Lëvizja anti-bojkot, udhëzimi që
shpëton zgjedhjet nga Basha-Mediu

Lëvizja anti-bojkot, udhëzimi që<br />shpëton zgjedhjet nga Basha-Mediu
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur zbatimin e një strategjie për të shpëtuar ligjërisht zgjedhjet e 18 Qershorit nga një skenar i Partisë Demokratike për sabotimin e procesit, si një zgjidhje ekstreme për të evituar një tjetër humbje të mundshme në 18 Qershor.

Teksa opozita ka dhënë dy mesazhe të qarta për bojkotin zgjedhjeve, duke refuzuar të propozojë brenda afatit ligjor anëtarët e KZAZ si dhe duke tërhequr dokumentacionin për regjistrimin në zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndjekë një udhëzim të posaçëm, për të mundësuar administrimin e procesit zgjedhor, pavarësisht pjesëmarrjes apo jo të partive parlamentare në zgjedhje. Si për ironi, bëhet fjalë për të njëjtin udhëzim, i cili u përdor nga Partia Demokratike, si masë parandaluese ndaj një bojkoti të mundshëm të Partisë Socialiste të zgjedhjeve të 2013.

Në shkurt të 2013, KQZ, asokohe nën kontrollin e Partisë Demokratike, e cila kishte shumicën në komision, miratoi një udhëzim për përzgjedhjen dhe trajtimin e një grupi qytetarësh, të cilët mund të emëroheshin si anëtarë të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve dhe Komisioneve të Qendrave të Votimit, nëse opozita e atëhershme, në një moment të caktuar, mund të tërhiqte komisionerët për të prishur zgjedhjet. KQZ aktuale, bazuar në këtë udhëzim, disa ditë më parë, ka shpallur procedurën e aplikimit për shtetasit që kanë interes për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, që do të ngrihen për zgjedhjet parlamentare.

Shtetasit e përzgjedhur do të trajnohen, për t’u mbajtur në gatishmëri si një trupë e gatshme, për plotësimin e vendeve vakante në KQZ, gjithnjë nëse Partia Demokratike dhe Partia Republikane, nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut, deri në limitet e fundit kohore, nuk ushtrojnë kompetencën e parashikuar në Kodin Zgjedhor, për propozimin e komisionerëve.

Udhëzimi
Udhëzimi nr. 4, datë 19.02.2013, parashikon që, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve, shpall interesin për të përzgjedhur shtetas të cilët janë të gatshëm të ushtrojnë detyrën e anëtarit apo sekretarit të KZAZ. Kandidaturat duhet të paraqiten brenda datës së caktuar në njoftimin e KQZ-së, pranë protokollit të KQZ ose Zyrave Rajonale Zgjedhore. Drejtoria e Komisioneve Zgjedhore, shqyrton të gjitha kandidaturat e paraqitura në KQZ, apo pranë zyrave rajonale zgjedhore për anëtarë apo sekretar të KZAZ-ve të cilët mund të emërohen kryesisht, duke krijuar një listë me të gjithë personat të cilët plotësojnë kriteret. KQZ me vendim emëron anëtarët dhe sekretarët sipas rastit, për të plotësuar vendin vakant, me emrat nga kjo listë, duke i dhënë përparësi trajnimeve në fushën e zgjedhjeve, eksperiencave të mëparshme në administratën zgjedhore dhe kualifikimeve profesionale.

Anëtarët e KQV
E njëjta rrugë do të ndiqet edhe për anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit nëse Partia Demokratike dhe Partia Republikane do të finalizojnë bojkotin e zgjedhjeve të 18 Qershorit. Sipas udhëzimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve, shpall në gazetat me tirazh më të madh kombëtar si dhe në faqen e tij të internetit, interesin për të përzgjedhur shtetas të cilët të jenë të gatshëm të ushtrojnë detyrën e anëtarit apo sekretarit të KQV-së, në rast se krijohet vakanca e parashikuar sipas nenit 36 të Kodit Zgjedhor. Kandidaturat duhet të paraqiten brenda datës së caktuar në njoftimin e KQZ-së, pranë protokollit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ose Zyrave Rajonale Zgjedhore. Drejtoria e Komisioneve Zgjedhore, shqyrton të gjitha kandidaturat e paraqitura në KQZ apo pranë zyrave rajonale, për anëtarë apo sekretar të KQV-ve të cilët mund të emërohen kryesisht dhe plotësojnë kërkesat e nenit 37 dhe 38 të Kodit Zgjedhor dhe ia kalon për miratim KQZ-së. Kjo listë dërgohet nga KQZ-ja pranë KZAZ-së përkatëse. Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, emëron anëtarët apo sekretarin e KQV-së, sipas rastit për të plotësuar vendin vakant.
 
9 kushtet për zëvendësimin e anëtarëve të PD-PR
1.     Të gëzojnë të drejtën për të qenë zgjedhës;
2.     Të kenë arsim të lartë, për pozicionin e sekretarit të jenë juristë;
3.     Të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
4.     Të mos kenë marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme (në rast se kanë qenë komisionerë zgjedhorë);
5.     Të mos jenë deputetë ose kandidatë për deputë në Kuvend;
6.     Të mos jenë kryetarë të bashkive;
7.     Të mos jenë ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror;
8.     Të mos jenë të propozuar nga parti politike për të qenë anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së;
9.     Të mos jenë të zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike.

udhezimi


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg