Letra e LSI drejtuar trojkës së ambasadorëve

Të nderuar Ambasadorë,

Sot, Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë,ka nisur një proçes për të zëvendësuar Anëtarin e propozuar nga LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Muho, i cili është zgjedhur në këtë detyrë në përputhje me Nenin 14 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për një mandat 6 vjeçar që prej zgjedhjes së tij.
LSI konsideron se kjo është një proçedurë e jashtëligjshme dhe në thyerje flagrante të Kodit Zgjedhor.

Ndërprerja para kohe e mandatit të Anëtarit të KQZ, iniciohet vetëm nga KQZ për arsye të parashikuara nga Neni 18 i Kodit Zgjedhor (bashkëngjitur) dhe jo nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rastin konkret procedura e nisur është e jashtëligjshme sepse nuk plotëson asnjë nga kriteret e Nenit 18 dhe është nisur në nivelin e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë.

LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese e cila politizon hapur KQZ dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Kjo frymë pritet të shpërndahet edhe në Komisione të niveleve të tjera.

LSI do të reagojë politikisht dhe në mënyrë proporcionale dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për bllokimin e këtij akti të dhunshëm dhe shqetësues politik. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që politika të ndërhyjë në çështjet e brendshme të KQZ dhe nuk do të tolerojmë asnjë tentativë për kompromentimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor.
Situata është jashtëzakonisht kritike dhe mund të minojë legjitimitetin dhe integritetin e të tërë procesit.

LSI shpreson në mirëkuptimin tuaj dhe në angazhimin e menjëhershëm aktiv në funksion të parandalimit të përshkallëzimit të situatës dhe në interes të ruajtjes së standardeve të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit.


NENI 18
KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të KQZ-së


1. Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të KQZ-së përfundon përpara afatit kur:
a) kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit të KQZ-së;
b) mbush moshën për pension;
c) vdes;
ç) jep dorëheqjen nga detyra;
d) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
dh) me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre;

e) mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë;
2. Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së për shkaqe të parashikuara në shkronjat “a” “d” “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për shkakun. Në rastet e tjera të pikës 1 të këtij neni, anëtari i KQZ-së lirohet me vendim të Kuvendit pas njoftimit nga ana e KQZ-së.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi dhe procesi i integrimeve europiane