Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD Ilirjana Kuçana, ka deklaruar se ka marrë ftesë nga Ervin Salianji për t’u bërë pjesë e takimeve që ai ka zhvilluar me demokratët, por nuk është bërë pjesë e tyre.

E ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ajo tha se në Partinë Demokratike nuk janë penguar asnjëherë mendimet ndryshe.

‘Unë kam marrë ftesë për të qenë në takim nuk kam kompleks që të komunikojë dhe të ulem me demokratët, por nuk kam marrë pjesë. Unë i qëndroj besnik demokratëve që më kanë votuar. PD s’mund të ketë më ndarje, është parti mendimit dhe fjalës së lirë çdo lëvizje brenda PD në shërbim të forcimit të PD që bëhet për demokratët është në të mirë të PD’, tha ajo.

Kuçana ka zbuluar edhe pjesë nga biseda që ka pasur me Ervin Salianji, të cilën e ka cilësuar si një bisedë të hapur. 

'Biseda ime me Salianjin ka qenë shumë e hapur. Përgjigjja e tij ka qenë se kjo është lëvizje për të rizgjuar strukturat e PD dhe jo kundër liderit të PD. Sa kohë është në shërbim të strukturave të PD nuk mendoj se duhet komentuar më shumë’, tha ajo.  

Teksa u ndal tek marrja e Belinda Ballukut si e pandehur, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, tha se ajo duhet që të kishte dhënë dorëheqjen nga posti. Sipas saj, Balluku ka fuqinë që të prishë provat.

‘Ballukut duhet që të kishte dhënë vet dorëheqjen, sepse ajo ka mundësi që të prishë provat. U detyrua drejtësia që ta pezullojnë nga detyra se mund të prishë provat pasi nuk e dha vet dorëheqjen. Po Rama duke qenë se ajo e kërcënonte se do të marr pas vetes ai ndihet i kërcënuar dhe ai sa herë ka halle i bënë presione institucioneve të drejtësisë. Zv.kryeministrja shpërndante tendera me telefon, paratë e shqiptarëve shpërndahen nga telefoni i Ballukut’, tha ai.