Leukozat akute tek
fëmijët në Shqipëri

Leukozat akute tek<br />fëmijët në Shqipëri
Në strukturën e përgjithshme të sëmundjeve për moshën pediatrike në Shqipëri, neoplazitë zënë 10% sipas studimit të INSTAT. Në këtë grup të neoplazive pediatrike, L. A. përbëjnë 43%, duke u rradhitur në vend të parë. Incidenca vjetore e LA në Shqipëri rezultoi në studimin tonë me 8.3/1milion banorë në tërësi dhe 25.8/1milion fëmijë duke u mbështetur mbi të dhënat e INSTAT lidhur me numrin e strukturës së popullsisë.
Analiza e dinamikës së incidencës së LA gjatë periudhës së studimit rezulton me rritje të lehtë përgjatë viteve. Vlen për tu theksuar se në periudhën e tretë pra në vitet 1999-2011 rritja e incidencës është më e shprehur dhe me domethënie statistikore.

Studimi. Në studimin tonë nga 983 raste të diagnostikuar me LA rezultuan 91% me LAL me incidencë 23.6/1 milion fëmijë, dhe 9% me LAM me incidencë 2.2/1 milion fëmijë. Në raport me tendencën gjinore nga studimi del në pah se në 61% të rasteve të diagnostikuar me LA janë fëmijë të gjinis mashkull dhe pjesa tjetër prej 39% janë të gjinis femër. Shpërndarja gjinore sipas nëntipave të LA paraqitet në LAL 60% meshkuj dhe 40% femra, në LAM 78% meshkuj dhe 22% femra, pra sipas studimit fakton një predominim i shprehur i LA në meshkuj. Në shpërndarjen sipas grup moshave në studim vihet re që LA është e rrallë në moshat 0-1 vjeç dhe madje është më pak e shprehur se në grup moshat e tjera.

Incidenca vjetore për 1 milion fëmijë paraqitet dukshëm më e lartë në moshën 2-4 vjeç duke qenë më e lartë se ajo e gjithë kontigjentit, ndërsa 2 grup moshat e tjera paraqesin vlera të përafërta por më të ulëta se ajo e gjithë kontigjentit. Në studimin tonë u analizua shpërndarja e rasteve sipas 12 rajoneve në të cilën u vu re se rajone si Fieri dhe Shkodra kanë incidencë mbi atë të vlerës së kontigjentit, por incidencën më të lartë e kanë rajonet si Kukësi, Lezha dhe Dibra.

Gjatë studimit të dinamikës së incidencës së këtyre rajoneve u vu re se në disa rajone si Fieri dhe Tirana kjo incidencë është rritur dukshëm në periudhën e tretë të studimit në vitet 1999-2010, ndërsa në rajone të tjera si Kukës, Dibër dhe Lezhë incidenca ka ndryshuar pak përgjatë tre periudhave të studimit, duke qenë e rritur që para 30 vjetësh. Megjithëse diferencat janë jo sinjifikative dallohet një risk më i lartë për të zhvilluar leukozë në rrethet e zonës verilindore dhe një risk me i ulët në zonat e tjera të Shqipërisë.

Rekomandime
LA, në studimin tonë, radhitet në vend të parë (43%) për nga shpeshtësia ndër patologjite neoplazike të fëmijëve. Rezultatet japin një incidencë 8.3 / 1 milion banorë tëpopullates; 26 / 1 milion banorë të popullatës pediatrike dhe 51/ 105 fëmijë të lindur gjallë. Janë shifra, që duke marrë parasysh mortalitetin ende të lartë të kësaj patologjie në fëmijët, detyrojnë vëmendje të veçantë e të plotë në fushën e politikave të shëndetit publik dhe nga institucionet qendrore e ato diagnostiko - kurative të shërbimeve shëndetsore të të gjitha niveleve.

Studimi në dinamikë në tre periudha 12 vjeçare jep të dhëna interesante, me ndryshime statistikisht domethënëse, të një incidence statistikisht më të lartë për 1999 - 2010, që mund të jenë nxitëse në kërkim të faktorëve të ndryshëm favorizues apo shpërthyes, ambientale ose tjetër që mund të kenë influencuar në këtë fenomen. Studimi i shpërndarjes gjeografike, jep incidenca të larta në disa rajone të vendit (Dibër, Kukës, Lezhë).

Zona veriore e vendit rezulton më e riskuar se zonat e tjera për LA, ndërsa zona e jugut më pak. Duam të tërheqim vëmendjen në shifra që sugjerojnë studime shumëplanëshe në kerkim të faktoreve apo situatave predispozuese. Në zonat urbane incidenca duket më e lartë por lëvizjet e shprehura të popullatës nuk të lejojnë deduksione të qarta. Për vënien e diagnozës duhet patur në mendje tërësia e simptomatollogjisë klinike laboratorike, që jo gjithnjë është e plote dhe në shprehjen më patognomonike. Kështu vlerat normale të eritrociteve, limfociteve, leukociteve, trombociteve apo LDH nuk duhet të përjashtojë një LA nqs klinika shkon në favor të saj por investigimi duhet të thellohet.

Shkrimi u publikua në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com(print), 24 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi