me taksa të larta, sikundër bënë në janar të vitit 2019, duke e shtuar me 6 për qind.  

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje