Këshilli i Lartë i Drejtësisë, institucioni që ka përgjegjësinë kryesore për dimensionin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, po bën përpëlitjet e fundit për t’i shpëtuar Vetingut. Në prag të shpërbërjes, për shkak të ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë po tenton zbusë akujt me organet e Vetingut, duke u ofruar këtyre të fundit një pakt bashkëpunimi.
Ndonëse një pjesë e anëtarëve të KLD aktualisht po verifikohen për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e papërshtatshme me krimin dhe aftësisë profesionale, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në konflikt interesi, u ka ofruar institucioneve të Vetingut një memorandum bashkëpunimi për zbatimin e ligjit. Nga ana e tyre, organet e Vetingut nuk e kanë pranuar një pakt të tillë. Kjo lëvizje reflektohet në raportimin e kryeinspektores pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, në mbledhjen e fundit të KLD.
Zonja raporton para anëtarëve të KLD se qasja e grupit të punës së KLD për një memorandum bashkëpunimi nuk është pranuar nga organet e Vetingut. Referuar procesverbalit të mbledhjes së 2 tetorit 2017, nga raportimi del qartë se synimi i KLD është që ndihmojë nga ana administrative organet e Vetingut. “Në kryerjen e këtyre aktiviteteve është mbajtur parasysh se pavarësisht rolit ndihmës që KLD dhe Inspektorati ka në procesin e Vetingut ne kemi disa detyrime ligjore që nuk mund të qëndrojmë në pozitën e pritjes së urdhrave.
E vërteta është që me vetëdije të plotë për rëndësinë publikë që mbart ky proces kemi ushtruar rol pro aktiv duke u vet afruar në proces me propozime dhe sugjerime konkrete për të bërë maksimumin në realizimin e përbashkët të këtij procesi kaq të rëndësishëm.
Në përmbushje të autorizimit të dhënë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, grupi i punës ka punuar me idenë e një memorandumi bashkëpunimi më institucionet e Vetingut me qëllim kuptimin dhe zbatimin e njëjtë të ligjit. Në pikëpamjen tonë ky memorandum do t’i shërbente rregullimit të marrëdhënies ndërinstitucionale midis institucioneve të rivlerësimit duke u bazuar tek ligji “Për rivlerësimin”, ligji “Për statusin”, vendimi i Gjykatës Kushtetuese numër. 2.12.2017 si dhe nenet 71 e vijues te Kodit të Procedurës Administrative për dhënien e ndihmës administrative. Kjo qasje e jona nuk u pranua megjithatë ne vijojmë bashkëpunimin me mbledhje e takime pune”, thotë Marsida Xhaferllari.
Konflikti i interesit
Ndërhyrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në punët e organeve të Vetingut, aq më tepër me anë të një memorandumi bashkëpunimi, përbën konflikt interesi, për shkak se KLD është objekt i skanerit të trefishtë të Vetingut. Aktualisht, katër anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë po i nënshtrohen Vetingut. Ata janë Xhezair Zaganjori në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Gjin Gjoni anëtar i KLD dhe Gjyqtar i Apelit, Artan Broci anëtar i Gjykatës së Lartë dhe Brunilda Kadi gjyqtare dhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Organet e Vetingut do të shqyrtojnë dosjen e secilit subjekt, në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Referuar dosjes dhe verifikimeve shtesë të kryera nga vetë njerëzit e Vetingut dhe ekspertët e SHBA-BE, organet e Vetingut do të marrin një vendim për secilin gjyqtar apo prokuror, nëse është i denjë për të shërbyer në drejtësinë e re.
Lufta kundër Vetingut
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është angazhuar me veprime konkrete kundër Reformës në Drejtësi dhe sidomos kundër Vetingut. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, me në krye Gerd Hoxhën, anëtar i KLD, u bënë palë me Partinë Demokratike, për të rrëzuar ligjin e Vetingut në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias i kanë hedhur poshtë pretendimet e tyre, shoqatat e gjyqtarëve kanë bërë një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, për të rrëzuar disa parashikime të rëndësishme të ligjit të Vetingut, sidomos sa i takon përcaktimeve për kontaktet e papërshtatshme me krimin. Pra, Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkon që të bashkëpunojë me organet e Vetingut, madje edhe me anë të një memorandumi bashkëpunimi, në një kohë kur vetë anëtarët të KLD luftojnë në Kushtetuese për ta rrëzuar këtë ligj.
Alarmi
Një vit më parë, gjatë një mbledhjeje, anëtarët e KLD dhanë alarmin për fatin e drejtësisë pas miratimit të reformës. Anëtari Astrit Haxhialushi deklaron se gjyqtarët janë shumë të fiksuar, ndërsa shpreh shqetësimin se sistemi është në rrezik. “Me të vërtet konstatoj, por edhe nga kontaktet që kemi me kolegët, se trupa gjyqësore me të vërtet ndihet totalisht e fyer, por njëkohësisht edhe e frikësuar. Drejtësia është një nga shtyllat themelore të funksionimit të një shteti demokratik. Alarmi i rrezikut të kapjes së sistemit gjyqësor nga politika, përbën rënien e drejtësisë në vend dhe kërcënon parimin e ndarjes së pushteteve pa të cilën shteti i së drejtës nuk mund të ekzistojë”, tha Haxhialushi.
Ndërkaq, anëtari Neritan Cena ishte edhe më i ashpër. “Marr shkas nga deklaratat që bëri z. ministër që, “të shohim, se do vijë koha, do t’i fusim në Veting, a do ta kalojë njëri Vetingun apo s’do ta kalojë tjetri Vetingun”. Këto janë kërcënime haptazi dhe tentativa për kapje të pushtetit gjyqësor. Prandaj them që unë uroj sinqerisht dhe shpresoj sinqerisht që mos të jetë kjo arsyeja e bërjes së reformës në drejtësi sepse s‟ka më... edhe qytetari i thjeshtë që do vijë të kërkojë drejtësi, s‟ka për ta gjetur më me gjyqtarë të kapur. Thjesht ky është opinioni im. Prandaj them që gjërat vërtet duken shumë serioze”, ka deklaruar anëtari Neritan Cena.
Diskutimet në mbledhjen e KLD për paktin me Vetingun (datë 02.10.2017)
Ilir Meta (President, kryetar i KLD): Atëherë, fillojmë mbledhjen sipas rendit të ditës sikurse jeni njoftuar dhe ju. Përpara se të fillojmë me pikën e parë do të doja që Marsida të jepte informacion të përmbledhur lidhur me diskutimet që ka bërë grupi i punës që vendosën të dialogojnë me KPK-në, me EURALUSIN e të tjerë sesi KLD dhe Inspektorati të plotësojnë detyrimet e tyre ne kuadër të ligjit “Për Rivlerësimin e Gjyqtarëve”.
Marsida Xhaferllari (kryeinspektore pranë KLD): Faleminderit z. President. Për gjatë kësaj jave grupi i punës ka vijuar intesivisht punën për përmbushjen e detyrës së lënë nga Këshilli i Lartë i Drejtësie në mbledhjen e datës 22.09.2017. Krahas punës për hartimin e dokumenteve të veçanta janë kryer gjithsej shtatë mbledhje pune nga të cilat tre kanë qenë mbledhje të brendshme të grupit të punës ndërsa mbledhjet e tjera janë zhvilluar me institucione të tjera për të koordinuar procesin në funksion të zbatimit të standardeve uniforme te punës.
Në kryerjen e këtyre aktiviteteve është mbajtur parasysh se pavarësisht rolit ndihmës që KLD dhe Inspektorati ka në procesin e Vetingut ne kemi disa detyrime ligjore që nuk mund të qëndrojmë në pozitën e pritjes së urdhrave. E vërteta është që me vetëdije të plotë për rëndësinë publikë që mbart ky proces kemi ushtruar rol pro aktiv duke u vet afruar në proces me propozime dhe sugjerime konkrete për të bërë maksimumin në realizimin e përbashkët të këtij procesi kaq të rëndësishëm. Në përmbushje të autorizimit të dhënë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, grupi i punës ka punuar me idenë e një memorandumi bashkëpunimi më institucionet e Vetingut me qëllim kuptimin dhe zbatimin e njëjtë të ligjit.
Në pikëpamjen tonë ky memorandum do t’i shërbente rregullimit të marrëdhënies ndërinstitucionale midis institucioneve të rivlerësimit duke u bazuar tek ligji “Për rivlerësimin”, ligji “Për statusin”, vendimi i Gjykatës Kushtetuese numër. 2.12.2017 si dhe nenet 71 e vijues te Kodit të Procedurës Administrative për dhënien e ndihmës administrative. Kjo qasje e jona nuk u pranua megjithatë ne vijojmë bashkëpunimin me mbledhje e takime pune.
Neritan Cena: Neve kemi vijuar të diskutojmë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka qenë i pranishëm dhe Komisioni i Apelimit lidhur me çështje të natyrës procedurale. E para që është periudha që ka mos dakordësi ndërmjet nesh. Prandaj kemi ecur me idenë që duke interpretuar ligjin e statusit të gjyqtarëve konsiderohet vit kalendarik i plotë. Pra 01 Janar 2014-31 Dhjetor 2016. Ata të komisionit ecin me idenë i qëndrojnë strikt ligjit, që tre vite ka momenti i hyrjes në fuqi, po ne jemi me argumentet tona dhe pro këtyre argumenteve është dhe komisioni i EURALUSIT ka dhënë mendimet e veta sepse ligjet nuk duhet të parë ngushtësisht por duhen parë edhe me ligjet e tjera për statusin.
Sepse vetë ligji për vlerësimin kalimtar referon tek ligji për statusin. Sa kohë do referohemi te ligji për statusin të zbatueshme do jenë dispozitat e ligjit për statusit i cili citon vit kalendarik. E para pa rënë dakord për periudhën edhe kryetarëve të gjykatave nuk mund tu themi nxirrni të dhënat sepse nga do fillojmë nga tetori apo nga janari. Ilir Meta: Neritan prandaj ju kemi ngarkuar që të bini dakord. Po të ishin të gjitha gjerat e qarta nuk kishim nevoje dhe kishim filluar punën. Ky është një proces i përbashkët. Kush ka më shumë argumente dhe logjik fiton konsensusin.
Ilir Meta: Neritan prandaj ju kemi ngarkuar që të bini dakord. Po të ishin të gjitha gjërat e qarta nuk kishim nevoje dhe kishim filluar punën. Ky është një proces i përbashkët. Kush ka më shumë argumente dhe logjik fiton konsensusin.
Neritan Cena: E dyta kam parashtruar dhe besoj se do gjej dhe mbështetjen nga kolegët që janë të pranishëm që pjesë e vlerësimit janë dhe tre dosjet që i përkasin vendimeve të depozituara nga vetë gjyqtarët. Janë depozituar vetëm vendimet, pjesë e tyre të jenë dhe dosjet përkatëse të këtyre vendimeve që të jenë 8 dosje me idenë që të krijohet një panoramë e plotë, 3 të zgjedhura nga vete gjyqtarët dhe 5 dhe të shikohet më pas në tërësinë e tij. Kjo është ideja. Faleminderit.
Ilir Meta: Dakord. Faleminderit. Vazhdojmë me shqyrtimin e projektaktit përfundimtar të vlerësimit të vitit 2007-2009 të Kryeinspektores. Në zbatim të vendimit të KLD “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, për gjyqtaren Lindita Hoxha, Shkodër, shtyrë nga mbledhja e kaluar. Përpiqemi tu kërkojmë që të jenë sa më racional në atë që kërkojnë nga KLD-ja. Kishit ndonjë gjë Marsida?
Mbledhja e datës 22.09.2017
Marsida Xhaferllari: Sipas porosisë edhe të Kryetarit të Këshillit, sipas porosisë Tuaj, me kujdes të veçantë, kemi ndjekur një qasje proaktive duke marrë ne nismën për hartimin e disa rregullave që çmojnë që i japin rrugë procesit të detajeve për organizimin e shortit dhe për nxjerrjen e rezultateve që duhen për vlerësimin profesional të subjekteve të rivlerësimit. Në takimin e zhvilluar, pritshmëritë nga ana e komisionit ishte, të paktën ne pritëm që komisioni të vlerësonte përpjekjet që ne kishim bërë deri në këtë moment, pra që kishim mbajtur një qasje proaktive, që udhëzimet tona të merren në diskutim, udhëzimet që ne kishim draftuar të merreshin në diskutim, të miratoheshin me ndryshime, qoftë të miratoheshin ex nuovo,të bëheshin nga e para. Në të vërtetë konstatuam që komisioni kishte pritshmëri dhe kuptim të ndryshëm për zbatimin e kuadrit ligjor në vlerësimin profesional të subjekteve të rivlerësimit. Për këtë shkak, KLD-ja duhet të shqyrtojë dhe të vendosë mbi situatën që është krijuar për të dhënë një përzgjidhje të mëposhtme.
Etilda Gjonaj, ministre e drejtësisë, anëtare e KLD: Atëherë, është propozim i mirë, por unë doja ndoshta të saktësoja pak në këto hapa që duhet të ndërmarrin ose për ta bërë sa më konstruktive. Për shembull, do të sugjeroja që ky grup pune apo edhe me anëtarët e KLD-së, me komisionin KPK dhe KA, ashtu si dhe me përfaqësues të EURALIUS-it të bëhet një takim fillimisht për të kuptuar të gjithë njësoj ligjin sepse shikojmë se ka një pretendim nga KPK-ja lidhur me se si duhet të interpretohet neni 171 për vlerësimin e gjyqtarëve, ndërkohë nga Inspektorati ka gjithashtu argumentet e tij, kemi një opinion nga EURALIUS-i dhe për të qenë të gjithë dhe ta kuptojmë ligjin të gjithë njësoj, ndoshta duhet të bëhet ky takimi i përbashkët që mund të bëhet me përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe me të gjithë këta aktorët, EURALIUS-in, Inspektoratin, edhe dy komisionet e pavarura, për të qenë më konstruktiv le të themi.
Artan Broci: Kam një qasje tjetër në fakt, në gjithë këtë histori. Shteti, Parlamenti, ligjvënësit kanë parashikuar që ky Këshill nuk ka më autoritet në drejtim të gjyqësorit. Vetë sistemi i drejtësisë është vënë në një gjykim të madh publik. Gjithë këto organe që u krijuan nuk u krijuan që të bashkëpunojnë me këtë gjyqësor por përkundrazi të revizionojnë punën e këtij gjyqësori. Unë edhe në mbledhje të tjera kam ngritur çështjen që duhet të fillojë vlerësimi sipas ligjit nga Gjykata Kushtetuese dhe nga Gjykata e Lartë, më pas dhe nga anëtarët e rinj që kanë konkurruar për KLGJ. Radhën e punës na e përcakton ligji. Nuk ka dëgjuar dhe kam qasje tjetër. Ne nuk mund të krijojmë grupe pune dhe të negociojmë me Komisionet e Pavarura të Kualifikimit aq më tepër që gjyqtarët kanë konflikt interesi.
Ilir Meta: Atëherë më fal. Kam një mendim. Të mos zgjatemi më tej në këtë çështje. Ne tregojmë vullnetin e KLD-së për të bashkëpunuar, për të plotësuar detyrimet e saj për kohën që ajo do të funksionojë deri në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe që të mos humbasim kohë, mendoj që ky grup pune bashkë dhe me mua, mund të takohemi edhe në mënyrë informale, se nuk ka asnjë problem, të bashkëpunojmë me gjithë të tjerët. Jam shumë dakord që të ngrihet një grup pune dhe të negociohet duke filluar nga ju si President i Republikës që s’keni asnjë lloj konflikti interesi, nga ministrja e Drejtësisë dhe nga përfaqësuesi i Parlamentit, por jo gjyqtarë. Gjyqtarët duhet të jenë krejt pasiv. Unë kam një qasje tjetër dhe e thashë që në fillim. Inspektorati duhet të pezullojë çdo lloj veprimtarie dhe të fillojë menjëherë vlerësimin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe me radhë ato që kërkon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjin Gjoni: Faleminderit, z. President! Ligji e ka përcaktuar në mënyrë taksative dhe të them të drejtën thjesht për të qenë një çik ndoshta fleksibël, isha dhe për ngritjen e grupit të punës, por ligji e ka përcaktuar në mënyrë taksative. Në këtë moment unë shpreh vullnetin dhe dëshirën që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të jetë fleksibël dhe absolutisht të jetë ndihmues me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionin e Apelimit. Komisioni e ka përcaktuar kush janë organet të cilët realizojnë vettingun dhe ligji përveç ligjit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese e ka përcaktuar.
EURALIUS ka dhënë një mendim të detajuar në lidhje me këtë punë, të mbahet një memorandum bashkëpunimi. Mbi bazën e memorandumit e bashkëpunimit të nxirren këto pika, por ne duhet të vazhdojmë punën tonë mbi bazën e ligjit, e cila ato detyra që na ka lënë. Inspektorati të mbarojë sistemin e vlerësimit për vitet 2010-2012 që i ka parashikuar ligji. Në rast se duhet që Inspektorati të vihet në dispozicion të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionit të Apelimit, hajde të vëmë punën në vijë dhe të ndihmojë në lidhje me sistemin e vlerësimit. Unë bashkohem plotësisht me atë që thotë z. Broci, ligji e ka përcaktuar mënyrën dhe radhën dhe ne nuk mundet, edhe propozimi që ishte ky draft udhëzimi, që ishte propozuar për radhën e kaluar. Nuk mundemi ne t’i çojmë drafte Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, as Komisionit të Apelimit. Ata i urdhëron ligji. Duhet të nxjerrin vetë vendimet e tyre. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë.
Ilir Meta: Dakord! Atëherë, në qoftë se gjërat do të ishin kaq të qarta, do të ishin zgjidhur me kohë dhe as ne nuk do të ishim zgjatur aq shumë herën e kaluar dhe as sot nuk do të vinte kjo kërkesë. Janë ca gjëra që janë të qarta, janë ca tjera që duhet të sqarohen. Duhet të fitojmë kohë, të ecim të gjithë në një rrugë, jo thjesht me këtë institucion por me të gjithë partnerët, në mënyrë që të mos ketë konfuzion dhe KLD-ja dhe Inspektorati të përmbushin detyrat e tyre maksimalisht me përgjegjësi dhe me transparencë. Kështu që të mos e zgjasim më këtë çështje. Kolegët këtu që u caktuan në këtë grup të mblidhen edhe të na sugjerojnë si mendojnë ata të ecim përpara në bashkëpunim me institucionet e tjera. Urdhëro!
Petrit Çomo: Më falni, tani gjithë kjo punë që i bie Inspektoratit, ne s’kemi kompetenca as të caktojmë inspektorët që të plotësojnë këtë.
Ilir Meta: Po mirë! Dakord! Çdo të thotë kjo?
Petrit Çomo: Duhet të arrijmë një gjë, që Inspektoratin duhet edhe ne ta ndihmojmë sa kemi mundësi. Të bëjnë gjithë vlerësimet duhet gjithë ajo kohë. Të gjejmë një mundësi ose të shtohen inspektorët. Neve na ka kërkuar Inspektorati materiale, sa ka punë për tre vjet tani.
Ilir Meta: Ju lutem, të jeni më racional. Faleminderit për mendimet. Besoj se ramë dakord, të ecim përpara me grupin e punës dhe të jemi të hapur për të marrë çdo lloj vendimi këtu që do të na propozohet. Po!
Etilda Gjonaj: Lidhur me këtë, unë ndoshta ngaqë jam anëtare e re dhe nuk e di nëse ka një informacion nga Inspektorati, ka ndonjë listë me gjyqtarët që i është bërë një vlerësim dhe me gjyqtarët që i është bërë dy vlerësime ose njëkohësisht gjyqtarëve që i është bërë ky vlerësimi 2007-2009 dhe 2010-2012?
Marsida Xhaferllari: Padyshim që ka. Të dhënat tona tregojnë që rastet janë të ndryshme. Ka gjyqtarë që nuk kanë fare vlerësim sepse janë të sapo emëruar në sistem. Ka gjyqtarë që kanë vetëm një vlerësim, që janë të emëruar në vitin 2010 e më vonë. Ka gjyqtarë që kanë dy vlerësime. Tani ka filluar të ketë edhe gjyqtarë që kanë tre vlerësime. Listën e këtyre pastaj mund ta përgatisë administrata dhe t’jua vërë në dispozicion sa më shpejt.
Artan Broci: Propozimi im ishte që Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shkarkohet nga çdo përgjegjësi tjetër e ngarkuar më parë nga Këshilli, të kryhet me shpejtësi. T’i lihet vetëm një detyrë, të kryejnë me shpejtësi vlerësimin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe për konkurrentët për në KLGJ, kandidatët që kanë paraqitur kërkesë për kolegje. Të fillojmë menjëherë vlerësimin dhe vetëm me këtë të merret. Ky është propozimi im.
Ilir Meta: Dakord, kjo mund ta ketë në konsideratë për mbledhjen e ardhshme. Që të marrim një vendim tani, kaq të shpejtë, pa bërë edhe një konsultim, mendoj që nuk do të ishte shumë e dobishme. 
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

VIDEO








