Elvis Shkambi, njeriu i cili pak më shumë se një muaj më parë qëlloi për vdekje gjykatësin Astrit Kalaja, në sallën e Apelit thotë se ka kryer një veprim të palogjikshëm. Por, përmes një letre publike të shpërndarë nga avokati i tij, ai qartazi përpiqet ta mbulojë veprimin e tij si një akt të çastit, ndikuar nga një vendim sipas tij i padrejtë nga ana e gjykatësit. Megjithatë, ai nuk shpjegon se përse kishte hyrë në sallën e gjyqit me armë në brez.
Pamjet e Elvis Shkambit, i cili pak çaste pasi vrau në sallën e gjyqit, gjykatësin Astrit Kalaja, qëndronte me duar në xhepa në oborrin e Apelit, duke ia bërë me shenjë punonjësve të policisë që ta arrestonin, ishin një shenjë e qartë, se ai kishte vepruar gjakftohtë dhe jo nga një nxitje e çastit.
Edhe në letrën e tij të gjatë drejtuar publikut, mbushur me akuza ndaj gjyqësorit që për vite po pengonte familjen e tij të merrte pronën e pretenduar, më shumë se sa shenja të një pendese, vihet re këmbëngulja për t’u shfajësuar, e për t’u shfaqur viktimë e një sistemi të padrejtë drejtësie. Sepse edhe vrasjen ai e përkufizon si “një reagim i palogjikshëm kundër një vendimi po aq të palogjikshëm”.
Dhe në këtë pikë ai është i bindur, ndërsa më tej e quan vendimin “skandaloz”, e nuk ngurron të akuzojë haptazi gjykatësin Kalaja. “Nëse vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ishte një produkt edhe i paditurisë, vendimi i datës 06.10.2025 për ta lënë në fuqi nuk ishte nga padituria, por i ndikuar nga faktorë të tjerë”.
Ai nuk thotë në asnjë rast se cilët paskan qenë këta faktorë të tjerë, ndërsa gjyqtarit Kalaja, familjes të së cilit i shpreh keqardhjen, ai nuk i përmend në asnjë rast emrin. E përkufizon thjesht si “një person me funksion “gjyqtar” në këtë gjykatë”, me të cilin kishte ndodhur një “incident i rëndë”. Madje fëmijëve të gjyqtarit i sugjeron se vrasësit e vërtetë janë “ata që shtynë babain tuaj të marrë një vendim totalisht të padrejtë”, duke shtuar se ata “janë po aq fajtorë sa unë që ai nuk është sot me ju”.
Në asnjë rast ai po ashtu nuk jep shpjegim se përse ai kishte hyrë në sallën e gjyqit me pistoletë në brez, një fakt që logjikisht të con të mendosh se ai ishte parapërgatitur për të vepruar nëse vendimi do të kishte qenë kundër familjes së tij.
Në letrën e tij ai gati gati e shpall veten si një dëshmor i përpjekjes për të kërkuar drejtësi.
“Prej 13 vitesh, xhaxhai im Gjon Shkambi kishte kthyer në një “eksperiment njerëzor” nga sistemi gjyqësor në Shqipëri dhe, në një kohë që unë po mundohesha t’i jepja fund këtij “eksperimenti”, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi vazhdimin e atij eksperimenti”.
Por imazhi i viktimizuar, me të cilin ai përpiqet të vizatojë vetveten, fshihet shpejt nga deklarimet e vet xhaxhait, i cili ka dhënë një version tërësisht tjetër. Gjon Shkambi ka deklaruar se nipi i tij Elvisi, e shoqëronte në proceset gjyqësore, vetëm sepse vëllezërit kishin frikë se mos ua bënte me hile për pronat.
Komente










Ne vende perendimore me presionin psikologjik dhe pronsor dhe me presionin e te drejtave per rrethana te vecanta ky rast quhet unik , ndaj ne perendim ne Luksemburg apo dicka afer deri 7 vjet burg maksimumi behet !
Përgjigju