Pas vizitës zyrtare në Seul, kryeministri Edi Rama viziton sot Japoninë ku është mirëpritur në Tokio nga flamuri kuq e zi dhe ai japonez.
Ai ka postuar disa foto në rrjetet sociale për të shënuar këtë moment.
Vizita, e cila do të vijojë deri më 23 maj, synon forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, si edhe një vizitë kortezie me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Eisuke Mori.
Ai do të vizitojë gjithashtu Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me titull “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”.
Kryeministri do të prezantojë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe do të theksojë rëndësinë e partneritetit strategjik me një vend që ndan të njëjtat vlera si Japonia, në një botë ku mbrojtja e përbashkët e vlerave tona të përbashkëta është bërë ekzistenciale.
Axhenda e vizitës përfshin gjithashtu një takim me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni–Shqipëri dhe një takim me drejtuesit e lartë të Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme (JETRO).
Komente










