Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për Gjon Shkambin, xhaxhanë e Elvis Shkambit, i cili vrau gjyqtarin Astrit Kalaja pasditen e 6 tetorit brenda sallës së gjyqit. Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa Gjon Shkambi akuzohet nga Prokuroria e Tiranës se ka patur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, Ragip e Ervis Kurta.
Gjon Shkambi pretendon se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij Elvis Shkambi që qëlloi ndaj gjyqtarit Kalaja sapo ky i fundit lexoi vendimin kundër kërkesës së tij lidhur me një konflikt pronësie.
Më 6 tetor, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë në sallën e gjyqit, nga Elvis Shkambi, ku mbetën të plagosur edhe babë e bir nga pala kundërshtare Ragip dhe Ervis Kurti. Gjithçka ndodhi më 6 tetor, kur Elvis Shkambi bashkë me xhaxhin e tij Gjonin po prisnin një vendim, mes të shumtëve në sagën e proceseve gjyqësore, sa i takon konfliktit që kishin me 31 familje për çështje pronësie. Familja Shkambi kishte përfituar një pronë si ish pronar që në vitet ’90 por strehimi i 31 familjeve në të njëjtën godinë nisi konfliktin gjyqësor që zgjat prej 3 dekadash.
Komente









