E panjohur për publikun e gjerë, korrespondenca e albanologut Shaban Demiraj shtrihet nga Evropa deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me studiues e dashamirës të gjuhës shqipe. I biri, Bardhyl Demiraj, tregon për "Report TV" se bëhet fjalë për një letërkëmbim të pasur, që ruhet në arkivin e familjes
“Ka shkëmbime me kolegë, studiues, por edhe me njerëz të thjeshtë që i shkruanin nga Shqipëria apo diaspora. “, tregon Demiraj.
Përmes këtyre letrave shfaqet edhe rrjeti i gjerë i bashkëpunëtorëve dhe miqve të Shaban Demirajt, duke krijuar ura komunikimi edhe në periudha kur shkëmbimet ndërkombëtare ishin të kufizuara.
“Miqtë kanë qenë të shpërndarë në Evropë edhe në botë, si Erik Hemp, apo në Amerikë, në Chikago, apo Hermann Ölberg në Tirol të Austrisë etj. Sigurisht ka shumë letërkëmbime me kolegë nga Bullgaria, me Rusinë atëherë kur nuk komunikohej, nga Moldavia, si të thuash, me gjuhëtarë që i takonin nga kampit të Lindjes, Titos Jochalas në Greqi e kështu me radhë. Sa i përket miqve, me të cilët, sidomos në pjesën e periudhën e fundit të jetës ndanin si të thuash dhe hallet e pleqërisë, ka qenë profesor, si dhe profesori im i nderuar dhe i respektuar, Muzafer Xhaxhiu. Me të lidhte një jetë e tërë në universitet. Ka qenë miku deri diku i fundit që i mbeti, i moshës së tij.”, rrëfen Bardhyl Demiraj.
Ai tregon për "Report TV" se dëshiron që të mbeten pjesë e jetës private të babait.
“Nuk jam kundër botimit të pjesës shkencore të kësaj korrespondence, por mendoj se jeta private duhet respektuar. Ajo është pjesë e botës së brendshme të autorit.”, vëren Demiraj.
Shaban Demiraj, u nda nga jeta më 30 gusht të 2014. Në kujtesën e të birit, i cili ka ecur në gjurmët e tij, përtej studiuesit dhe profesorit, mbetet para së gjithash babai.
“Kur ishte në shtëpi ishte babai im. Kur isha student, ishte mësuesi im. Më vonë u bë edhe kolegu me të cilin konsultohesha për çdo çështje shkencore.”, thotë Bardhyl Demiraj.
Fundi i jetës ishte i vështirë. Pas disa goditjeve cerebrale, Shaban Demiraj kaloi më shumë se dy vjet i shtrirë në shtrat, i rrethuar nga përkujdesja e familjes.
“Nuk e pati fundin që do t'ia uroje një njeriu. Por ishte gjithmonë i rrethuar nga dashuria e familjes. Kujtimi për të mbetet mbi të gjitha kujtimi për një prind dhe do të më shoqërojë gjithë jetën.”, tregon i biri.
Mes dorëshkrimeve, letrave të ruajtura me kujdes dhe kujtimeve të të birit, Shaban Demiraj shfaqet jo thjesht si studiues dhe albanolog, por edhe një shembull integriteti njerëzor.
Gjuhëtar, albanolog dhe akademik i njohur ai ka lënë një prodhimtari të gjerë akademike. Nga viti 1970 e deri më sot shkroi e botoi vepra (disa prej të cilave edhe në gjuhë të huaja) me vlerë teorike e praktike për njohjen më të mirë e më të thelluar të ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe. Ai lindi në Vlorë më 1 janar 1920 dhe u nda nga jeta më 30 gusht 2014.






Komente
Komento